Kombëtarja është gati, kuqezinjtë fitojnë 3-1 kundër Azerbajxhanit! Ndeshja e radhës përballë Italisë në Euro 2024

Kombëtarja është gati, kuqezinjtë fitojnë 3-1 kundër Azerbajxhanit! Ndeshja e radhës përballë Italisë në Euro 2024

Festa e Kombëtares pas fitores 3-1 kundër Azerbajxhanit

Rezultati final/ Shqipëri 3-1 Azerbajxhan (Nedim Bajrami 11', Rey Manaj 82', Qazim Laçi 88' / Gurbanli 90+1')

HUNGARI - Kombëtarja shqiptare e futbollit fitoi 3-1 miqësoren kundër Azerbajxhanit të luajtur këtë të premte në stadiumin "Haladas" në Hungari. Golat për kuqezinjtë u shënuan nga Nedim Bajrami në minutën e 11-të, Rey Manaj në të 81 minutë dhe Qazim Laçi në minutën e 87-të. Për miqtë shkurtoi Gurbanli në minutën e 90+1.

Tetë ditë para ndeshjes debutuese në Euro 2024 kundër Italisë, duket se Kombëtarja është gati duke marrë dy fitore në miqësoret e qershorit. Pas suksesit 3-0 kundër Lihtenshtajnit të hënën, sërish tanët sigurojnë një fitore edhe ndaj Azerbajxhanit.

Pjesa e parë - Përballja nisi mirë për tanët, me Jasir Asanin që provoi që në minutën e dytë, por topi u ndal në zonë. Më pas ishte shansi i Nedim Bajramit që nga jashtë zone të zhbllokonte ndeshjen me një të djathtë fantastike. Fantazisti provoi edhe me një goditje dënimi, por topi u devijua nga portieri.

Pjesa e dytë - Pjesa e dytë nisi me katër zëvendësime nga Sylvinho. Jashtë mbetën Gjimshiti, Mitaj, Asani dhe Broja. Në vend të tyre Mihaj, Aliji, Hoxha dhe Manaj. Paçka ndërrimeve në emra, në fushë nuk ndryshoi asgjë, me Arbër Hoxhën që ra në sy me lëvizjet dribluese.

Duhej minuta e 82-të që Rey Manaj të përfitonte nga pasimi i Alijit dhe me fat të shënonte golin e dytë të ndeshjes dhe të shtatin për të me fanellën e Kombëtares. Pas tre vitesh lushnjari rikthehet të shënojë si kuqezi. Në fund një aksion model dhe driblimet e Bajramit bënë që Laçi nga brenda zone mos gabonte për golin e tretë.

Në fund ishte një hutim i tanëve që solli golin e "flamurit" për Azerbajxhanin me Gurbanli. Kështu tanët fituan 3-1 dhe në dy ditë kanë shënuar gjashtë gola dhe kanë pësuar vetëm një.

Prova gjenerale para Euro 2024 u kalua me sukses nga djemtë e Sylvinhos, teksa mendja tanimë është në Gjermani, aty ku më 15 qershor në 21:00 na pret Italia në përballjen e parë të Grupit B të Euro 2024.

Komenti minutë pas minute:

90+2' Mbyllet 3-1 ndeshja miqësore në Hungari.

90+1' Gurbanli shkurton shifrat në 3-1.

87' Qazim Laçi shënon golin e tretë, nisur nga një aksion model i Bajramit. Mesfushori dribloi mbrojtësin dhe me të majtë e ndali sferën në rrjetë.

87' Strakosha bën një ndërhyrje deçizive, mban portën të papekur nga gjuajtja e Alyev. 

82' Rey Manaj shënon golin e dytë. Lushnnjari rikthehet te goli me Kombëtaren pas tre vitesh. Shtatë gola për të me fanellën kuqezi.

78' Arlind Ajeti i bën vend Ardian Ismajlit.

67' Rey Manaj provon nga brenda zone, ndalet nga portieri.

64' Manaj provon me kokë, sfera del jashtë.

61' Qazim Laçi merr vendin e Taulant Seferit.

46' Katër ndërrime nga Sylvinho me nisjen e pjesës së dytë. Jashtë Gjimshiti, Mitaj, Asani dhe Broja. Në vend të tyre Mihaj, Aliji, Hoxha dhe Manaj.

45' Mbyllet 1-0 pjesa e parë.

11' Nedim Bajrami zhbllokon shifrat, fantazisti shënon nga jashtë zone me një goditje fantastike.

2' Jasir Asani kroson nga e djathta, sfera mbetet në zonë.

1' Nis ndeshja me topin e parë shkelmuar nga azerët.

Përgatitjet - Të ndodhur prej një jave në Austri, kuqezinjtë nesër udhëtojnë për në kampin bazë në afërsi të Dortmundit, ku do përgatiten fillimisht për ndeshjen kundër Italisë më 15 qershor 21:00 dhe më pas kundër Kroacisë, ndeshje e cila luhet më 19 qershor në 15:00. Ndërkohë ndeshje e fundit për tanët në Grupin B të "Gjermani 2024" do jetë më 24 qershor kundër Spanjës në orën 21:00.

Formacionet zyrtare:

Shqipëria (1-4-3-3): Strakosha; Mitaj, Ajeti, Gjimshiti, Hysaj; Ramadani, Asllani, Bajrami; Seferi, Asani, Broja Trajner: Sylvinho

Azerbajxhan (1-4-3-3): Mahammadah; Jafagurlyev, Mustafazade, Huseynov, Mammadov; Isaev, Dinlyev, Makhmudov; Bayramov, Sheydaev, Emreli Trajner: Arid Asadov

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:12
'Në Euro 2024 shkojmë me moralin lart', Armand Duka: Tani nis pjesa më e bukur


Armand Duka, kreu i FSHF-së ka komentuar fitoren 3-1 të Kombëtares në miqësoren kundër Azerbajxhanit. Në një reagim në kanalet e komunikimit ai ka thënë se tani nis pjesa më e bukur dhe se në Euro 2024 do shkojnë me moralin lart.

"Shkojmë me moralin lart drejt Euro2024. Triumfojmë edhe në miqësoren e dytë ndaj Azerbajxhanit dhe tani është koha të mendojmë për duelet me të bukura, ato ndaj Italisë, Kroacisë dhe Spanjës. Është një histori tjetër në Europian dhe duhet të shkojmë ta shijojmë dhe të japim më të mirën, për të vazhduar të jemi krenaria e shqiptarëve anembanë botës. Tani nis pjesa më e bukur! Gjermani po vijmë!", shkruan Duka.

Euro 2024 në Gjermani zhvillohet nga 14 qershori - 14 korrik, teksa kuqezinjtë janë pjesë e Grupit B dhe kanë përballë Italinë, Spanjën dhe Kroacinë.

 

Ora 22:00
'Për Asanin është e vështirë', Sylvinho: S'e di kush luan kundër Italisë


Sylvinho, trajneri i Kombëtares foli pas fitores 3-1 që kuqezinjtë morën në miqësoren me Azerbajxhanin. Theksi u vendos në ndeshjen me Italinë, sfida e parë e Euro 2024 për tanët në Grupin B, duel që luhet më 15 qershor.

“Sa i përket kësaj periudhe, patjetër jam i kënaqur. Kemi bërë 3 ditë në Tiranë, pak a shumë kemi një javë këtu dhe dy miqësore. Dhe deri tani gjithçka është në rregoll. Por nesër nisemi për në Gjermani dhe aty zhvillohet pjesa e fundit e punës.

Sa i përket përgatitjes së Europianit, kjo është fazë përgatitje. Këtu vijnë lojtarë me 50- ndeshje te luajtur, ka me 2, ata që kthehen nga dëmtimet. Është fazë e vështirë të menaxhosh minutazhet, stërvitjet. Deri këtu kemi bërë mirë, nuk është se ka rëndësi rezultati nëse humb apo fiton. Është një moment i rëndësishëm i menaxhimit të grupit.

Strategjia sot? Pak, është ndryshe, ne në këtë moment jemi pak më shumë me mendjen në grupin tonë, të fokusar te minutazhi, të luajmë. Është pak strategjikisht, këtë javë nis periudha vetëm për Italinë.

Titullarët me Italinë? Nuk e di, ne kemi tani 7 ditë shumë të rëndësishme stërvitje. Kemi mundësi të bëjmë shumë gjëra.

Asani dhe Broja vijnë siç e thashë me pak ndeshje. Asani për shembull në këtë vit nga janari deri sot, nuk ka bërë një ndeshje zyrtare, vetëm miqësore. Dhe ai po merr pak ritmin, për të është e rëndësishme të marrë ritmin, nuk është e thjeshtë. Ai është stërvitur e gjithçka, por nuk bën ndeshje zyrtare. Ai është lojtar shumë i rëndësishëm për ne, duhet t’i japim minutazh. Pastaj në pjesën e dytë provuam diçka, lëvizëm pak lojtarët si Bajrami e Hoxha për të parë ndonjë mundësi për të ardhmen”, tha Sylvinho për “SuperSport’ pas ndeshjes.

Ora 21:20
Ylli i mbrëmjes dhe shpresa e Kombëtares, Nedim Bajrami: Me Brojën kuptohem mirë


Nedim Bajrami shkëlqeu me gol dhe asist në fitoren 3-1 të Kombëtares kundër Azerbajxhanit në miqësore, teksa pas ndeshjes tha se me Brojën kuptohen mirë në fushë.

“Në Kombëtare jemi të gjithë të motivuar. Në fushë e dimë që goditjet nga jashtë i kemi dhe provojmë gjithmonë. Edhe në ndeshjen e kaluar Asani dha një super gol. Jo vetëm unë, e gjithë skaudra do të shkojë në Europian. Do të luftojmë për çdo pikë për çdo top.

Me Brojën kuptohem shumë mirë. Jo vetëm në fushë, edhe jashtë fushe. Ai ka munguar nga dëmtimi, por tani u kthye. Nuk ka rëndësi kush do të nisë titullar. Atë e di trajneri. Në dy ndeshjet e fundit e ka nisur Broja dhe jam ndjerë mirë me të”, ka thënë Nedim Bajrami për “Super Sport”.

Ora 21:16
Dueli me Scamaccën dhe mbrojtja, Berat Gjimshiti: Jemi gati, ja si e përballojmë Italinë


Pasi fitores 3-1 në miqësore kundër Azerbajxhanit, kapiteni i Kombëtares Berat Gjimshitit tha se ekipi është gati për në Euro 2024.

“Kam ardhur pak me vonesë, e mbaruam pak më vonë kampionatin. Kam gjetur një ekip që është shumë gati, dhe që është ushtruar shumë. U duk në këto dy ndeshje. Kemi edhe një javë për t’u përgatitur me Italinë. Jemi të gjithë gati.

Nuk është problem fakti që luaj me 3 mbrojtës tek Atalanta dhe me 4 te Shqipëria. Të gjithë ndeshjet e eliminatoreve i kemi luajtur me 4, nuk e kam problem.

Scamacca? Jo, nuk kemi diskutuar shumë me njëri-tjetrin. Më shumë më kanë thënë shokët që t’i bëj ndërhyrje të ashpra dhe të mos e lejoj të shënojë. Nuk do të jetë Gjimshiti përballë Scamaçës, por Shqipëria kundër Italisë.

I njohim shumë mirë, pasi kemi lojtarë që kanë vite që luajnë në Itali. Kjo është pozitive dhe mund të jetë një ndihmë për ne. Shpresoj t’i bëjmë të gjithë shqiptarët krenarë”, theksoi Gjimshiti.

Ora 21:12
Thomas Strakosha: Kjo Shqipëri s'dorëzohet kurrë, tani përgatitemi për Italinë


Pas fitores 3-1 kundër Azerbajxhanit, portieri i Kombëtares Thomas Strakosha tha se kuqezinjtë nuk dorëzohen kurrë, teksa vuri në pah shpirtin e ekipit.

"Jam mirë me shëndet, ndihem mirë. Të gjithë ndihemi mirë. U mbyll faza përgatitore, u duk pak lodhja, por fituam. Tani të përgatitemi për Italinë.

Euro 2024? I dimë mirë kualitetet e kundërshtarëve. Kam shumë besim tek ekipi. Të mbrojmë dhe sulmojmë të gjithë bashkë. E dimë që do të jetë shumë e vështirë të kualifikohemi. Por kemi shpresë, dëshirë dhe shpirtin shqiptar. Nuk dorëzohemi kurrë.

E kam thënë gjithmonë, rëndësi ka Kombëtarja. Kushdo që do të luajë do të jetë gati. E vendos trajneri kush luan. Jam shumë i lumtur që do të luaj për herë të parë në një Europian. Dallohet nga buzëqeshja ime. Rëndësi ka të jemi gati, pastaj vendos trajneri”, theksoi portieri.

Ora 17:47
FORMACIONET/ Pesë ndryshime nga ndeshja e fundit, rikthehet Gjimshiti! Vendosja e Kombëtares kundër Azerbajxhanit

Përballja e sotme miqësore kundër Azerbajxhanit në 19:00 është e fundit për Kombëtaren para Euro 2024. Trajneri Sylvinho ka bërë pesë ndryshime nga ndeshja e fundit e fituar 3-0 kundër Lihtenshtajnit tre ditë më parë, teksa ky pritet të jetë formacioni më i mundshëm edhe për në finalet e Euro 2024, me lëvizje të vogla.

Mes shtyllave rikthehet titullar Thomas Strakosha, ndërkohë që në prapavijë e nisin nga minuta e parë kapiteni Berat Gjimshiti dhe Elseid Hysaj. Në mesfushë Ylber Ramadani zëvendëson Klaus Gjasulën, ndërkohë që konfirmohen në sulm Armando Broja dhe Jasir Asani. Repart ku ka fituar një fanellë titullari edhe Taulant Seferi.

Formacionet zyrtare:

Shqipëria (1-4-3-3): Strakosha; Mitaj, Ajeti, Gjimshiti, Hysaj; Ramadani, Asllani, Bajrami; Seferi, Asani, Broja Trajner: Sylvinho

Azerbajxhan (1-4-3-3): Mahammadah; Jafagurlyev, Mustafazade, Huseynov, Mammadov; Isaev, Dinlyev, Makhmudov; Bayramov, Sheydaev, Emreli Trajner: Arid Asadov

Ora 16:30
VIDEO/ Fusha në kushte perfekte, gjithçka gati për Shqipëri - Azerbajxhan


Në "Haladas Stadium" të Hungarisë gjithçka është gati për miqësoren mes Shqipërisë dhe Azerbajxhanit. Fusha duket në kushte perfekte, teksa para takimit që merr jetë në 19:00 ka pasur rreshje jo shumë të dendura shiu.

 

S.DH/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Besi: 08/06/2024 12:37

    Italia te kete shans te kualifikohet duhet te mundi me gola Shqiperine. Vini bastet tek Anglia kete europian qe do ngreje kupen

    Përgjigju
  • dilo: 08/06/2024 05:28

    ITALIA NUK ESHTE AZERBAXHANI, ITALIA ESHTE KAMPIONE BOTE 4 HERE...

    Përgjigju
  • Yeah: 07/06/2024 23:55

    Nese fitojn me Italin kan shanse per kualifilim, Italia eshte dobet nuk ka lojtar cilesor dhe ska perse te ket frik shqiperia, kundershtaret me te veshtir jan kroacia dhe spanja.

    Përgjigju
    • Andre: 08/06/2024 11:04

      Italia na rref me ekipin e shpresave, mos u beni te marre te mendoni se do rrafim italine. Mbase nje barazim me kroacine do ishte fantastike

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria skualifikohet nga Euro 2024, a ju pëlqeu loja e Kombëtares



×

Lajmi i fundit

Djali i Belerit kandidat i PD për Himarën? Dhuli: Po diskutohet çdo emër

Djali i Belerit kandidat i PD për Himarën? Dhuli: Po diskutohet çdo emër