Shorti i Kupës së Botës ishte temë e bisedës në ‘Studio Live’ të Report TV mbrëmjen e sotme, ku Shqipëria do jetë në Grupin K me dy skuadra shumë të forta, Anglinë dhe Serbinë.
Më këtë të fundit kuqezinjtë kanë një histori të vjetër, të dhjetë viteve më parë, me ngritjen e flamurit “Autoktonis” me dron nga Ismail Morina në stadiumin e Beogradit, gjatë ndeshjes Serbi-Shqipëri, e vlefshme për Europianin 2024.
Të ftuar ishin Eduart Prodani, ish-Sekretari i Përgjithshëm i FSHF dhe Kristo Seitllari nga gazeta ‘Panorama Sport’. Por si u prit ky short nga ata dhe si e komentojnë mundësinë e përsëritjes së incidenteve me serbët.
“Dy lajme ka, që Anglia, superfuqi e futbollit na bie në grup dhe Serbia, e cila është po kështu superfuqi për të na shkaktuar probleme, e them pak me shaka. Duhet të ishte bërë mirë të ishte shmangur (Serbia), teknikisht jo, por UEFA duhet të kishte marrë masa, ne nuk kishim çfarë të bënim, por UEFA duhet të shmangi raste të tilla. Sepse përveç mundësisë për tensione dhe incidente, herën e kaluar u angazhua edhe ushtria, u vendos e gjithë Shqipëria e Mesme në shtetrrethim. Nuk pati incidente, por pati angazhim të jashtëzakonshëm. Dhe përveç asaj që ka të bëjë me tensionin dhe dhunën, do flitet shumë edhe për politikë dhe jo për futboll, ndërkohë që e mira është që gjithçka të përqendrohet te futbolli. Ky është vërtetë një fat i keq. Por kjo ka oportunitetin e saj, nuk e di për ata, por që ne të performojmë në të gjitha aspektet në mënyrë shembullore. Si në aspektin e frymës që duhet t’i japim futbollit, respektit që duhet t’i japim lojës dhe kompeticionit, siç edhe e kemi treguar herët e tjera, ne jemi të pakritikueshëm në këtë aspekt, e aq më tepër në raport me Serbinë”, tha Prodani në fjalën e tij.
Por ai vuri theksin te përqëndrimi në lojë dhe si një mundësi historike për imazhin e Shqipërisë.
“Ne të përmirësojmë imazhin tonë, për t’u sjellë në mënyrë sa më korrekte. Publiku nuk mund t’i shpëtojë dot sjelljes emocionale, por duhet të jemi të matur. Të jemi etikë, patriotë, jo hakmarrës. Ja pra, në vend që të flasim për futboll, fillojmë e flasim për gjëra të tjera. Nuk ishte një gjë e mirë (vendosja në short), por kështu e kanë vendosur”, u shpreh ish-sekretari i përgjithshëm FSHF-së.
Po nga ana teknike dhe cilësitë futbollistike, si qëndrojnë ekipet?
“Serbia natyrisht është më lartë se futbolli ynë, prodhon lojtarë të jashtëzakonshëm. Por cilësia e saj nuk shkon paralel me këtë, pra ka pasur momente shkëlqimi, por që nuk i përgjigjet cilësisë së lojtarëve që prodhon dhe demonstrojnë në futbollin evropian. Mesa duket kanë edhe ata problemet e brendshme të futbollit të tyre, nga njëra anë më të mprehta sesa tonat. Por të mos i kemi frikë, sepse përveç rrethanave që do krijohen para dhe gjatë ndeshjes, ne kemi element të fortë motivimin. Lojtarët të bëjnë detyrën e tyre si futbollistë, të arrijnë dhe të realizojnë një performancë optimale, të ftohtë dhe racional, performancën e duhur dhe të arrijnë rezultatin. Nuk është fare e pamundur, s’kemi pse t’i kemi frikë, në fund të fundit vajtëm në atë ndeshjen e famshme dhe pse ishim ende të pakonsoliduar në skenën e futbollit të madh dhe vajtëm të avantazhuar”, tha Prodani.
Seitllari komentoi reagimin në momentin e shortit, me presidentin Armando Duka që rrudhi buzët, por duke bërë batutë edhe për të premten e 13 Dhjetorit si ‘ditë e zezë’.
“Po e nis me një batutë të ditës së sotme, se ishte e premte dhe data 13-të, e premtja e zezë, jo vetëm kundra Serbisë, sepse ne kemi peshkuar ekipin më të fortë nga vazo e parë, Anglinë. Shpresoja që ekipi më i fortë të ishte Zvicra, Danimarka ose Austria. Të paktën të kishim mundësi të merrnim pikë në dy përballjet që do bëheshin, por ne kemi Anglinë. Pak skeptikë duke parë gjërat në letër, sepse pastaj çdo gjë mund të ndodhë”.
Por si e sheh ai gjendjen e ekipeve:
“Serbia ka futboll cilësor, emra elitarë që luajnë në futbollin botëror, nga ana e cilësisë janë shumë lartë nga ne, të jemi realist. Por edhe ata kanë problemet e tyre brenda grupit, kanë fazat e tyre, sikurse edhe ne në kohën e Edi Rejas. Silvinjo i ka mbledhur si grup dhe shpreson që ky grup të ketë rezultat në eleminatoret e botërorit. Interesant është se edhe në shortin e vitit 2022 kemi pasur Anglinë dhe Andorrën në grup. Goglat nuk ishin dashamirëse. Vendi tretë nuk ka shans fare, i pari shkon direkt në botëror, i dyti luan play-off. 12 ekipet e vendeve të dyta, i bashkangjiten edhe 4 ekipet nga liga e kombeve dhe krijohen 16 skuadra që ndahen prapë në 4 grupe dhe fituesja e çdo grupi, kush fiton, shkon në botëror”.
Prodani analizoi edhe aspektin emocional, por edhe taktik, duke kujtuar se shumë vite më parë, për shkak të të drejtës televizive kërkonim ekipe të mëdha në grup, kurse tani pas rregullave të reja të UEFA-s, kërkojmë ekipe të lehta për pikë dhe kualifikim.
“Interesante është se 10-15 vite më parë, ne apo federata luteshin që të na binin në grup Anglia, Gjermania dhe skuadrat e forta, sepse përfitonte shumë nga e drejta televizive, kurse sot është krejt e kundërta, sepse e drejta televizive është rregulluar, është konstante dhe tani na duhen ekipe modeste. Nëse të binte Anglia më parë e drejta televizive shkonte në 10 milionë, tani shuma është fikse me formulat e UEFA-s dhe na duhen ekipe modeste që të na rriten mundësitë për kualifikim. Shanset janë, sepse edhe nëse nuk e kapim vendin e parë, luajmë për të dytë. Në letër armiku jonë sportivisht ngelet Serbia. Kur bien skuadra të tilla në grup, historikisht kemi treguar, është një shans për të bërë histori. Dhe kemi treguar që në momente të tilla kemi qenë jo keq, kemi bërë ndeshje të jashtëzakonshme me Gjermaninë në vitet 60, madje 2-3 ndeshje, ose Belgjikën, Greqinë e saposhpallur kampione, sepse edhe motivimi është më i madh. Ne përgjithësisht si fuboll kur kemi kundërshtar të madh, motivojmë më shumë, nxjerrim ndeshje më të mira. Duhet ta trajtojmë me profesionalizëm, gjithçka është në duar të trajnerit dhe lojtarëve”, u shpreh Prodani.
Kurse për rivalët në grup, ai tha se Anglia mbetet e fortë dhe vetëm nëse e kap në ditën e saj më të keqe mund t’i marrësh pikë.
“Letonia është kjo skuadër, godasin në këto kuota. Anglia është skuadër shumë e fortë dhe ka një të keqe të madhe, ekipet e vogla i mund me rezultat të thellë. Anglia ka ndërruar trajner, por nuk është e thënë se gjërat do shkojnë mirë sa herë ndërrohet trajneri. Të shohim se kush do jetë Anglia, sepse ka pasur krizë në nivel kombëtareje, në gjetjen e trajnerit dhe formulës për të dhënë maksimumin me lojtarët që ka. Por të shohim, në këtë fazë vetëm mund të spekulojmë dhe hamendësojmë. Mund ta kapim edhe në gjendje jo të mirë, ose edhe Serbia mund ta kapë në atë gjendje. Mund të vijë situata të luhet për një pikë”, u shpreh ai.
Seitllari dha edhe disa statistika, teksa kujtoi edhe rudhjen e buzëve nga Duka kur u hodh shorti:
“Me Letoninë jemi ndeshur 5 herë, kemi dalë barazim. Me Anglinë kemi bilanc negativ dhe me Andorrën pozitiv. Pashe shortin live dhe zotin Duka dhe rrudhi pak buzët me thënë të drejtën kur ra ai short. Nuk ka qenë i kënaqur me këtë grup, edhe Silvinjo gjithashtu, tha se e priste një short të vështirë. Por futbolli është i paparashikueshëm siç tha Silvinjo. Kalendari del brenda 24 orëve (është përcaktuar tashmë) dhe ndeshjet nisin në muajin Mars dhe mbarojnë në muajin nëntor 2025. Mund ta nisësh me skuadra të lehta. Serbia edhe u dënua për pjesën e ultrasve, në Mars nëse ndeshet me Shqipërinë vuan mungesën e tifozëve. Të hënën mësohet edhe eventi për U21, zhvillimi i kompeticionit”.
Por çfarë dimë për tifozët dhe a mund të ketë tensione dhe incidente?
“Tifozëria serbe performon historikisht në mënyrë të dhunshme, edhe në kohën e Jugosllavisë, por edhe sot. Ndeshjet e futbollit përdoreshin atëherë për të shprehur qëndrime politike nacionaliste midis kombeve, madje edhe në Prishtinë kishte situata të tilla nacionaliste në atë kohë. Dhe ka gjetur terren të përshtatshëm në gjendjen shpirtërore të popullit serb sot. Është e qartë se një pjesë e madhe e popullit serb është e pakënaqur, e mbrujtur me pakënaqësi. Politika mesa duket e ushqen këtë situatë. Për ndeshjen e 2014 në Beograd, teza se gjithçka nisi me flamurin është propagandë e pastër serbe, pasi Shqipëria po luante mirë, ambienti ishte tensionuar më parë dhe ata mbushën gjithë faqet mediatike dhe ekranet e botës se shkak ishte flamuri, por në fakt nuk ishte. Kjo tregon se sa të aftë janë ata të përpunojnë opinionet. Po ta shohësh ka pasur situata para ngritjes së flamurit, janë hedhur objekte në fushë, tensione para kësaj. Dhe nëse do kishim shënuar gol nuk e dinim se çfarë do ndodhte se ne i pamë, kishte tifoza të armatosur në fushë. Personi që doli në fushë dukej se mbante armë zjarri, bënte ligjin në fushë, qarkulloi në gjithë botën. Ndeshja u doli nga kontrolli ose u interesonte dikujt për qëllime të mbrapshta politike, nuk e di. Ka pasur rrezik jo vetëm për lojtarët, por më shumë për stafin tonë, federatës, shoqëruesit, gazetarët, ka pasur rreziqe dhe kanë kaluar në situata shumë problematike. Megjithatë nuk janë aq trima sa thonë. Në nivelin intelektualë janë njerëz me vlera, por në aspektin tjetër janë emocionalë, janë si ne, por nuk janë për t’u nxirë. Por një ndeshje futbolli gjithmonë mund të kalojë në tragjedi, është e provuar, ndaj duhet të jemi më të kujdesshëm, si në parapërgatitjen e masave, ashtu edhe me median e publikun. Janë ndihmuar edhe nga federata serbe atje dhe për fat nuk ndodhi gjë, sepse kishte shumë rrezik. Këtu ndeshja u bë në Elbasan dhe rruga nga Tirana në Elbasan ishte e patrulluar, që të shmangeshin incidentet kur të kalonte autobusi i tyre për atje. Unë kam udhëtuar me delegatin e UEFA-s dhe kishte masa të larta sigurie”, rrëfeu Prodani.
Gazetari Seitllari tha se ka segmente të tifozëve ultras që ndërhyjnë, që kanë lidhje mes tyre në vende të ndryshme, si në Serbi, Rumani, Çeki etj., dhe shkaktojnë ngacmime dhe tensione të qëllimte.
“Kam frikë për këtë përballje se nuk do shpëtojë pa incidente. Rëndësi ka të mos ndiqen incidentet dhe të ketë probleme atje”, tha ai.
“Uefa duhet të kishte marrë masa, ta shmangte si përplasje, e di që është e vështirë se nuk parashikohet në rregullore, por nuk është e mira që të shkohet atje. Federatat shkojnë mirë, por çështja është në stadium. Tani varet nga ato dhe vetë shteti, sepse dëmtohen edhe politikisht. Sepse nacionalizmi dhe shovenizmi përdoren për qëllime politike. Ne mund të mos e kemi problem që të vijnë tifozët e tyre këtu, ne kemi marrë masa të forta sigurie edhe më parë. Por mendoj se do jenë ata që do kërkojnë të mos shkojnë tifozë shqiptarë atje. Kjo do ketë reciprocitet pastaj dhe ne nuk do lejojmë tifozat e tyre që të vijnë këtu. Ata do e testojnë situatën, nëse do ketë tensione, ndoshta është më mirë që të mos lejohen tifozët. Nuk besoj se do tolerojnë që të shkojnë 1 mijë tifozë atje e të valvisin flamurin. Një vend moderne si Serbia të vjen keq që nuk e ndajnë veten nga emocionet negative kur flitet për futboll”, kujtoi Prodani.
Seitllari vijoi duke u shprehur se:
“Edhe unë në linjë me Prodanin jam, nuk mendoj se do ketë tifozë në Serbi dhe e kundërta. Edhe pse do jetë test i fortë për federatat. Por tifozët nuk mund të kontrollohen. Ne kemi 40 për qind shanse në krahasim me Serbinë”.
Prodani dha edhe mendimin e tij për mundësitë e kombëtares dhe si e mendonte përfundimin e eliminatoreve.
“Mund të ndodhi diçka, larg qoftë. Nuk është thjesht ndeshje Serbi-Shqipëri, janë emocionet e Kosovës që janë ende të forta dhe shprehen. Të luajmë mirë. Shpresa nuk duhet humbur asnjëherë. Shpresat janë për fazën play-off, se mund të dalim e vend të katërt, poshtë Andorrës. Por kemi një skuadër që nëse menaxhohet mirë, mund të bëjë gjëra të mirë”.