Liderët europianë, pjesë e të ashtuquajturit 'Koalicioni i Vullnetmirëve', ka shpërndarë një deklaratë të përbashkët mbi situatën në Groenlandë, pas qëndrimeve të fundit të presidentit amerikan Donald Trump për një aneksim të mundshëm të këtij territori.  

Në dokument nënvizohet se siguria e Arktikut mbetet një prioritet kyç për Evropën dhe një pikë e ndjeshme për sigurinë ndërkombëtare dhe transatlantike. Gjithashtu nënvizohet se integriteti territorial dhe kufijtë e Danimarkës dhe Groenlandës janë të paprekshme.

Deklarata është firmosur nga shtatë krerë shtetesh dhe qeverish: Emmanuel Macron, Friedrich Merz, Giorgia Meloni, Donald Tusk, Pedro Sanchez, Keir Starmer dhe Mette Frederiksen. Në tekst thuhet se vetëm Danimarka dhe Groenlanda kanë të drejtë të vendosin për çështje që i përkasin këtyre territoreve.

Dokumenti distancohet nga qëndrimet e Trump, pa krijuar, të paktën në këtë fazë, një përplasje të drejtpërdrejtë diplomatike me Shtëpinë e Bardhë. Ndonëse, Shtetet e Bashkuara përshkruhen si një partner thelbësor në këtë zonë, siguria e Arktikut, sipas deklaratës, duhet të ndërtohet së bashku me SHBA-në dhe partnerët e NATO-s.

Deklarata është përgatitur pas një procesi negociues mes vendeve evropiane, i nisur me nismën e Francës, Gjermanisë dhe Mbretërisë së Bashkuar. Italia ka qenë e përfshirë në diskutime që prej pasdites së mëparshme, me negociata të zhvilluara rresht për rresht mbi përmbajtjen e tekstit.

Në Itali, firmosja e dokumentit nga Giorgia Meloni është vlerësuar si me një peshë të veçantë, duke qenë se ajo konsiderohet një nga lideret euopiane më pranë Trump. Për këtë arsye, kryeministrja italiane ka kërkuar që formulimet e deklaratës të shmangin çdo rrezik për tensione me Shtetet e Bashkuara./Corriere

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 10:02
Deklaratat për aneksimin e Groenlandës, deputeti i Danimarkës: Trump është një 'ngacmues', por ne nuk kemi frikë nga pushtimi

Deputeti danez Lars-Christian Brask, tha se Danimarka po i merr seriozisht kërcënimet për aneksimin e Groenlandës nga Donald Trump.

“Nuk është se kemi frikë se Groenlanda ose Danimarka do të pushtohen nga SHBA-të”, i tha ai  prezantuesit Wilfred Frost, shkruajnë mediat e huaja.

Kur u pyet nëse beson se kërcënimet kundër vendit të tij janë reale, Brask thotë se ato duhen marrë seriozisht.

“Ai është një ngacmues, por të fillosh të pushtosh një vend aleat, një aleat që të ka ndihmuar në luftën kundër terrorizmit, në Afganistan, në Irak dhe ka pasur një marrëdhënie, një marrëdhënie të ngushtë për 80 vitet e fundit... është kaq e vështirë të imagjinohet që një partner, një mik do të ta bënte këtë”, tha ai më tej.

"Duhet të zbulojmë se çfarë është e rëndësishme për Trumpin", vijoi Brask.

Brask shtoi se mendon që kryeministri britanik Sir Keir Starmer është një nga udhëheqësit e fundit evropianë që mbështet Danimarkën.