Një grup vajzash nga Kolumbia, 27, 32 dhe 48 vjeçe, u arrestuan nga Policia e Shkodrës pas dyshimeve për ushtrim prostitucioni në një apartament në lagjen “3 Heronjtë”. Mes të arrestuarve janë edhe 2 të rinj shqiptarë 24 dhe 28 vjeç, për prostitucion. Antitrafiqet nisën hetim në gjendje të lirë edhe për pronaren 27-vjeçare të apartamentit ku kryhej veprimtaria e paligjshme.
Prostitucioni me të huaja brenda vendit ka pësuar një rritje të frikshme vitet e fundit. Vajza nga vende të Amerikës Latine dhe nga Lindja e Largët e kanë kthyer në një fenomen të vazhdueshëm, i cili krijohet kryesisht përmes lidhjeve online me faqet e eskortave që operojnë edhe për Shqipërinë.
Në veçanti, vajzat kolumbiane sillen në Shqipëri me ndihmën e bashkëkombësve të tyre, shpesh duke u mashtruar dhe trafikuar. Rastet e zbulimit nga policia janë të vazhdueshme dhe kjo ka shqetësuar jo pak të dyve vendet. Për këtë, autoritetet kolumbiane dhe shqiptare raportohet se kanë krijuar dy ekipe të përbashkëta hetimore për të hetuar rrjetet ndërkombëtare të trafikimit të qenieve njerëzore për shfrytëzim seksual.
Mediat kolumbiane raportojnë për një vendim të 16 prillit, i cili synon të shpërbëjë strukturat kriminale që veprojnë midis Kolumbisë, Evropës dhe vendeve të tjera, që rekrutojnë gra dhe vajza duke i transportuar për t’i shfrytëzuar në Evropë.
Ekipet do të përqendrohen në identifikimin, ndjekjen penale dhe shpërbërjen e organizatave kriminale të përbëra nga kolumbianë dhe të huaj. Këto rrjete dyshohet se janë të përfshira në rekrutimin e viktimave në Kolumbi, transportimin e tyre në Evropë dhe më pas shfrytëzimin seksualisht në Shqipëri, por edhe vende të tjera të rajonit.
Fusha e zbatimit të marrëveshjeve përfshin gjithashtu identifikimin e flukseve financiare që rrjedhin nga këto aktivitete të paligjshme. Në këtë drejtim, u përcaktuan linja veprimi në lidhje me pastrimin e parave dhe konfiskimin e aseteve, me qëllim ndikimin në asetet e grumbulluara nga këto organizata në Kolumbi dhe jashtë saj.
Në tetor të vitit të kaluar, një ekip i Policisë së Tiranës udhëtoi drejt Kolumbisë për ekzekutimin e disa urdhër arresteve për trafik të qenieve njerëzore. Mes të arrestuarve ishte 25-vjeçari Lucas Betancur, që rekrutonte vajza atje dhe organizonte udhëtimin e tyre në Shqipëri. 25-vjeçari ishte menaxheri kryesor i disa faqeve online të prostitucionit, “Happy Escort” dhe “Euro Girls”, aty ku reklamohen për shërbime seksuale me dhjetëra vajza të kombësive të ndryshme. Në vendin tonë, kolumbiani kishte të paktën 7 bashkëpunëtorë, të cilët ranë në pranga në Shqipëri pas një hetimi 8 mujor të Antitrafiqeve të Tiranës dhe autoriteteve kolumbiane.
Komente











