‘Eskorta’ është fenomeni më i ri në vendin tonë, kryesisht në Tiranë dhe Durrës, por nuk përjashtohen dhe qytetet të tjera. Shqipëria po kthehet në një tokë të premtuar për vajza nga Amerika Latine dhe nga Lindja e Europës.
Megjithatë ky fenomen sjell dhe tragjedi me vete si ajo e dy vajzave nga Ukraina pak ditë më parë ku u gjetën pa shenja jete në apartamentin që kishin me qira në qendër të Tiranës, prej mbidozës me ilaçe.
Në ‘Përballje’ në Report Tv, gazetari Sokol Dema dhe avokati Arbër Hoxha sqaruan për Rovena Nezirin skemën e fenomenit të ‘eskortës’. Sipas gazetarit një pjesë e madhe e vajzave vijnë nga Europa Lindore, nga Bjellorusia apo Ukraina.
'Mund të themi që është kthyer në një farë trendi në vitet e fundit dhe ka disa shkaqe. Duket se ka një interes të lartë nga rajone të ndryshme të globit që vijnë në Shqipëri por jo vetëm. Nga vendet e lindjes së Europës kanë një numër të lartë, por nuk përjashtohen vendet e Amerikës Latine, ku vijnë dhe kalojnë disa muaj dhe ofrojnë si shërbim eskortën dhe largohen. Ka një lulëzim të të huajave në vendin tonë. Duket se ka një buxhet të shqiptarëve për të paguar, ka pagesa minimalja 100 euro deri në shuma marramendëse. Klientët mbeten tradicionalë. Dhe personazhe të botës së krimit', tha gazetari.
Avokati shprehet se ka një eksportim dhe importim të prostitucionit, pasi vajzat shqiptare shkojnë drejt vendeve të rajonit por edhe në vendet e ligës arabe, si Dubai, ndërsa në Shqipëri vijnë eskortat nga Amerika Latine dhe Europa Lindore.
'Si ushtrim prostitucion ashtu dhe shfrytëzimi i prostitucionit janë vepra që dënohen në kodin penal. Në vitin 2021 ndryshoi kodi penal, dënohet njësoj si ai që paguan ashtu dhe ajo eskorta, apo punonjësja e seksit. Nuk është se në Shqipëri po lulëzon ndryshe nga vendet e rajonit. Është njësoj si vendet e rajonit,. Por gjatë verës jetojnë këtu 2 milion shqiptar 3 fishohen numrat, ka eksportim të prostitucionit. Vijnë të huajat në Shqipëri. Vajzat shqiptare shkojnë në vendet e ligës arabe, por edhe në vendet e rajonit, në Stamboll. Kemi importim dhe eksportim të këtij fenomeni. Për këto vajza Shqipëria është një vendi i vogël, mund të shkosh edhe me kushëririn tënd pa e ditur', thotw avokati.
Sakaq, avokati shton se është pro legalizimit të prostitucionit në vend, pasi do të sillte përfitime ekonomike dhe do shpëtonte shumë njerëz nga frustrimi.
'Jam partizan i legalizimit të prostitucionit. Nuk kemi pse jemi një vend ku prostitucioni të jetë i paligjshëm. Ka disa avantazhe. I pari është mjekësor. Ata që e ushtrojnë do të jenë të certifikuar. Shtëpitë publike do të kontribuojnë në ekonominë e vendit. Shqiptarët janë njerëz të frustruar. Kam qenë në vendet e Beneluxit dhe nuk kam parë degjenerim të shoqërisë', shton ai.
Gazetari Sokol Dema shton se vajzat e eskortës zgjedhin apartamente apo bnb dhe jo hotele.
'Vajzat e tilla kanë filluar të kuptojnë skemën. Nuk shkojnë më ne hotele, pasi duhet të japin pasaport. Qëndrojnë në apartamente, bnb. Rastet e identifikuara kanë qenë aksidentale, ngjarje të dhunës apo denoncime. Nuk kemi shërbime seksuale burrë me grua. Policia një pjesë të ngjarjeve të tjera i ka zbuluar në mënyrë aksidentale. E vështirë për tu identifikuar në mënyrë të plotë. Një tjetër hapësirë ku vajza të tilla depërtojnë janë qendrat e masazheve', thekson Dema.