TIRANË - Kombëtarja shqiptare e futbollit zhvilloi pasditen e kësaj të enjteje stërvitjen e dytë në "Shtëpinë e Futbollit", në përgatitjet e Euro 2024. Të grumbulluar prej së mërkurës, u vu re mungesa e tre futbollistëve.
Nga 27 emrat e thirrur, sot mungojnë Abrashi, Seferi dhe Gjimshiti që do bashkohen me kuqezinjtë në Austri. Nesër Kombëtatja do zhvendoset nga Shqipëria për fazën përgatitore në Graz të Austrisë. Për te kompletuar grupin, sot për stërvitje Sylvinho ka marrë nga ekipi kombëtar U-21 Rejan Alivodën e Vllaznisë dhe Maksutin e Apolonisë.
Ndërkohë portieri Elhan Kastrati ka kaluar një gjendje të lehtë gripale dhe ngarkesa fizike për të ka qenë më e kufizuar. Kujtojmë se nga 27 emrat e grumbulluar, njëri prej tyre do largohet dhe 26 futbollistë do përfaqësojnë kombin në Gjermani.
Nëse nuk do ketë lëndime lista do jetë e njëjtë, ndërsa në rast të ndonjë surprize deri më datën 7 qershor duhet të dorëzohet lista finale në UEFA. Përpara udhëtimit në Dortmund, kuqezinjtë do përgatiten në Graz të Austrisë dhe në datën 3 dhe 7 qershor do luajnë dy miqësore në Hungari, kundër Lihtenshtajnit dhe Azerbajxhanit.