Vendet europiane po rikthejnë në tryezë një nga temat më të debatueshme të viteve të fundit: dërgimin e emigrantëve të refuzuar në vende të treta jashtë Europës. Sipas një raportimi ekskluziv të “The Guardian”, ministrat europianë do të diskutojnë këtë javë planet për ngritjen e qendrave të posaçme jashtë Bashkimit Europian, ku mund të transferohen azilkërkuesit që u është refuzuar kërkesa për azil.
Diskutimi pritet të zhvillohet të premten në Moldavi, gjatë një takimi të Këshillit të Europës në Kishinau. Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Europës, Alain Berset, konfirmoi për “The Guardian” se çështja e të ashtuquajturave “hubs” ose qendra kthimi do të diskutohet në nivel shumëpalësh.
“Diskutimi për këto qendra ka qenë një element i rëndësishëm. Tani po kalon nga niveli kombëtar në diskutim shumëpalësh”, deklaroi ai.
Sipas raportimit, ministrat europianë pritet të miratojnë edhe një deklaratë politike që njeh të drejtën e shteteve për të kontrolluar kufijtë e tyre, mes pretendimeve se ligjet europiane të të drejtave të njeriut kanë penguar deportimin e emigrantëve dhe kriminelëve të huaj. Debati lidhet drejtpërdrejt me Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut (ECHR), e cila në të kaluarën u përdor për të bllokuar planin e qeverisë britanike për dërgimin e emigrantëve në Ruandë.
Organizatat për refugjatët dhe të drejtat e njeriut kanë reaguar me shqetësim ndaj këtyre planeve, duke paralajmëruar se dobësimi i Konventës Europiane mund të rrezikojë mbrojtjen për njerëzit që largohen nga lufta dhe persekutimi. Megjithatë, Alain Berset insistoi se edhe emigrantët e larguar nga territori europian duhet të vazhdojnë të mbrohen nga Konventa Europiane për të Drejtat e Njeriut.
“Kemi të bëjmë me qenie njerëzore në territor europian. Kjo do të thotë se ata mbrohen edhe nga Gjykata Europiane dhe Konventa Europiane për të Drejtat e Njeriut”, tha ai.
Sipas “The Guardian”, kjo është hera e parë që ministrat e Këshillit të Europës diskutojnë zyrtarisht ngritjen e qendrave të tilla. Qeveria britanike e Keir Starmer ka tentuar gjithashtu të krijojë “qendra kthimi” pas rritjes së presionit politik nga partia Reform UK.
Më herët, plani i qeverisë britanike për të dërguar emigrantë në Ruandë u anulua pasi Gjykata Supreme britanike vendosi se Ruanda nuk konsiderohej vend i sigurt. Sipas raportimit, Bashkimi Europian ka votuar tashmë për të lejuar mundësinë e krijimit të qendrave të kthimit në vende të treta, ndërsa Danimarka, Austria, Greqia, Gjermania dhe Holanda janë përfshirë në diskutime për vendet pritëse.
Mes vendeve që po diskutohen si destinacione të mundshme për emigrantët përmenden Ruanda, Gana, Senegali, Tunizia, Libia, Mauritania, Egjipti, Uganda, Uzbekistani, Armenia, Mali i Zi dhe Etiopia.
Komente










