Espree Devora, amerikania që promovon gratë në teknologji anë e mbanë botës ndalet dhe në Tiranë

Ajo njihet si “vajza që i zgjidh të gjitha”, dhe në fakt ka një eksperiencë të jashtëzakonshme në fushën e teknologjisë së informacionit, saqë tashmë asgjë nuk është e pamundur për të. Espree Devora, ka mbajtur fjalime dhe seminare në kompani gjigande si Disney, CBS, dhe në universitetin  Georgetown. Ajo krijoi kompaninë e saj të parë online kur ishte ende në kolegj dhe pikërisht aty u dashurua me kulturën e start up-eve, sipërmarrjeve të reja në fushën e IT-së. Pas vitesh eksperiencë, ajo krijoi weAreLATech, një qendër që lidh sipërmarrësit, inxhinierët apo menaxherët e kompanive të ndryshme për të rritur komunitetin e teknologjisë në Los Anxheles në SHBA. Veç kësaj, Devora prej gati 2 vjetësh, ka udhëtuar në mbi 40 vende të botës duke intervistuar gra dhe vajza të sukseshme në këtë fushë, për programin e saj në podcast-in “Women in tech”, i cili e solli këto ditë edhe në Tiranë. Në një intervistë për “Rreze Dielli” Devora shpjegon pse është e rëndësishme, që të tregojë eksperiencat e grave të suksesshme nëpër botë dhe pse vetë ajo nuk e pranon varësinë ndaj rrjeteve sociale dhe realitetin e shtirur që ato kanë krijuar.

 

Espree, kjo është hera jote e parë në Tiranë, në Shqipëri apo jo? Si po të duket?

Së pari, nuk e dija që Shqipëria ekzistonte.

Vërtetë? Sa turp.

Jo, e dija që ekziston si vend por nuk ishte fare në listën e vendeve që doja të vizitoja, deri sa mësova nga një program i sipërmarrjeve se është një vend i jashtëzakonshëm dhe më thanë-hajde bëhu pjesë e komunitetit dhe mund të them që jam kaq e befasuar me mikpritjen këtu.

Po vendi të pëlqen? Di që ke udhëtuar gjatë fundjavës.

Po në fakt, natyra këtu është ndër më të mrekullueshmet në botë. Është me të vërtetë një vend i pabesueshëm.

Pra do të ktheheshe këtu?

Oh, patjetër, në fakt do të kthehem direkt. Do të shkoj në Maqedoni për pak ditë dhe do të kthehem sërish.

Shumë mirë. Ti ke një podcast që është mjaft i famshëm në Los Anxheles dhe quhet "Women in tech"(Gratë në teknologji), me të cilin ti interviston gra që punojnë në fusha të ndryshme të teknologjisë, sipërmarrëse, inxhiniere e madje edhe gazetare ku ato tregojnë historinë e tyre. Kush është qëllimi?

Doja që të bëja një program sa më pozitiv, për atë që mund të bëjmë dhe të arrijmë. Shumë biseda janë për kufizimet apo limitet që ekzistojnë. Ndaj doja shumë të sillja shembull që thonë-nëse ajo mund ta arrijë, edhe mundem.

Pse pikërisht gratë dhe jo njerëzit në teknologji?

Më pëlqen kjo pyetje. Sepse sa i përket çështjes së grave në teknologji, ndjej se pjesa më e madhe e diskutimit fokusohet tek polemikat lidhur me këtë çështje sa tek fuqizimi I tyre. Ndaj doja që veçanërisht për gratë të kishte më shumë diskutim për fuqizimin e tyre.

Dakord, ti vjen nga LA, një vend krejt i ndryshëm me një mjedis gjithashtu të ndryshëm jo vetëm sa i përket grave në teknologji por edhe lidhur me të drejtat e grave e barazinë gjinore. Të duket se edhe atje, pra në LA, gratë ende duhet të luftojnë, sepse këtu patjetër që po.

Unë nuk e shoh si një luftë. Por unë mendoj se në rang global, ne si gra duhet të kemi më shumë shembuj për atë që mund të arrijmë dhe se si të jemi më të forta. Ka diçka që nuk shkon duke nisur që nga revistat e deri tek lodrat që na dhurojnë kur jemi fëmijë. E ke parasysh-nëse je djalë të dhurojnë një kamion dhe nëse je vajzë të dhurojnë një pasqyrë. Pra këto janë shembuj që na rrisin me idenë se vajzat duhet të mendojnë për bukurinë ndërsa djemtë duhet të angazhohen me teknologji. Ndaj unë doja që të kontribuoja me një diskutim më pozitiv me idenë thelbësore që pavarësisht gjinisë mund të ndjekësh rrugën e teknologjisë. Gjithashtu shpresoj që programi im të mos jetë frymëzues thjesht për gratë por për të dyja gjinitë, burrat e gratë që të mund të krijojnë një atmosferë bashkëpunuese. Pra, titullohet “Gratë ne teknologji” sepse ndjeva që gratë kishin nevojë për më shumë përmbajtje që I fuqizon ato, sepse unë jam për gjithëpërfshirje dhe bashkëpunim dhe nuk besoj në ndarjen e gjinive.

Sa gra ke intervistuar deri më tani?

Kam intervistuar qindra gra, ka qënë vërtet e pabesueshme, në mbi 40 vende të botës. Është interesante të shohësh se çfarë kanë të përbashkët.

Çfarë kanë të përbashkët në fakt, sepse do të pyesja pikërisht për këtë?

Ajo që ka më bërë shumë përshtypje, është që këto gra kanë të përbashkët faktin se ato ndjejnë se nuk janë të vetëmjaftueshme.

Çfarë do të thotë kjo?

Shpesh kur shkoj për intervista për programin tim, ato më thonë, a je e sigurt që unë jam e mirë për këtë gjë? Dhe unë u them, padyshim që po, përndryshe nuk do tua kërkoja. Dhe nuk ka rëndësi nëse është dikush që sapo e ka filluar karrierën apo një grua që është e përmbushur, gjithmonë kanë këtë ndjesi. Pra një lloj pasigurie. Por unë e kuptoj këtë. Kam një mentor në Shtet e Bashkuara të Amerikës i cili është një nga biznesmenët më të fuqishëm dhe më të suksesshëm. Shpesh ndjej se çdo gjë që unë di, është kaq e lehtë dhe nuk ka shumë rëndësi. Dhe ai më kujton me të drejtë: Është e lehtë sepse ti je eksperte. Dhe unë mendoj që ne nuk e kuptojmë këtë sepse kur jemi kaq të aftë në diçka, nuk na duket sfiduese dhe as shumë me vlerë, por ajo merr vlerë për këdo tjetër që nuk është ekspert.

Dhe çfarë tregon kjo për ty, apo pse mendon që është e rëndësishme?

Besoj se është e rëndësishme për të dhënë mesazhin: Nëse ajo mund ta bëjë, edhe unë mundem. Për sa kohë do të shohim shembuj të asaj që mund të arrihet, atëherë do të guxojmë dhe të themi, ah edhe unë mund ta bëj.

Dhe besoj që kjo tregon se edhe këto gra kanë pasiguritë e tyre, pra janë njerëz si ne, apo jo?

Po, pikërisht, njerëz si ne. Shpesh kur dal në skenë, njerëzit më thonë, ua si është e mundur që ke kaq shumë vetëbesim dhe nuk ke frikë? Por në të vërtetë unë kam shumë frikë. Kam folur në publik me qindra herë në jetën time dhe kam patur frikë në secilin rast, por ama e kam bërë dhe jam krenare për çdo mesazh që kam dhënë dhe mendoj që mbaj fjalime të jashtëzakonshme. Por kjo nuk do të thotë që nuk kam frikë dhe që nuk e pyes veten sa herë që duhet të dal përpara njerëzve.

Po këtu në Shqipëri, ke intervistuar ndonjë grua interesante?

Po në fakt, jam shumë mirënjohëse që Programi i Sipërmarrësve i Sëiss më krijoi mundësinë të takohesha me gra vërtet të zonja në komunitetin e biznesit të teknologjisë. Intervistova Blerinën e cila ka platformën "ActiveAlbania" dhe Kiki nga Kikilicious. Ishte vërtetë befasuese për mua se sa të motivuara janë dhe të apasionuara që të përmirësojnë jo vetëm veten e tyre por edhe ekonominë shqiptare. Pra ato punojnë jo thjesht për të arritur diçka për veten por sepse besojnë tek vendi i tyre dhe sepse besojnë që mund të krijojnë vende pune për komunitetin përreth. Më pëlqen shumë pasioni me të cilin ato përpiqen e luftojnë. Blerina përshembull realizoi një fushatë të tërë në rrjetet sociale vetëm për të shpëtuar një copëz natyre këtu në Shqipëri dhe ajo përdori teknologjinë për këtë gjë. Kiki nga ana tjetër ka krijuar një ëebsite dhe ka një prej fushatave sociale më të bukura që kam parë ndonjëherë. Zakonisht mendon që marketingu i fuqishëm ndodh në SHBA, dhe u surprizova që pashë aftësi të tilla në fushën e marketingut edhe në Shqipëri.

Fantastike, më vjen mirë që e dëgjoj këtë gjë. Ti vetë merresh me teknologjinë, interviston gra të suksesshme po në këtë fushë, por ama duket se nuk i shumë për zemër rrjetet sociale, sepse kam parë që nuk je shumë aktive në Instagram dhe Facebook. Dhe kjo të bën vërtetë përshtypje sepse këtu, veçanërisht të rinjtë janë shumë të dhënë pas rrjeteve sociale.

Do të thosha që kam një marrëdhënie dashurie e urrejtje me teknologjinë dhe rrjetet sociale, më pëlqen që ti përdor në mënyrë që të shpreh veten time në mënyrë krijuese por nuk më pëlqen kur teknologjia më rrëmben nga momenti. Dikur i kam dashur dhe i përdorja shumë rrjetet sociale por zbulova se sa më shumë bëheshin popullore, aq më shumë realiteti fals i tyre i ndante njerëzit, në vend që ti bashkojë. Pra fillimisht rrjetet sociale kishin si qëllim krijimin e marrëdhënieve. Ndërsa sot, veçanërisht me lëvizjen në Instagram njerëzit përpiqen të tregojnë një jetë jo të vërtetë. Natyrisht këtë nuk e bëjnë të gjithë, por shumë njerëz pretendojnë sikur çdo gjë është e mrekullueshme dhe të tjerët që i shikojnë, mendojnë se jetët e tyre nuk janë të bukura mjaftueshëm dhe për pasojë njerëzit sot nuk dinë si të socializohen më. Pra rrjetet sociale po krijojnë një lloj shkëputje për për njerëzit, ndërsa mua më pëlqen të përdor teknologjinë për të rritur ndërveprimin dhe lidhjen mes njerëzve. Pra e gjithë puna ime ka të bëjë me zhvendosjen e lidhjeve dixhitale drejt marrëdhënieve kuptimplota në jetën reale. Pra ata lidhen përmes podcastit apo ëebsajtit por që pastaj i telefonojnë njëri tjetrit dhe takohen për një bisedë apo edhe për tu stërvitur bashkë. Pra nuk më pëlqen-ajo ideja-shih sa e mrekullueshme jam unë. Unë nuk besoj fare në këtë. Nuk më pëlqen realiteti i shtirur. Pra mendoj që po humbasin lidhjet kuptimplotë mes njerëzve dhe kjo si pasojë e mënyrës se si veprojnë kompanitë e mëdha si Facebook, Tinder apo të tjera për të na bërë ne të varur pas tyre, dhe kështu nuk jetojmë më por thjesht shtypim pafund në telefonin tonë-refresh.

E kuptoj, por kjo e thënë nga një grua që merret me teknologjinë e informacionit, është vërtetë e frikshme. Gjëja e fundit që doja të të kërkoja. Në këtë vend ka probleme lidhur me dhunën me bazë gjinore, dhe shumë vajza që mund ta kenë pasion të merren me teknologjinë e informacionit mundet që tu thuhet-ky nuk është profesion për ty. Kështuqë do më pëlqente që ti ti jepje një mesazh këtyre vajzave.

Hapi i parë drejt suksesit, qofsh burrë apo grua, apo kushdo është se duhet ti thoni vetes -you are enough. Sepse nëse nuk beson që mund tja dalësh mbanë, nuk do tja dalësh. Pra duhet të besoni në veten tuaj në mënyrë që bëni të mundur. Nuk është e vështirë të mësosh si ta bësh, por të besosh që mund ta bësh dhe çdo gjë tjetër do të zgjidhet vetvetiu. Ndonjëherë nuk realizohet aq shpejt sa ç'mund të doni, por do arrihet.

Espree, faleminderit që ishe në "Rreze Dielli".

Faleminderit shumë për këtë mundësi, kushdo që ka dëshirë të lidhet me mua, mund ta bëjë përmes faqes time në tëitter sepse unë e bëj këtë punë sepse dua që të jem pjesë e suksesit të këtyre grave dhe që ato ta dijnë se nuk janë të vetme në rrugëtimin e tyre.

Producentja/moderatorja Espree Devora në një intervistë me gazetaren Erjona Rusi
 

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Cilat janë pengesat për arritjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Hezbollahut?

Cilat janë pengesat për arritjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Hezbollahut?