Etleva Nallbani,ndalimi i shtyllave,
thesaret që i shpëtuam Komanit

Etleva Nallbani,ndalimi i shtyllave,<br />thesaret që i shpëtuam Komanit<br>
Dhjetëra objekte të rralla të zbuluara nga misionet e përbashkëta arkeologjike franko-shqiptare janë ekspozuar në Muzeun Historik Kombëtar. E kuruar nga arkeologia Etleva Nallbani, ekspozita ofron objekte që i përkasin periudhës nga prehistoria, edhe mbi 4 000-vjeccare, deri në Mesjetë, të zbuluara në Lezhë në periudhën e Nekropolit, si qypa prej terracote, stoli të jashtëzakonshme të grave, si dhe enë të rralla qelqi rreth dymijëvjeccare. Një pjesë të këtyre objekteve i posedonte Muzeu Historik Kombëtar. Ekspozita u shoqërua edhe me pamje nga zbulimet arkeologjike në Sardë, nga kisha e Shën Gjergjit Dalmacë e më gjerë.

“Janë dhe gërmime të kohëve të fundit të këtyre siteve arkeologjike”, ka rrëfyer kuratorja Etleva Nallbani në një intervistë për “Shqiptarja.com”. Për ekspozitëm ka kontribuar Instituti i Arkeologjisë Tiranë, Ambasada Franceze dhe Muzeu Historik Kombëtar. Objektet e rralla kanë shoqëruar konferencën e  katër misioneve të rëndësishme të përbashkëta midis arkeologëve shqiptarë dhe atyre francezë.

Konferenca në kuadër të “Pranverës së frankofonisë”

Konferenca u drejtua nga Luan Përzhita, drejtor i Institutit të Arkeologjisë, Christina Vasak ambasadore e Francës dhe drejtori i Muzeut Kombëtar, Dorian Koçi. Pati si pikënisje veprën e Leon Reit në fushën e kërkimeve arkeologjike në Shqipëri para 95 vitesh. Ambasadorja Vasak ka përshëndetur konferencën dhe deklaroi se “në kontekstin buxhetor për Europën Perëndimore, ministria e Europës dhe punëve të jashtme do ta rris me 15% për këto misione të përbashkëta që ne kemi”.  E mbajtur në kuadër “Pranverës frankofone”, ishte e natyrshme që konferenca të shoqërohej me ekspozimin e objekteve të rralla të zbuluara nga Korça deri në Koman, vendin ku arkeologia Etleva Nallbani ka bërë një nga zbulimet më të rëndësishme me ekspeditën e saj: Kishën e Komanit me Mbishkrimin Eklezial të saj. Mund të ishte zhdukur ky monumemt, nëse katër vjet më parë specialistët e arkeologjisë nuk do të arrinin të ndalonin vendosjen e shtyllave të tensionit të lartë në Zonën e Komanit.

Intervista

Në këtë ekspozitë ka objekte interesante, që prezantojnë disa cikle të përkatësisë kohore të objekteve arkeologjike, cili është qëllimi i saj?
-Është një lloj ilustrimi i konferencës për prezantimin kronologjik të bashkëpunëtorëve shqiptarë e francezë të misioneve të gërmimeve që nga prehistoria, antiketi e Mesjeta. Dhe me këto gjetje edhe konferenca merr vlerën e saj për ta bërë më të prekeshme praninë  e thesareve arkeologjike, edhe për opinionin, edhe për të gjithë shqiptarët, sepse ka një mungesë të madhe njohurie për këto vlera në vendin tonë. Në një farë mënyre është rimarrë një ekspozitë e 2016-s dhe e kemi përditësuar me gjetjet e reja. Është shumë interesante si metodë se nxjerr sistematkisht zbulimet e reja, dhe integron në kuadrin e përgjithshëm të studimeve zbulimet e reja.  

Cilat janë objektet më të spikatura, që ju si arkeologe i evidentoni me syrin e perspektivës?
-Interesante është që njerëzit të kuptojnë se për çfarë vendbanimesh bëhet fjlë e ku janë shtrirë qytetërimet e vjetra, dhe si kanë jetuar njerëzit më pare. Dhe këto objekte i gjen në një vend ku nuk mund të shkohet me rrugë makine, por me kuaj, me këmbë. Pikërisht në këto vende ne kemi një arkitekturë shumë të zhvilluar mesjetare, por e dhe nënshtresime multikulturore.

Duke iu referuar objekteve të eskpozitës, shihet se edhe zonat alpine, siç është edhe ajo e Komanit janë të mbushura me objekte që tregojnë një nivel të lartë qytërimi, si ka qenë e mundur?
-Ka rrjedhje të popullsisë në shekullin e fundit në këto zona. Sot ne shikojmë fshatra të pakët, të vobektë. Më mësjetë kanë qenë shumë më të populluara. Malet sot janë të velërsuara për udhëtime turistike. Ndërsa për popullsitë e vjetra kanë pasur vlerë, dhe një rol kryesor, se aty gjendeshin druri, guri, e shumë elementë jetikë. Por edhe shumë lart nuka kanë qenë, bëhet fjalë për vende që ngrihen 600 metra mbi nivelin e detit, dhe qëndrimi në male i bënë të kontrollueshme territoret. Për shembull nga maja e Komanit shihet Kalaja e Shkodrës. E kupton çfarë sistemi kontrolli ka pasur, ndërsa aty poshtë mudn të lëvizet me anije, si port që është. Nga Komani shihet edhe Kalaja e Shkodrës.

Ajo që bie në sy në shumicën e objekteve, si unazat, bizhuteritë e para 5 shekujve, kanë me shumicë shenja kryqesh e figurinash të atilla sa të krijojnë idenë e një lloj krishtërimi masiv që “fle” i gjithi nën tokë. Çfarë treguesi është për ju si studiuese ky faktor?
-Shoqëria shqiptare në fakt ka qenë shumë e kristianizuar. Ka një disakord nga ajo që mendojmë ne dhe vetë realitetit. Shqipëria si një vend mesdhetar ishte në zemrën e parë të përhapjes së kristianizmit, dhe kështu që është normale që u kristianizua. Numri i kishave është i jashtëzakonshëm. Pastaj në Mesjetë kemi një rënie të madhe, të kristianizmit, se pati transformime të mëdha demokratike. Pati vrasje, pati eksode të mëdha, pati dhe zëvendësime të popullsisë me ardhjen e perandorisë osmane. Rënia dhe shembja e një qytetërimi e kulture ekzistuese ndodhi, i cili u shua me ardhjen e osmanëve në fundin e shekujeve të 15-të e të 16-të. Por Shqipëria aktuale është Shqipëria multikulturore. Natyrisht që Shqipëria nuk ka qenë e kësaj forme, qoftë edhe adminstrativisht. Unë nuk e shoh në aspektin si një grishje të identitetit të vjetër, por të kujtojmë se ku jetojmë sot, dhe të kuptojmë pasurinë e këtij territori dhe pasurinë e këtyre qytetërimeve që kanë lënë gjurmë në këtë territor. qytetërimeve që kanë qenë në këtë territor, nëse ti i bën pjesë të jetës tënde, atëherë ti ja ke arritur të sfidosh me pasurinë e këtyre elementëve.

Pas pezullimit të projektit të Linjës së Tensionit të Lartë, që ndodhi pas protestës që bëtë ju dhe specialistë  të arkeologjisë, çfarë objektesh janë gjetur?
-Ka zbulime, sepse ne i kemi intesifikuar gërmimet, dhe ka një entuziazëm që ky vendbanin do të ketë të ardhme në trashëgimi, se përmes këtyre gërmimeve ky vendbanin, i lashtë, ky sit arkelogjik do të ketë një të ardhme të madhe. Sivjet ne po planifikojmë kërkimin me radarin, me dedektorë me ultratinguj për të kuptuar sesi është morfologjia e këtyre vendbanimeve që shtrihen me hektarë, në tërësi, por ka edhe shumë elementë arkitektonikë, që ne si zbulojmë dot.

Cili është zbulimi më i fundit dhë më i rëndësishmi që bëtë në Koman?
-Mbishkrimi eklezial i kishës së Komanit. Kemi zbuluar të gjithë korin dhe është me shkrim latin, që tregon se i përket mesit të shekullit të 12-të, 13-të që kuptohet nga shkronjat dhe elementët e gdhendura. Aty del edhe emri i një kleriku të shquar, që nuk e dimë se çfarë është peshkop, apo frat, apo ç’do të jetë, sepse shkronjat e para janë të shuara. Ne zbulojmë një periudhë latine në shekullin e 12-të, dhe është një rrimarrje e periudhës për studim, sepse kemi një aktivitet të zhvilluar sipas këtyre objekteve. Është një zbulim i madh dhe i rëndësishëm.

Çfarë po bëhët për konservimet dhe ruajtjen e këtyre restaurimeve?
-Të gjitha objektet i restaurojmë dhe i depozitojmë të restauruara. Normalisht ky nuk është një restaurim i mirëfilltë si në vendet e tjera të Europës, por është konslidues dhe mbrojtës për monumentin, dhe e kemi shpëtuar. E kemi dhe monuemtin më të konsliduar që mund të vizitohet.

Stolitë e grave janë të mahnitshme. A ka një autenticitet të theksuar ilirik?
Është populli ballkanas, por i lidhur me ilirët deri në periudhat, shek. VI-VII. Pastaj shoqëritë evolojnë, ka prurje të reja, por ka një kompozante të fortë, një përbërëje ilire shumë të rëndësishme në Veri të Shqipërisë.

Megjithatë në një bisedë të mëparshme më thatë se ka probleme me restaurimet e këtyre objekteve?
-Restaurimi do seriozitet, nuk është vetëm pastrimi i objektit, po ia hoqëm vjetërsinë e kemi vrarë, nuk ka më vlerë.

Në cilat objekte  ka ndodhur?
-E shoh në disa objekte të vjetra, janë gjëra të vjetra, që tregojnë moshën dhe vjetërsinë. Sidomos në disa metale të vjetra. Një objekt është i vjetër, nuk duhet të jetë i larë. Ka profesionalizmin e vet edhe mënyra e konservimit të objektit. Në këto objekte metali, është patina, është vjetërsia,  është mosha e tij. 

Meqë ju u kemi parë gjithmonë në gadishmëri për mbrojtjen e vlerave të trashëgimisë, a keni një apel tuajin në përfundim të kësaj interviste?   
-Jemi larg kulturës së arkeologjisë. Popullsia nuk është e lidhur me këto vlera. Kjo vret kujtesën historike, e dëmton këtë kujtesë. Ka një interes të zbehtë nga shqiptarët, për një trashëgimi që ka një vend të rëndësishëm dhe një rol të madh.

Ekspozita në Muzeut Historik Kombëtar me objekte nga 4-mijëvjeçare deri në Mesjetë

[gallery]25711[/gallery]

d.gj/ Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria dy medalje bronzi në Lojërat Olimpike, e kujt është merita?



×

Lajmi i fundit

Parisi i jep lamtumirën Lojërave Olimpike, Shqipëria theu rekordin e saj historik me dy medalje bronzi

Parisi i jep lamtumirën Lojërave Olimpike, Shqipëria theu rekordin e saj historik me dy medalje bronzi