Ndërsa disa prej emrave të mëdhenj të futbollit botëror kanë ngritur zërin kundër drejtimit aktual të FIFA-s, Samuel Eto’o ka zgjedhur të pozicionohet në krah të Gianni Infantinos.

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kamerunit ka dalë publikisht në mbrojtje të kreut të FIFA-s, duke kundërshtuar kritikat e bëra së fundmi nga një grup ish-yjesh të futbollit, mes tyre Emmanuel Petit, Robert Pires dhe Mikaël Silvestre.

Në një intervistë për CNN, Eto’o vlerësoi punën e Infantinos dhe veçoi ndikimin e tij në zhvillimin e futbollit afrikan.

“Ai e ka ndihmuar kontinentin tonë. Ai i ka ndihmuar federatat tona të zhvillohen shumë më shpejt dhe ne duhet ta pranojmë këtë”, deklaroi ish-sulmuesi i Barcelonës dhe Interit.

Eto’o shkoi edhe më tej në vlerësimin e tij për presidentin e FIFA-s, duke theksuar se drejtimi i Infantinos ka sjellë ndryshime të rëndësishme në futbollin botëror.

“Ai e ndryshoi futbollin. Ai u dha mundësi kombeve që nuk i kishin pasur më parë për të marrë pjesë në turneun më të bukur, Kupën e Botës”, u shpreh legjenda kamerunase.

Sa i përket revoltës së fundit ndaj Infantinos, Eto’o e lidh atë me zhvillimet politike brenda FIFA-s dhe zgjedhjet presidenciale që do të zhvillohen në mars të vitit 2027.

“E gjithë kjo ndodhi sepse po afrojnë zgjedhjet”, tha ai.

Infantino është aktualisht kandidati i vetëm i deklaruar për një tjetër mandat në krye të FIFA-s. Në rast të rizgjedhjes, Eto’o i ka bërë thirrje presidentit të vijojë me projektet e nisura.

“Duhet ta vendosë projektin e tij përsëri në tryezë”, ishte mesazhi i ish-kapitenit të Kamerunit.

Në një kohë kur kritikat ndaj Infantinos po shtohen, Samuel Eto’o ka zgjedhur kështu një qëndrim të qartë, duke u rreshtuar publikisht në mbështetje të presidentit të FIFA-s.

Për shkak të projektit që më pas u tërhoq, për të shitur 20 për qind të të drejtave komerciale të turneve të FIFA-s, përfshi edhe Kupën e Botës, revolta kundër Infantinos vazhdon.