Euro 2024/ Dramë dhe emocione deri në limite, Kombëtarja barazon 2-2 kundër Kroacisë! Laçi dhe Gjasula mbajnë gjallë shpresat e kalimit të grupit

Euro 2024/ Dramë dhe emocione deri në limite, Kombëtarja barazon 2-2 kundër Kroacisë! Laçi dhe Gjasula mbajnë gjallë shpresat e kalimit të grupit

Kombëtarja, Kroaci 2-2 Shqipëri

HAMBURG - Kombëtarja shqiptare e futbollit barazoi 2-2 me Kroacinë, në ndeshjen e dytë të Grupit B në Euro 2024. Dramë, përmbysje, raste dhe emocione deri në limite për kuqezinjtë, që marin pikën e parë në këtë event.

Pas humbjes 2-1 me Italinë, djemtë e Sylvinhos e nisën ndeshjen në mënyrën perfekte duke shënuar pas 11 minutave lojë me Qazim Laçin. Mesfushori përfitoi nga pasimi i Jasir Asanit dhe me kokë mposhti Livakovic.

Pas golit, tanët u mbrojtën mirë dhe patën një mundësi me Asllanin që mund të kishte shënuar golin e dytë, por i vetëm me portierin, gaboi. Megjithëse topi u kontrollua nga kroatët, pjesa e parë u mbyll 0-1 për tanët.

Fillimi i fraksionit të dytë solli një Kroaci ndryshe, më kërkuese dhe një Shqipëri që u pa në vështirësi dhe pa ide. Tensioni në fushë u shtua, me Strakoshën që ndali disa herë sulmet dhe goditjet "Dalmate".

Minuta e 74 solli golin e barazimit me Kramaric. Goditja nga brenda zone e kroatit u ndal në rrjetë. Vetëm dy minuta më vonë, Gjasula i pafat shënoi autogol pas një rrëmuje në zonë.

Pas këtij momenti hedhja në fushë e Hoxhës dhe Dakut "ndezi" kuqezinjtë. Në shtesën e pestë, Gjasula korrigjoi shënjestrën dhe barazoi për 2-2, duke çuar në festë 20 mijë kuqezinj në stadium dhe miliona të tjerë anembanë botës.

Nesër për Grupin B luhet Spanjë - Itali, teksa dy skuadrat janë në krye me tri pikë. Shqipëria me një pikë merr vendin e tretë, duke lënë pas kroatët që kanë të njëjtën kuotë pikësh.

Ndeshja e fundit e grupeve për tanët është më 24 qershor në Dusseldorf kundër Spanjës, teksa shanset që kuqezinjtë të jenë një nga katër vendet e treta më të mira që do kalojnë më tej ende ekzistojnë.

Komentet më të rëndësishme:

90+9' Mbyllet 2-2 ndeshja.

90+8' Daku gabon në pasim, kuqezinjtë humbasin shansin për të shënuar golin e tretë.

90+5' Klaus Gjasula barazon ndeshjen në 2-2.

85' Hoxha dhe Daku në fushë, në vend të Ramadanit dhe Manajt.

76' Kroacia merr avantazhin 2-1, Gjasula shënon autogol.

75' Strakosha bën pritjen e ndeshjes, mban në lojë tanët.

74' Kramaric barazon ndeshjen. Nga brenda zonës me të djathtën Kroacia barazon 1-1.

72' Klaus Gjasula debuton në Euro 2024, merr vendin e Laçit, autorit të golit.

67' Nedim Bajrami në kundërsulm, goditja shkon në tribuna.

64' Jasir Asani i lë vendin Seferit te tanët.

63' Asllani gjuan nga jashtë zone, ndal Livakovic.

58' Sutalo "fal" Shqipërinë, gabon me kokë nga pranë portës.

53' Sërish Strakosha, ndal edhe goditjen e Kovacic.

50' Strakosha bën heroin, ndal goditjen e Susic.

46' Nis pjesa e dytë, Kroacia bën dy zëvendësime. Brozovic dhe Majer i lënë vendin Pasalic dhe Susic. Shqipëria luan me formacionin e pjesës së parë.

45+3' Mbyllet 0-1 për Shqipërinë pjesa e parë.

45+2' Strakosha bën një pritje fantastike, arbitri akordon faull në zonë për tanët.

45+1' Rey Manaj shfrytëzon një krosim nga krahu dhe godet me kokë. Topi ndalet nga Livakovic pa forcën e duhur.

43' Majer i kroatëve godet me kokë, sfera del jashtë.

31' Kombëtarja humbet shansin e artë me Asllanin, që pak metra larg Livakovic u ndal nga portieri kroat. Gabimi i Modric në mesin e fushës u shfrytëzua nga Asani, që pasoi bukur për Asllanin, i cili i vetëm përballë portierit kroat gaboi shansin për të shënuar golin e dytë dhe të qetësisë.

22' Kombëtarja mbron mirë, Kroacia sheh nga sulmi. Strakosha bën dalje të mirë.

15' Nedim Bajrami lëviz bukur dhe gjuan nga brenda zone, topi devijohet në këndore.

11' GOOL! Qazim Laçi zhbllokon shifrat pas 11 minutash lojë, duke mposhtur me kokë Livakovic. Pas krosimit të Asanit, mesfushori nuk gaboi nga pranë portës.

3' Tanët e nisin mbarë në minutat e para, kërkues me Bajramin dhe Manaj.

2' Më shumë se 15 mijë tifozë të Kombëtares në stadium.

1' Nis ndeshja në Hamburg, atmosfera gjatë këndimit të himnit kuqezi emocionuese.

Formacionet zyrtare, gjykon francezi François Letexier:

Kroacia 4-3-3: Livakovic; Juranovic, Sutalo, Gvardiol, Perisic; Modric, Brozovic, Kovacic; Majer, Kramaric, Petkovic Trajner: Zlatko Dalic

Shqipëria 4-3-3: Strakosha; Hysaj, Ajeti, Gjimshiti, Mitaj; Ramadani, Asllani, Laçi; Bajrami, Asani, Manaj Trajner: Sylvinho

Renditja e Grupit B:

Notat e ndeshjes sipas SofaScore, Strakosha më i miri në fushë. UEFA shpall Kramaric si 'Njeriun e Ndeshjes'

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:38
Në Kroaci s’kursejnë kombëtaren e tyre, vlerësime për Shqipërinë! Çfarë shkruajnë mediat e huaja

Ndeshja Shqipëri 2-2 Kroaci është pasqyruar nga mediat ndërkombëtare. Në Kroaci e cilësojnë si një “humbje” e ndërsa tanimë shpresat janë të pakta edhe për një fitore me Italinë.

Nga ana tjetër, është vënë në pah loja e mirë e kuqezinjve në pjesën e parë.

“Barazim show mes Kroacisë dhe Shqipërisë. Daliç befasohet në minutën e 95’, buzëqeshin të kaltrit”, shkruan “Sportmediaset.it”.

The Sun: “Të papriturit shënojnë një barazim dramatik në fund pas autogolit për t’i lënë kroatët në prag eliminimi”.

“Gazzetta dello Sport” shkruan: “Shqipëria bën festë në shtesë; 2-2 arrin në të 95’. Kroacia me shpatulla pas murit, duhet të mundë Italinë”.

Corriere dello Sport: “Kroacia, çfarë talljeje në fund: Gjasula gjen golin e barazimit në minutën e 95-të pas autogolit. Dhe Italia buzëqesh”.

Marca: “Çmenduria shqiptare fut në telashe Kroacinë”.

Ora 18:17
NOTAT/ Elseid Hysaj 'tradhton' sërish Kombëtaren, Laçi më i miri i ndeshjes! Strakosha hero


Shqipëria barazoi 2-2 kundër Kroacisë në raundin e dytë të Grupit B për Euro 2024. Pas ndeshjes "SofaScore" dhe "FlashScore" kanë dalë me notat përkatëse.

Sa i takon vlerësimit nga "Flashscore", Elseid Hysaj "ngelet" në klasë dhe vlerësohet me notën më të ulët, 6,2. Ndërkohë Qazim Laçi me notën 8.3 është më i miri në fushë.

Sa i takon "SofaScore", këta të fundit me notën 8.6 i japin "medalje" Thomas Strakoshës si më i miri i ndeshjes. Sipas UEFA-s, ishte Kramaric i Kroacisë njeriu i ndeshjes, autori i një prej golave te Kroacia.

Notat sipas SofaScore

Notat e FlashScore
Ora 18:04
'Si mbrojtës nuk gëzohem dot që pësuam dy gola', Berat Gjimshiti: Do ta bezdisim Spanjën


Kapiteni i Kombëtares, Berat Gjimshiti tha pas barazimit 2-2 me Kroacinë se si mbrojtës nuk është i lumtur që pësuan dy gola.

“Të them të drejtën jam i lumtur për ekipin, reagimi ishte i fortë. Në fund meritonim barazimin, nuk jam i lumtur me golat që pësuam. Kombëtaret e mëdha me lojtarë të fortë nuk ju duhen shumë metra apo raste për të shënuar. Deri në të 74 nuk kishin raste, mbrojtëm mirë. Por, ato dy gola, nuk e di çfarë të them, më duhet ende që t’i përtyp. Si mbrojtës nuk mund të jem i lumtur për ato dy gola, në fund duhej të kënaqeshim me barazim.

Ndaj Italisë mungoi agresiviteti, por ndaj Kroacisë ishim gati dhe luftuam në çdo metër pavarësisht emrave që kanë ata në mesfushë. Nuk i lamë të lirë dhe shkaktuam faulla, i penguam.

Spanja? E njeh gjithë bota dhe janë favoritë në çdo ndeshje që luajnë. Janë favoritët për të fituar turneun. Por, për rrugën që kemi përpara, me pesë ditë kohë, do të mundohemi të përgatitemi mirë dhe t’i bezdisim.

Edhe me Kroacinë mund të shënonim dy apo tre, e respektojmë Spanjën por do të provojmë shanset tona. Tifozët janë gjithmonë “on top”, i falenderojmë se na mbështesin gjithmonë, jo vetëm në stadium.

Më kanë bërë të ndjehem krenar, më vjen mirë edhe që Hysaj reagoi në fushë. Ai ka 10 vite eksperiencë, jam i lumtur për të sepse bëri ndeshje fantastike”, u shpreh Gjimshiti.

Ora 17:52
Kombëtarja barazon 2-2 kundër Kroacisë/ Hysaj: Krenar që jam shqiptar, reagova ndaj kritikave me performancën time sot

1718024100_elseidhysajkombetarjashqiptare.PNG

Elseid Hysaj

Mbrojtësi i djathtë i Kombëtares, Elseid Hysaj e ka vlerësuar si rezultat të kënaqshëm barazimin me Kroacinë, ndërsa theksoi se performnca e tij sot iu dha përgjigje kritikave të shumta që mori nga ndeshja me Italinë.

“Ndeshja tregoi se mund ta kishim fituar, por edhe barazimi nuk është keq. Ndeshja në planin personal? Duhej të reagoja në fushë sepse po merremi sikur kemi ardhur për të kaluar kohën. Dua të falenderoj tifozët për mbështetjen, më bënë krenar që jam shqiptar. Me Spanjën? Duhet ta provojmë që të mos largohemi me ndonjë peng, të japim 10% dhe pastaj të shohim”, u shpreh Hysaj.

Ora 17:45
Barazimi me Kroacinë, Sylvinho: Duel që do mbetet në memorie gjatë, ja pse futa Dakun para Brojës


Trajneri i Kombëtares, Sylvinho foli pas barazimit Kroaci 2-2 Shqipëri.

“Mendoj se zhvilluam një ndeshje shumë të mirë kundër një skuadre të shkëlqyer. Respekt për trajnerin dhe lojtarët e tyre. Ishim shumë mirë në pjesën e parë, kishim mundësi për të shënuar golin e dytë.

Më pas pësuam dy gola në të dytën, por ia dolëm të barazonim. 5 minutëshi i fundit do të mbetet në memorien e gjithë botës dhe gjithë shqiptarëve. Shumë bukur.

Jemi ambiciozë, të ecim përpara. Kjo Kombëtare ka shumë lojtarë me potencial dhe të rinj, të cilët po marrin përvojë. Do e mbajmë mend gjatë këtë ndeshje.

Paraqitjen e vendos rezultati. Nëse do të futej ai top i Manajt me Italinë do të flisnim ndryshe.

Golat e pësuar? A e di si mund të përmirësohemi? Përmirësohesh duke luajtur, duke zhvilluar kompeticione të rëndësishme dhe duke avancuar përpara.

Kemi shumë lojtarë të rinj, si Mitaj, Asllani dhe Muçi, po marrin përvojë. Kjo është fantastike.

Zëvendësimet? Broja është një lojtar që të vret në fushë të hapur, por Kroacia po fitonte dhe zgjodha Dakun. Për të trazuar mbrojtjen dhe për të tërhequr ekipin përpara”, theksoi Sylvinho.

Ora 17:42
Barazimi me Kroacinë, Rama: Ishte një Shqipëri e re, e përkushtuar me mish e me shpirt ndaj flamurit kuqezi

Pas barazimit me Kroacinë të Kombëtares shqiptare e vlefshme për Grupin B në Euro 2024, ka reaguar edhe kryeministri Edi Rama. Kreu i qeverisë shqiptare thotë se në fushë ishte një Shqipëri e re, e përkushtuar me mish e me shpirt ndaj flamurit kuqezi. Kryeministri Rama motivon futbollistët e kombëtares, për të bërë më të mirën deri në fund.

‘Kjo quhet krenari!

Përballë një skuadre shumë më të fortë në letër dhe me shumë më shumë eksperiencë në këto nivele ishte një Shqipëri e re, e përkushtuar me mish e me shpirt ndaj flamurit kuqezi, e cila të mbush me krenari, me dashuri, me respekt e me optimizëm për rrugën përpara, përtej këtij Europiani, falë djemve të jashtëzakonshëm dhe publikut të saj po aq të jashtëzakonshëm.

Kokën lart dhe kështu përpara, me pasion, shpirt skuadre, përpjekje deri në fund për të bërë më të mirën.’- shkruan Rama.

 

Ora 17:40
Jasir Asani: Nuk u dorëzuam, me pak fat mund të fitonim! Duam tri pikë me Spanjën


Jasir Asani, pas barazimit 2-2 të Kombëtares me Kroacinë tha se do tentojnë tri pikët me Spanjën.

“E kishim analizuar shumë mirë Kroacinë. E nisëm shumë mirë, kishim 2-3 raste për golin e dytë në pjesën e parë. Nuk u dorëzuam, por ne jemi këtu për t’u treguar të gjithëve që nuk kanë patur besim.

Shpërtheva te të dy golat, por më shumë te goli i Laçit. Dhamë gjithçka, të gjithë. Me pak fat mund të kishim marrë 3 pikët.

Spanja? Nuk i dihet asnjëherë. Ne do të futemi në fushë për 3 pikë. Spanja është shumë e fortë, por ne do të futemi në fushë për 3 pikë”, theksoi Asani.

Ora 17:34
'Ditë historike për mua', Klaus Gjasula: Me Spanjën do provojmë


Klaus Gjasula, autori i golit të barazimit 2-2 kundër Kroacisë foli pas ndeshjes.

"Ke të drejtë, minutat e para ishin të vështira, jo vetëm autogoli edhe për disa situata që si bëra  mirë. Faleminderit Zotit që më dha mundësinë të bëjë këtë golin, një ditë historike për mua. 55-60 minutat e para bëmë një lojë më të mirë, pastaj e humbëm pak lojën nga dora", tha Gjasula.

Sipas gjigandëve të statistikave të OPTA, Gjasula bëhet zëvendësuesi i parë në historinë e Europianeve apo Botëroreve që arrin të shënojë në të dy portat në një rastësi të çuditshme që e bëri atë protagonist në këtë mënyrë.

Ora 17:30
Kristjan Asllani: Mëkat që nuk fituam, godita me sy mbyllur

1717854939_kristjanasllani.jpg
Kristjan Asllani, mesfushori i Kombëtares foli pas ndeshjes Kroaci 2-2 Shqipëri.

“Ndeshje me shumë emocione, gjynah që nuk morëm tre pikët. Pësuam dy gola që mund t’i evitonim, pastaj mund ta fitonim ndeshjen në fund, por morëm një pikë jemi të lumtur. Mund të kishim bërë më shumë, por kjo është rruga. Rasti i humbur? Mendoja se do ta kapte topin Modric, godita me sy mbyllur, por çfarë të bëj? Futbolli kështu e ka”, u shpreh Asllani.

Ora 17:26
Laçi: Pikë e merituar, ndaj Spanjës pse mos të tentojmë kualifikimin?!


Qazim Laçi, autori i një prej golave të Kombëtares dhe një prej lojtarëve më të mirë në fushë, foli pas barazimit 2-2 me Kroacinë.

“Ashtu si shkoi ndeshja me atë gol në fund, ne e meritonim të paktën një pikë. Ishte performancë shumë e mirë. Jam shumë i lumtur për golin, por më shumë rëndësi kanë pikët sepse tani kemi më shumë besim, për ndeshjen me Spanjën që do të jetë shumë e vështirë dhe pse jo më pas të mos tentojmë për vendin e dytë apo të tretë”, u shpreh Laçi.

Ora 17:23
Protagonisti absolut i Kroaci - Shqipëri, Klaus Gjasula hyn në historinë e futbollit botëror


Klaus Gjasula hyri në fushën e lojës si zëvendësues, shënoi autogolin që i dha avantazhin kroatëve e më pas në shtesën e ndeshjes shënoi golin e barazimit përfundimtar.

Sipas gjigandëve të statistikave të OPTA, Gjasula bëhet zëvendësuesi i parë në historinë e Europianeve apo Botëroreve që arrin të shënojë në të dy portat në një rastësi të çuditshme që e bëri atë protagonist në këtë mënyrë.

Ora 16:49
FOTOT: Ndeshja Shqipëri-Kroaci, spektakël edhe në tribuna! Begaj dhe Balla ndjekin sfidën e kombëtares së bashku

Ndeshja Kroaci-Shqipëri po dhuron spektakël jo vetëm në fushën e blertë, por edhe në tribuna.

Tifozët e të dy skuadrave, të “veshur” me ngjyrat e simbolet kombëtare, kanë krijuar një atmosferë të jashtëzakonshme.

Të pranishëm për të parë ndeshjen ishte edhe presidenti Bajram Begaj dhe ministri Taulant Balla.

Ora 14:47
Lorik Cana: Presioni te Kroacia, se s'jemi pretendentë! Na duhet cilësi në sulm


Përpara ndeshjes kundër Kroacisë, ish-kapiteni i Kombëtares, Loric Cana foli për Klan nga fusha e stadiumit në Hamburg.

“Është një kënaqësi e madhe dhe nder shumë i madh. Sporti mbledh me mijëra tifozë. Janë raste të rralla për vendin tonë. Çunat duhet t’i mbështesim deri në fund. Jemi vetëm falë tyre këtu. Dëshira ime për në fushë është e madhe, por forma ime nuk është si më parë.

Kundërshtari ka histori dhe lojtarë shumë të mirë. Ne e kemi ditur, që në këtë grup nuk jemi pretendetët. Presioni nuk është në anën tonë. Djemtë ta shijojnë dhe të luftojnë deri në fund.

Në anën teknike nuk mund të t’i krahasosh dy kombëtare. Mentaliteti jonë duhet të jetë mentalitet luftëtari. Në 2016, ishim të zotë për të pritur mbrapa, por duhet ta tregojmë veten edhe në sulm, sepse cilësitë i kemi.”, u shpreh Cana.

Ora 14:40
'S'do dalim kampion Evrope, por sot fitojmë', Armand Duka: Hysaj? Nuk flas me trajnerët për zgjedhjet që bëjnë

1716828263_armandduka.JPG
Presidenti i FSHF-së, Armand Duka foli për Klan në prag të ndeshjes kundër Kroacisë, duke thënë se shpreson te tri pikët, ndërsa sot ka karikuar ekipin.

“Nuk është se i kam ngacmuar çunat sot. U thashë: ‘Nuk kemi ardhur këtu të dalim kampionë Europe, por kemi ardhur të japim më të mirën tonë’. Nëse japim gjithçka kemi dhe shkarkojmë ngarkesën emocionale, uroj të mos e kemi presionin që kishin në 30 minutat e para me Italinë.

U thashë çunave se unë jam krenar për ta, dhe të gjithë shqiptarët janë krenarë. Të gjithë ju shohin si heronj, dhe do të vazhdojnë t’u shohin të tillë. Kam ndjenjë pozitive, pavarësisht se Kroacia është ekip i madh. Kam besim se mund të fitojmë ndeshjen sot.

Hysaj? Kam kaluar shumë trajnerë, të gjithë e konfirmojnë se kurrë nuk kam biseduar me ta për zgjedhje teknike. Hysaj e vlerësoj shumë si futbollist, ka kontribuuar shumë për Kombëtaren. Komplimenti më i madh është për tifozët shqiptarë. Kanë treguar edhe një sjellje më europiane se europianët. Jam krenar për ta”, deklaroi kreu i futbollit.

S.Dh/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Kuq e zi: 20/06/2024 11:33

    Çunat duhet te luajne gjithmone me uniforme te zeze se iu sillka fat. Ngjajne edhe me bukur.

    Përgjigju
  • Alb: 19/06/2024 18:22

    E njeta gja si me italin hysaj

    Përgjigju
  • Laçi: 19/06/2024 17:54

    Laçi meriton te luaj ne Madrid apo me superskuadra si Seviglia etj ! Bravo na nderoj pjesen e pare.

    Përgjigju
  • Hysaj: 19/06/2024 17:48

    Hysaj lojtar i vdek...me Italinë ul kokën,me Kroacinë hap shalet,me Spanjën te hapi bythen,lojtar legen

    Përgjigju
  • Sna duhet fitorja: 19/06/2024 15:52

    Aventura jone mbaroj ne ndeshjen me italine . Italia rrah croacin e spanja na rrah neve

    Përgjigju
    • Krokodili John: 19/06/2024 21:39

      Albania - España 1 -1

  • Popull: 19/06/2024 15:15

    Hysaj esht pjes e klanit Duka dhe nuk ka diskutim qe do lozi.Meqe kan ber kete zgjedhje kunder mendimit te sportdashesve ju uroj humbje te thell skuadres shqiptare dhe klanit Duka-Hysaj

    Përgjigju
  • ALB Patriot: 19/06/2024 14:03

    Prapē Hysaj?!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Avioni 'Embraer 190' duhej të përshkonte 500 kilometra nga Baku në Grozny: si përfundoi në anën tjetër të Detit Kaspik?

Avioni 'Embraer 190' duhej të përshkonte 500 kilometra nga Baku në Grozny: si përfundoi në anën tjetër të Detit Kaspik?