Esse/ Xhevat Lloshi: 20 vjet
manipulim politik me gjuhën

Esse/ Xhevat Lloshi: 20 vjet<br />manipulim politik me gjuhën
TIRANE- Përmbysja e regjimit monist në Shqipëri më 1991 u shoqërua me fitimin menjëherë në praktikë të lirisë së lëvizjes dhe të lirisë së fjalës. U deshën disa vite që këto të merrnin formën ligjore dhe të mishëroheshin në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë më 1998. Aty pika 1 e Nenit 22 formulohet kështu: “Liria e shprehjes është e garantuar.” Ndërsa në Deklaratën universale të të drejtave të njeriut sipas përkthimit shqip të po atij viti, Neni 19 tingëllon kështu: “Çdo njeri ka të drejtën e lirisë së opinionit dhe të shprehjes, gjë që nënkupton të drejtën për të mos u prekur për shkak të opinioneve të tij, si dhe të drejtën për të kërkuar, për të marrë dhe për të përhapur, pavarësisht nga kufijtë, informatat dhe idetë me çfarëdo mjeti të mundshëm të shprehjes.”

Nuk kam pasur mundësinë të gjej formulimet përkatëse, që janë në dokumentet e miratuara nga Kuvendi i Kosovës (këtë mangësi duhet ta plotësoj sa më parë), por menjëherë shihet se paraqitja gjuhësore është ndryshe nga togfjalëshi aq i përdorur liria e fjalës. Anglisht togu është freedom of speech, domethënë liria e të folurit; gjermanisht është Redefreiheit, frëngjisht liberté d’expression. Kjo do të thotë se dokumentet tona zyrtare shkojnë me anglishten e frëngjishten, ndërsa “liria e fjalës’ shkon me italishten dhe rusishten. Por edhe në dokumentet italiane libertá di parola interpretohet si e drejta për të folur e për të shkruar, për të shprehur opinionet e tua. Gjithashtu në një fjalor të fundit shpjegues të rusishtes së sotme të vitit 2001, botuar nga Akademia e Shkencave, svoboda sllova  përshkruhet si “E drejta e qytetarëve për të pasur dhe për të shprehur pikëpamjet e veta për të gjitha problemet që u interesojnë.” Nga vëzhgimet e bëra, më del se togfjalëshi ynë nuk është kuptuar drejt; fjala është marrë me kuptimin e drejtpërdrejtë si njësi gjuhësore, si leksemë, domethënë si e drejta për të thënë çfarë fjalësh të duash, dhe si rrjedhim i këtij koncepti, për të thënë çfarë të duash edhe kundër gjuhës në përgjithësi.

Para së gjithash, dua ta përcaktoj qartë, se liria e fjalës ose e shprehjes nuk është nocion gjuhësor, por koncept dhe e drejtë politike.
Njëkohësisht, duke qenë në këtë sferë, u nënshtrohet kufizimeve, si: shprehja të mos nxisë urrejtjen raciale, fetare, kombëtare, të mos shtyjë për veprime antiligjore. Neni 19 i Deklaratës Universale shton se kjo e drejtë bart edhe detyrime e përgjegjësi e prej këndej rrjedhin kufizimet. Për shembull, në SHBA dhe në Kanada ka përcaktime të qarta që ndalojnë fjalët e turpshme, lënduese, pornografike drejtuar fëmijëve, kërcënuese, provokuese për dhunë, mashtruese për qëllime përfitimi, zbuluese të informacioneve të  njohura zyrtarisht si sekrete, pa përmendur çështjet e tjera penake dhe të lidhura me lirinë e shtypit.

Për fat të keq, gjatë këtyre njëzet vjetëve të fundit ky ngatërrim shpesh i qëllimshëm, i përmbajtjes së të drejtës me formën konkrete gjuhësore, është shfaqur në shumë drejtime. Nuk do të sjell shembuj konkretë, sepse të gjithë i njohin dhe i kanë provuar. Prandaj do të vazhdoj me disa pika përgjithësuese.
Ana e parë që na intereson neve si gjuhëtarë është interpretimi sikur gjithkush paska të drejtën të godasë normën gjuhësore, ta shkatërrojë standardin e gjuhës, të shkelë gjithë arrritjet e kulturës së gjuhës nën etiketën e demokracisë dhe të të drejtave të njeriut. Në këtë rrugë, diskutimi normal për rrugët e lëvrimit dhe të përsosjes së mëtejshme të shqipes në komunikimin shoqëror, publik e shtetëror është shndërruar në një diskutim politik, me prapavijë krahinore e ndonjëherë haptas përçarëse.

Më duket se është koha t’ia presim rrugën këtij manipulimi politik me gjuhësinë nën etiketën e lirisë së fjalës. Këtu është e nevojshme që edhe njerëzve të zakonshëm t’ua shpjegojnë se ka një nocion, që quhet shtrëngesa gjuhësore (anglisht linguistic coercion), i cili siguron komunikimin në të gjitha gjuhët e botës dhe liria e fjalës nuk do të thotë të bësh çfarë të duash me gjuhën, sepse kështu do të cenohej një nga anët thelbësore të shoqërisë, gjëja e parë që e bën njeriun qenie shoqërore dhe kombin bashkësi të qëndrueshme përgjatë historisë.
 
 
Për ta kaluar në fushën gjuhësore zgjidhjen e kundërshtisë që shfaqet ndërmjet lirisë konkrete në përdorimin e fjalëve dhe shtrëngesës gjuhësore përgjithësisht e të normës letrare në veçanti, unë kam përpunuar parimin që secili mund të përdorë cilën fjalë që të dojë, por ta dijë se çfarë përdor. Liria e fjalës nuk do të thotë liri e paditurisë në komunikimin publik.
Ne kemi qenë dëshmitarë të fjalëve të ulëta e fyese në organet më të larta të veprimtarisë politike e shtetërore. Ky ka qenë një model zvetënimi kulturor, i cili i ka përhapur këto papastërti në gjithë vendin, duke rënë edhe në veshët e fëmijëve, e pastaj politikanët flasin për edukimin e brezit të ri. Ndërkaq, është shfaqur edhe një përpjekje për ta përligjur këtë në rrugën kinse shkencore të psikiatrisë, duke u paraqitur edhe nëpër televizione.

Disa njerëz, që janë njohur me vonesë me teoritë frojdiste, nuk e kanë marrë vesh se ka kaluar një shekull dhe teoritë kanë përparuar. Dihet që S. Frojdi e quante se duke i nxjerrë në nivelin e vetëdijes komplekset e ngjizura që në fëmijëri, njeriu lehtësohet prej tyre, ndërsa disa të sëmurë përmirësohen. Një pedagog i njohur te ne u nis nga kjo dhe e quajti se një politikan kishte të drejtë që ‘shkarkohej’ me ligjëratën e pahijshme dhe kjo ishte diçka e mirë, ndërsa i mbetej radha kundërshtarit të bënte të njëjtën gjë. Ky interpretim frojdian për të përligjur të folurit me kulturë të ulët, sot nuk qëndron më. Në qendër të problemeve me çrregullimet e ndryshme psikiatrike sot shkenca ka vënë marrëdhëniet ndërpersonale.

Kur njëri shkarkohet mbi dikë tjetër, nuk mund të harrohet se ngarkohet ai tjetri dhe kështu nis një spirale degradimi të ligjërimit, e cila në praktikën shqiptare përfundon nganjëherë me grykën e kallashnikovit. Nuk ka Frojd që ta parandalojë këtë dhe fatkeqësisht lajmet e gazetat na sjellin ngjarje të rënda ‘për një fjalë goje’. Shkelja e kulturës ligjërimore sjell pasoja shoqërore nganjëherë edhe të rënda.

Përkundrazi, ngritja e nivelit të kulturës ligjërimore e shtendos komunikimin; folësi që përpiqet t’i përmbahet normës letrare e ngre edhe mirësjelljen. Ndërthuret këtu edhe problematika e tabuve dhe eufemizmave. Ka një ndryshim thelbësor ndërmjet tyre. Ndërsa tabutë përbëjnë një shtrëngesë plotësuese, të ardhur nga jashtë mbi gjuhën, eufemizmat përbëjnë një zgjidhje nga brenda gjuhës për të shmangur ligjërimin e pakulturuar. Tabutë bien me evoluimin shoqëror, ndërsa eufemizmat kthehen gjithnjë e më shumë në një përpjekje për shprehje më të hollë. Është i njohur “të folurit me rrotulla”, i cili në thelbin e vet është përpjekje për ta shmangur shprehjen e vrazhdë, madje duke u përshkuar edhe nga humori. Të folurit e figurshëm në mjedise bashkësish është përftuar për të shmangur konfliktet me burim nga natyra e pakontrolluar e ligjërimit dhe i ka sjellë pasurim shqipes.  

Si gjuhëtarë, sigurisht që ne nuk jemi në kundërshtim me njohjen e fjalorit erotik ose të mjeteve fyese e të pakulturuara. Por kjo brenda interesave njohëse të gjuhësisë, jo për të bërë ekzibicionizëm me goditjen e cipës publike. Është e vërtetë që edhe në fushën e artit, sidomos në letërsi, ka pasur në vendet e tjera një rrymë ekzibicioniste për të shkruar me fjalët e turpshme. Kjo ishte një modë kalimtare, e cila nuk di të ketë lënë gjëkundi vlera artistike. Përkundrazi, është vënë re edhe nga kompanitë më të mëdha kinematografike, se ligjërimi pornografik dhe vetë pornografia në ekran nuk është më tërheqëse. Do të ketë shtresa të kufizuara të popullsisë, që do të parapëlqejnë gjuhën e shthurur, por ky nuk mund të jetë argument që kundërkultura të zëvendësojë kulturën.   
 
 
 
Liria e fjalës nuk është liri e paditurisë në komunikimin publik
Ngritja e kulturës ligjërimore nuk mund të arrihet me thirrje iluministe nga ana e gjuhëtarëve. Për këtë nevojiten veprime të shumanshme dhe në disa drejtime. Në radhë të parë, të ngrihet prestigji i gjuhës standarde. Mjaft më me sulme të nivelit katundar primitiv kundër normës së sotme për ta zëvendësuar me diçka, që as vetë këta agresorë gjuhësorë nuk e dinë mirë se çfarë do të ishte. Mjaft më me këta terroristë gjuhësorë, që sulmojnë deri figurat e shquara të shkencës sonë, si profesorët Eqrem Çabej dhe Idriz Ajeti. Ndërsa nga ana pozitive, gjuhëtarët nuk kanë përse të heshtin, por duhet të përshëndesin ngjarje të tilla, si arritja te një abetare e përbashkët për shqiptarët e arealit të tyre në Ballkan dhe për vendosjen e redaktorëve, që të përmirësohet gjuha e dokumenteve shtetërore. Gjuhëtarët të ngrenë lart arritjet artistike të shqipes nga pena e shkrimtarëve të shquar, si Ismail Kadareja dhe Rexhep Qosja e të tjerë pikërisht të periudhës së ngulitjes të gjuhës standarde.

Me peshë të madhe janë përpjekjet për ngritjen e përgjithshme kulturore të njerëzve. Është e pafalshme që sot, kur me mjetet elektronike njeriu ka mundësi të gjejë çfarëdo informacioni, përkundrazi, ndeshemi me raste paditurie të thellë kulturore. Nuk mund t’u falet mjeteve të komunikimit masiv, që nuk dinë të dallojnë Prusinë nga Rusia, që nuk dinë si quhet Haga, nuk dinë se San Giovani di Medua është Shëngjini ynë, se Bari i sllavëve është Tivari ynë e kështu me radhë. Kur ndeshim shkërbadra të tilla në shtyp dhe në ekran, çfarë peshe ka të merremi me një gabim drejtshkrimor ose të një trajte morfologjike.

Pikërisht për gjuhëtarët ka ardhur koha që të rishfaqen në masmediat jo me faqe të tëra këshillash mjekësore, me aq shumë gjëra sa as vetë nuk i mbajnë mend, por me vërejtje të pandërprera dhe me adresa konkrete për të gjitha të metat e pafalshme, jo për gabimet e zakonshme të pashmangshme ose për shkak se çështjet kanë nevojë të rrihen njëherë e pastaj të ngrihen në kërkesa të duhura. Dhe kjo të jetë një punë e përditshme, shpesh me majën e satirës, derisa gazetarët e pavëmendshëm ose të pakulturuar, përkthyesit e papjekur e përtacë, folësit e folëset llafazane të televizioneve të bëhen qesharakë e ta kuptojnë se nuk mund ta shpërfillin traditën e gjatë kulturore të një populli për shkak të paditurisë së tyre.

Nuk do ta shtjelloj  kërkesën madhore për kulturën e gjuhës në shkollë. Besoj se kjo është e mira të trajtohet në sesione të veçanta shkencore jo me parulla iluministe të zbrazëta, por me studime të gjera, që nga tekstet shkollore e deri te niveli i mësuesve, për të arritur në propozime konkrete, që organet arsimore të mos pranojnë më në rolin e mësuesit njerëz pa kulturën gjuhësore. Do ta quaja të nevojshme të ndërmerrnim një fushatë, që të pranohet nga organet shtetërore përfshirja e kulturës gjuhësore të paktën për një semestër të vitit të parë në të gjitha fakultetet dhe në të gjitha degët e studimeve të shkollës së lartë
 
Nga kultura e gjuhës te kultura e komunikimit
Për të mos u zgjatur, po përmend edhe fushën e kulturës së komunikimit. Nuk duhet ta fshehim, se te ne kryhen edhe krime të rënda “për një fjalë goje”. Sociologët dhe gjuhëtarët e kanë për detyrë të ndërgjegjësojnë drejtuesit shtetërorë të policisë, që ta kuptojnë këtë aspekt dhe ta nisin nga gjuha e tyre e komunikimit me qytetarët. Ndërsa salla e ligjvënësve të mos bëhet përçuese me televizion e një vulgariteti ligjërimor në nivelin e rrugaçëve. Nga vëzhgimet në fushën e pragmatikës është vënë re se mënyra e komunikimit të punonjësve të administratës shtetërore me qytetarët përmban një rrezik të madh: ligjërata e përdorur nga zyrtarët shndërrohet në shtypje gjuhësore, shkel drejtpërdrejt demokracinë dhe përmban jehonat e diktaturës. Nënshtrimi gjuhësor jo vetëm pengon zgjidhjen e problemeve që ka qytetari, por edhe ia dobëson vullnetin për përparim dhe vetëdijen qytetare, aq sa gjithçka përfundon në shprehjen: “S’kemi ç’të bëjmë!” Në Shqipëri një formë e hapur e shtypjes gjuhësore është gjuha e bodigardëve dhe e shoferëve të njerëzve me pushtet.

Shqiptarët e kanë pasur fisnikërinë e komunikimit dhe le ta rikthejmë atë, duke i përbuzur gojështhururit; shqiptarët e kanë kultivuar shprehjen e bukur ligjërimore si mjeshtëri të kuvendit dhe si mençuri të burrit; shqiptarët e kanë ruajtur pastërtinë e të folurit me gratë e vajzat dhe le të mos i tolerojnë sot femrat që flasin në publik me fjalët më të këqija të meshkujve lapërdharë; shqiptarët e kanë ruajtur krenarinë vetjake dhe të mos nënshtrohen nga manipulimi gjuhësor.
Gjuhëtarët e kanë për detyrë ta ngjallin vetëdijen për këto aspekte gjuhësore, duke filluar që nga përfshirja e tyre në përmbajtjen e punës arsimore, dhe të përçojnë përdorimin ligjërimor emancipues, i cili nis me ngulitjen e epërsisë së normës letrare, me përvetësimin e shqipes standarde.


Shkrimi u publikua sot (24.10.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

(Ne foto: Xhevat Lloshi)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Report Tv, Namir Lapardhaja: PS ka rritje, prej 'luftës civile' në PD! Partitë e reja të gjejnë forcë të bashkohen rreth euro-atlantizmit

Sondazhi i Report Tv, Namir Lapardhaja: PS ka rritje, prej 'luftës civile' në PD! Partitë e reja të gjejnë forcë të bashkohen rreth euro-atlantizmit