Mbështetja e fortë e Estonisë për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe për perspektivën europiane të Ballkanit Perëndimor u rikonfirmua gjatë vizitës zyrtare që Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, zhvilloi në Talin, ku u prit nga Presidenti i Estonisë, Alar Karis, dhe Presidenti i Parlamentit estonez, Lauri Hussar.

Në takimet e zhvilluara, palët diskutuan për procesin e integrimit europian të Shqipërisë, bashkëpunimin dypalësh, sigurinë europiane, NATO-n, mbështetjen për Ukrainën, si dhe mundësitë për zgjerimin e bashkëpunimit në fushën e transformimit digjital dhe sigurisë kibernetike.

Gjatë takimit me Presidentin Alar Karis, Peleshi vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të Estonisë për rrugën europiane të Shqipërisë dhe theksoi progresin e vendit në procesin e negociatave me Bashkimin Europian.

Ai nënvizoi se Shqipëria është vendi kandidat me ritmin më të shpejtë të avancimit sipas metodologjisë së re të zgjerimit, duke hapur të gjithë grup-kapitujt e negociatave brenda 13 muajsh, ndërsa përsëriti objektivin për mbylljen e kapitujve më pak kompleksë gjatë vitit 2026, përfundimin e negociatave në vitin 2027 dhe anëtarësimin e plotë në Bashkimin Europian deri në vitin 2030.

Nga ana e tij, Presidenti Karis rikonfirmoi mbështetjen e Estonisë për Shqipërinë dhe vendet e Ballkanit Perëndimor, duke e cilësuar zgjerimin e Bashkimit Europian si një investim strategjik për stabilitetin dhe sigurinë afatgjatë të kontinentit.

Një pjesë e rëndësishme e diskutimeve iu kushtua edhe transformimit digjital dhe mbrojtjes kibernetike. Peleshi vlerësoi modelin estonez si një nga shembujt më të suksesshëm në Europë për qeverisjen dhe shërbimet publike digjitale, duke shprehur interesin për forcimin e bashkëpunimit në këto fusha.

Kryetari i Kuvendit zhvilloi një takim edhe me homologun e tij estonez, Lauri Hussar, me të cilin diskutoi për forcimin e bashkëpunimit ndërparlamentar, shkëmbimin e përvojave mes komisioneve parlamentare dhe rolin e diplomacisë parlamentare në afrimin e mëtejshëm të dy vendeve.

Hussar vlerësoi progresin e Shqipërisë në procesin e integrimit europian dhe ritheksoi mbështetjen e Estonisë për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, duke nënvizuar se integrimi i Ballkanit Perëndimor mbetet një prioritet strategjik për Europën në kushtet e sfidave aktuale gjeopolitike.

Në të dy takimet u diskutua gjithashtu për situatën e sigurisë në Europë, luftën në Ukrainë dhe rolin e NATO-s. Peleshi informoi bashkëbiseduesit se Shqipëria do të bashkëorganizojë gjatë muajit qershor, së bashku me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Ukrainës, Takimin Ministror në formatin “Ukraina – Europa Juglindore”, si pjesë e angazhimit për mbështetjen e Ukrainës dhe forcimin e sigurisë europiane.