Buxheti i shtetit do të kishte përfituar më shumë para, nëse Euro dhe Dollari nuk do të ishin zhvlerësuar në nivele kaq të larta. Në dokumentet që shoqërojnë buxhetin faktik të vitit 2025, Ministria e Financave thotë se vetëm nga ndryshimi i paparashikuar i kursit të këmbimit buxheti i shtetit ka humbur 100 milionë euro nga të ardhurat doganore.
“Sipas të dhënave të raportuara nga Administrata Doganore një ndikim të rëndësishëm në këtë rezultat kanë pasur edhe humbjet e shkaktuara nga kursi i këmbimit, nga rënia e dollarit me rreth -6% dhe rënia e euros me -3%, me efekt total vjetor rreth minus 9.5 miliardë lekë”, thotë Ministria.
E nga ana tjetër - thotë Ministria e Financave - vjet u ul në 53% borxhi publik nga 54.2% në vitin 2023, ku një nga faktorët me ndikim pozitiv është zhvlerësimi i valutave, që e ka bërë më të lirë borxhin e marrë në monedhë të huaj.
Ndërkohë rënia e euros është e pandalur edhe përgjatë këtij viti, dhe po këmbehet me mesatarisht 94.2 lekë në tregun valutor. Gjatë këtyre ditëve një qytetar që ka këmbyer 100 euro ka marrë nga pika e këmbimit vetëm 9,390 lekë, ndërsa një qytetar që vendosi të blinte 100 euro ka paguar 9.450 lekë. Këto vlera janë 4% më të ulëta se në qershorin e vitit të kaluar.
Zhvlerësimi i valutave sidomos i euros, po dëmton eksportuesit, të cilët po për të njëjtat produkte që shesin jashtë vendit po marrin më pak para. Një nga bizneset më të dëmtuara është ai i manifakturës, pasi në vetëm 5 muaj, eksportet e tekstileve dhe këpucëve u tkurrën me 35.2 milionë euro.
Kursi vlerësohet si i paparashikueshëm nga institucionet, ndaj është një nga detyrat që i është lënë Bankës së Shqipërisë nga kuvendi edhe për këtë vit, për të monitoruar situatën dhe për të ndërhyrë vetëm në raste të rëndësishme. Kurse PD nga ana tjetër kërkon që banka të analizojë mundësinë e një ‘kursi fiks’ për eksportuesit për ti mbrojtur nga luhatjet në treg.
Komente










