Toka duket përvëluese edhe kur shihet nga hapësira. Vala e të nxehtit është regjistruar nga sateliti Copernicus Sentinel-3 i Agjencisë Europiane të Hapësirës (ESA), i cili mat temperaturën në sipërfaqen e planetit.
Sateliti regjistroi pothuajse 50°C në Madrid me vlerën që i kaloi 48°C. 46°C ishte temperatura në Poitiers të Francës dhe Saragozë të Spanjës, si edhe 44°C në Romë. Temperatura e sipërfaqes thotë gjencia është më e lartë se ajo e ajrit, veçanërisht aty ku ka asphalt. Tashmë "vala e jashtëzakonshme e të nxehtit në Evropë" është bërë lajm edhe në njoftimet zyrtare të ESA-s.
Në Europë, masa e ajrit të nxehtë, e ushqyer nga ajri i ardhur nga Maroku dhe Algjeria, po zgjerohet. Nga Spanja, Franca dhe Britania e Madhe, ajo do të shtrihet duke filluar nga sot drejt Holandës, Belgjikës dhe Gjermanisë.
Prefekti i Parisit, Patrice Faure, paralajmëroi se "numri i të shtruarve në spital po rritet vazhdimisht" dhe njoftoi se nga kjo e premte do të ndalohet konsumimi i alkoolit në ambiente të hapura pasi në diell efektet janëë shkatërrues.
Mbretëria e Bashkuar dje theu edhe një rekord tjetër të temperaturës për muajin qershor, duke arritur 36,4°C. Pas mbylljes së Kullës Eiffel për shkak të vapës dhe zgjerimit të tepërt të metalit, edhe Berlini ndërpreu vizitat në kupolën prej xhami të Reichstag-ut, e cila ishte kthyer në një furrë.
Spanja, që dje arriti 45°C në Andaluzi, ka llogaritur 212 vdekje nga e diela deri të mërkurën. Në Francë, një fëmijë i tretë humbi jetën pasi u la vetëm në një makinë, jo larg Parisit.
Listës së personave që janë mbytur duke kërkuar freski (48 gjithsej në Francë dhe 20 të tjerë në Gjermani) iu shtua dje edhe futbollisti Kenzo Kies, 21 vjeç. Ai luante për Guingamp (Ligue 2) dhe të hënën ishte hedhur në lumin Rodan me miqtë e tij, në një zonë ku noti ishte i ndaluar. Rryma e fortë i mori me vete.
Të enjten, në Romë, ministri italian i Shëndetësisë, Orazio Schillaci, mblodhi një tryezë të posaçme për emergjencën e valës së të nxehtit. Ai kërkoi vëmendje të veçantë për ngjarjet e mëdha të verës, sidomos koncertet, dhe parashikoi krijimin e një shërbimi të dedikuar në urgjencat spitalore për trajtimin e goditjeve nga nxehtësia, veçanërisht për personat më të rrezikuar.
Në Itali përveç pak qyteteve në jug që po i ruhen stuhive verore të shiut harta e alarmit për shkak të vapës është ngjyrosur kryesisht me të kuqe dhe portokalli në të gjithë vendin.
Vala e të nxehtit po zhvendoset drejt Europës Qendrore, me temperatura ekstreme që pritet të përfshijnë Belgjikën, Holandën, Gjermaninë dhe vende të tjera të rajonit. Sipas parashikimeve, Frankfurti do të arrijë sot 39 gradë Celsius, Amsterdami dhe Bolonja 37 gradë, Brukseli dhe Gjeneva 36 gradë, ndërsa Praga dhe Zyrihu 35 gradë.
Në Londër dhe Zagreb termometri pritet të shënojë 34 gradë Celsius. Autoritetet paralajmërojnë se kulmi i valës së të nxehtit në Europën Qendrore do të arrihet gjatë fundjavës, kur temperaturat pritet t'i afrohen 40 gradëve në Berlin të shtunën, ndërsa të dielën në Pragë dhe Varshavë.

Policia e Parisit njoftoi të premten se u kërkoi organizatorëve të Marshimit të Krenarisë, i cili ishte planifikuar për të shtunën të anulohej për shkak të një vale të jashtëzakonshme të nxehtësisë që ka ngarkuar shërbimet e urgjencës dhe spitalet në kryeqytetin francez.
Në rast se nuk do të anulohet, policia paralajmëroi se do ta ndalonte atë plotësisht. Marshimi përgjithësisht mbledh dhjetëra mijëra njerëz në rrugët e qytetit.
Policia kishte lëshuar të njëjtën kërkesë për një festival muzikor të quajtur Solidays dhe një takim atletik në Stade Charlety, të cilët pritej të tërhiqnin gjithashtu dhjetëra mijëra njerëz.

Valët gjithnjë e më të shpeshta të të nxehtit nuk po sjellin vetëm probleme shëndetësore, por po kthehen edhe në një rrezik serioz për ekonominë europiane. Ekspertët paralajmërojnë se temperaturat ekstreme po ulin produktivitetin dhe po pengojnë aktivitetin në sektorë si ndërtimi, bujqësia, industria, tregtia dhe hoteleria, ku puna zhvillohet kryesisht në ambiente të pambrojtura nga vapa.
Sipas Robert Marks, ekonomist i klimës në Oxford Economics, një valë të nxehti katërditore mund të ulë rritjen tremujore të produktivitetit të punës me 1.5 pikë përqindjeje në Britaninë e Madhe dhe deri në 2 pikë përqindjeje në pjesën tjetër të Europës Perëndimore.
Këta sektorë përbëjnë 27% të aktivitetit ekonomik në Britani dhe mesatarisht 35% në Europën Perëndimore. Ndërkohë, Organizata Ndërkombëtare e Punës parashikon se deri në vitin 2030 humbjet më të mëdha të orëve të punës do të regjistrohen në bujqësi dhe ndërtim.
Edhe studiuesit e Allianz e konsiderojnë vapën ekstreme një “rrezik strukturor ekonomik” për Europën, duke theksuar se Franca, Spanja dhe Italia janë ndër vendet më të ekspozuara, pasi humbjet në produktivitet rriten ndjeshëm kur temperaturat kalojnë 30 gradë Celsius, ndërsa shtohen edhe kostot e energjisë për ftohjen e ndërtesave dhe makinerive.
Vala e të nxehtit që ka përfshirë Europën po arrin kulmin këtë të premte.
Sipas vlerësimeve të AFP, të paktën 150 milionë europianë do të përjetojnë temperatura mbi 35 gradë Celsius, një rritje e ndjeshme krahasuar me dy ditët e mëparshme, kur 94 milionë persona u përballën me këto temperatura të mërkurën dhe 101 milionë të enjten.
Në total, më shumë se 420 milionë banorë në Europë, pa përfshirë Turqinë, pritet të kenë temperatura mbi 30 gradë Celsius, që përbën rreth 70% të popullsisë së kontinentit.
Vala historike e të nxehtit që ka përfshirë Francën ka detyruar Bashkinë e Parisit t'u kërkojë ndihmë zinxhirëve të mëdhenj të supermarketeve, pasi zjarrfikësit rrezikonin të mbeteshin pa akull për trajtimin e personave me goditje nga i nxehti.
Sipas dy burimeve nga industria, kabineti i kryetarit të bashkisë, Emmanuel Grégoire, ka kontaktuar kompanitë e mëdha të shitjes me pakicë për të siguruar rezerva akulli. Drejtori ekzekutiv i Carrefour, Alexandre Bompard, njoftoi se kompania kishte dhuruar katër tonë akull për zjarrfikësit e Parisit.
E marta, e mërkura dhe e enjtja kanë qenë ditët më të nxehta të regjistruara ndonjëherë në historinë e Francës, ndërsa temperaturat në Paris kanë arritur rreth 40 gradë Celsius dhe pritet të mbeten të larta deri të dielën.
Kryebashkiaku i Parisit tha se vala e të nxehtit ka sjellë rritje të vdekshmërisë, pa dhënë shifra, ndërsa ministrja franceze e Shëndetësisë, Stéphanie Rist, bëri të ditur se në 24 orë janë regjistruar 25 arrestime kardiake në Paris, krahasuar me më pak se 10 në një ditë normale.
Komente






