Duke ndjekur zhvillimin e ngjarjeve aktuale për përballimin e pasojave të përmbytjeve në disa qarqe jugore, si edhe duke kujtuar ndërkohë çfarë ngjau 5 vite më parë në Ultësirën veri - perëndimore të vendit tonë, rasti mund të të sjellë që të shfletosh librin e Alexis de Tocqueville (Aleksi dë Tokëvilë) titulluar ‘Demokracia në Amerikë’, botuar më 1840.

Ndër të tjera, te fashikujt e tij mund të përqendrohesh edhe te rreshtat e një letre që autori i dërgonte më 22 prill 1832 bashkëudhëtarit të tij nëpër kontinentin e ri. Ja çfarë shkruhej, midis të tjerash, në atë letër: “Nuk mund t’ju shpreh, i dashur mik, se çfarë neverie provoj kur shoh që njerëzit politikë në kohët tona, duke ndjekur interesa të çastit tregtojnë gjëra kaq të shtrenjta e serioze, siç janë në sytë e mi parimet”.

     Pa pritur “të zhytesh” mirë e mirë në thellësitë e mendimit që të ofrohen nga leximi i atij libri, vetvetiu shtyhesh të bësh ndonjë paralelizëm me kohën dhe vendin ku jetojmë. Sidoqë ky paralelizëm mund të duket si diçka e tejkaluar, thelbi po ai është: vlera themelore e një shoqërie qëndron në rifitimin apo pasurimin e parimeve dhe jo në braktisjen e tyre.

Në këtë kuptim, kujtdo i lind e drejta që të kërkojë nga politika, nga njerëzit që e ushtrojnë aktivisht atë një etikë, që i referohet vetëm ndjekjes së interesit të përgjithshëm dhe jo përfitimeve personale apo grupore, të cilat cenojnë rregullat e bashkëjetesës së qetë njerëzore. Prandaj, kudo është pjekur tashmë mendimi, sipas të cilit, të papranueshme janë teori dhe praktika të ashtuquajtura ‘Etikë interesi’, ‘Politikë utilitare’, të cilat në fakt nuk janë gjë tjetër veçse mohim i etikës qytetare në përgjithësi, kur duhet të jetë e kundërta.

     Konkretisht, si po i shoqëron politika e ditës në Shqipëri edhe përpjekjet për kapërcimin e efekteve të dëmshme të përmbytjeve masive? Në njërën anë, organe qeverisëse me tërë kapacitetet infrastrukturore që disponojnë, shtabet e emrgjencave, ushtarakë dhe individë vullnetarë apo biznesmenë me ndihma ushqimore, veshje, hasëlle për bagëtinë e të tjera drejt familjeve me prona të përmbytura; në anën tjetër, liderët e partisë kryesore opozitare, bashkë me mbështetësit gjithnjë e më të paktë të saj prej rënies spektakolare nga pushteti dhe divergjencave brenda rradhëve të forcës së tyre politike, të cilët më të shumtën e kohës e kalojnë duke ulëritur dhe mallkuar ndaj qeverisjes aktuale, që i paska lënë banorët e komunave të Vlorës dhe Fierit në gjendje të mjeruar, sepse nuk dashka të shpallë zyrtarisht gjendjen e emergjencës, sepse nuk paskërka ndërmend t’i dëmshpërblejë ata fatkeqë.

Në njërën anë, Kryeministri me çizmet në ujin mbi tokat e komunës së Novoselës monitoron reflektimin shtetëror ndaj kësaj katastrofe natyrore dhe udhëzon të mos lejohen abuzimet, që çdo familje të marrë atë që i takon; në anën tjetër, Kryetari de jure i opozitës lëshon piskamat prej zyrës së tij në Tiranë që të mos u besohet premtimeve ministeriale.

Në njërën anë, pushtetarët aktualë po marrin të gjitha masat, që pas përfundimit të fazës së emergjencës të llogariten dhe të shpërblehen për çdo familje të përmbytur të gjitha dëmet e pësuara, madje edhe ato të pesë viteve të shkuara që qeverisja e mëparshme kurrë nuk i akordoi; nga ana tjetër, i dështuari fund e krye, Sali Berisha vazhdon me shpifjet e veta të stisura, duke dashur të nomatisë opinionin, veç të tjerash, se Kryebashkiaku Gjika i Vlorës paska përfunduar pas hekurave me urdhër të Kryeministrit Rama, de me de për t’u shpërqendruar vëmendja e njerëzve nga menaxhimi problematik i situatave të përmbytjeve.

     Këtij sfondi kundërshtish, madje edhe antagonizmash të pajustifikueshme i përket edhe incidenti i së dielës nëpër zonat e përmbytyra, pasi nga oborri i ShQUP - it u nisën, bashkë me 5 kamionë ndihmash të mbledhura prej strukturave partiake të Partisë Demokratike, edhe një grup i Forumit Rinor të saj, që nga halli i konkurrencës apo nga malli i ballafaqimeve të dhunshme penguan makinat e zyrtarëve të lartë për të shkuar të shqyrtonin dhe zgjidhnin kërkesat e tri vajzave të mitura dhe të disa barinjve.

Megjithatë, nuk ia vlen që në këto rradhë të ndalesh në shqyrtimin e këtij incidentit apo në urdhërat që e shkaktuan atë. Sigurisht, mbase më e vlefshme është të kujtohet që njeriu është një qenie jo vetëm shoqërore, por edhe etike. Sepse, natyra e ka pajisur me ndërgjegjegje, çka e bën të vlerësojë dimensionin etik të zgjedhjeve apo veprimeve të veta. Veçse, që të mund t’i bëjë këto zgjedhje, njeriu vërtet duhet të jetë i lirë. Dhe, mënyra e përdorimit të kësaj lirie është edhe objekti kryesor i etikës si shkencë dhe si sjellje.

Por liria e kujtdo qoftë kurrësesi nuk nënkupton që ai të vendosë arbitrarisht rregullat e sjelljes ndaj të tjerëve, përveçse të bashkëbisedojë dhe të bashkëveprojë me ‘ta për të arritur marrëveshje mbi aspekte të ndryshme të jetës së përbashkët dhe dukur të reja të kësaj jete. Aq më tepër, kur është fjala për fatkeqësi natyrore, të cilave në çdo shoqëri të kohës së sotme kërkohet natyrshëm solidaritet shoqëror, që përbën një vlerë të vyer, e cila renditet si një nga vlerat bazë zakonore dhe e shkruar e kontinentit tonë, veçanërisht e Shteteve Anëtare të Bashkimit Evropiane dhe e atyre që aspirojnë anëtarësimin në ‘të.    

     Ndërkohë, natyra e ka pajisur njeriun edhe me arsye, çka e udhëheq atë për të zgjedhur rregullat më të përshtatshme për t’u zbatuar. Në vështrim të parë, thonë studiuesit, kjo mund të duket si kufizim i lirisë. Por, arsyeja të bind tek e fundit, se çdo kufizim apo obligim është i domosdoshëm për një bashkëjetesë më të frytshme. Prandaj, qëllimi edhe i legjislacionit pozitiv, pra i të gjitha ligjeve në fuqi, më tepër është të garantojë të drejtat e individëve dhe shumicës së tyre, se sa t’i kufizojë ato për hir të një pakice. Njëherësh, këto ligje ndikojnë në formimin e asaj që sot quhet ‘etikë qytetare’. Sepse kjo, ashtu si edhe gjuha, nuk mund të krijohet pa ballafaqimin e pikëpamjeve dhe jo sherreve, për të gjetur ato më të përshtatshmet.

Në këtë ballafaqim që u nënshtrohet kanaleve më të rrjedhshme të zhvillimeve, shoqëritë u kanë dhënë vendin edhe zgjedhjeve periodike për qeverisjet e tyre. Dhe, duke qenë se bëhet fjalë për përcaktimin e barazisë së votës dhe të disa tipareve të tjera të saj, nuk mund të pranohen kushte paraprake apo imponime, nëpërmjet dhunës, sharjeve, shpifjeve, mashtrimeve. Pikërisht, këto shfaqje të shëmtuara dhe të përbuzëshme nga shumica janë ato që po përdoren nga opozita edhe gjatë përpjekjeve për kapërcimin e pasojave të një fatkeqësie natyrore të jashtëzakonshme, si një shans për përmbushjen e interesave vetjake dhe politike të tyre.

Mirëpo, ndonëse liderët e Partisë Demokratike bashkë me kandidatët e mundshëm të tyre për qeverisjen vendore po cfiliten  “të lajnë duart” në basenet dhe pellgjet e mbetura të këtyre ditëve, përsëri e përsëri synimet e tyre nuk mund të mos duken sheshit, nën diell apo nën shi, që janë gjithnjë e më të njollosura. Përfundimi i votimeve të pritshme nuk ka nevojë për shpjegime të hollësishme, përveç përmendjes në fund të këtyre rradhëve të një ripohimi jo të rastësishëm: më e vështirë qenka të fshehësh injorancën, se sa të shfaqësh mençurinë.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 10 shkurt 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)