Eurostat/ Pandemia më fatale te meshkujt, përbëjnë 65% të shtesës së vdekjeve në vend

Pandemia e COVID-19, e cila ka rritur ndjeshëm vdekshmërinë në vend, duke filluar që nga muaji qershor, po rezulton më fatale te meshkujt, një tendencë e konstatuar në të gjithë globin.

Eurostat ka publikuar të dhënat e vdekjeve për Shqipërinë, me bazë javore, që janë të disponueshme për 9-mujorin (nga data 30 dhjetor 2019 deri në javën e fundit të shtatorit 2020, data 27, gjithsej 39 javë), të ndara sipas gjinisë.

Sipas shifrave të Eurostat, të përpunuara nga “Monitor”, për këtë periudhë të 2020-s, vdekjet në vend u rritën me 7%, duke arritur në 17.7 mijë. (shih grafikun: Vdekjet javore në Shqipëri, 9-mujori).

Në total, janë 1,171 jetë të humbura më shumë, për janar- shtator në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, që në pjesën më të madhe ka ardhur si rrjedhojë e pasojave të pandemisë. Nga kjo shtesë e vdekjeve, rreth 760 persona janë meshkuj, ose rreth 65% e totalit të teprisë së fataliteteve. (shih grafikun: Shtesa javore e vdekjeve sipas gjinisë, 2020/2019, janar-shtator).

Në vite normale, sipas të dhënave të Eurostat për 2019-n, në vend, meshkujt përbënin rreth 50-54% të totalit të vdekjeve, ndërsa në tremujorin e tretë të 2020-s, ka javë kur kjo peshë është rritur deri në 62% të totalit, për shkak të shtesës më të lartë të fataliteteve të burrave në raport me të grave. (shih grafikun: Pesha e vdekjeve të meshkujve ndaj totalit 9-mujori, sipas javëve).

Edhe të dhënat globale tregojnë se ka një vdekshmëri më të madhe nga COVID-19 tek meshkujt, me raportin e fatalitetit që luhatet midis 1·0, deri në 3·5 në disa raste. Revista shkencore “The Lancet” shkruante se të dhënat globale kanë treguar se të dy faktorët biologjikë (përgjigjet më të forta imune) dhe faktorët e rrezikut të sjelljes (p.sh. pirja e duhanit dhe zakone të tjera të jetesës) i vënë burrat në një risk më të madh për komplikime shëndetësore dhe vdekje, si pasojë e COVID-19.

Sipas “The Lancet”, burrat e kanë dy herë më të lartë rrezikun e vdekjes nga COVID-19, duke u ndikuar nga sërë hipotezash, nga stilet e jetesës dhe faktit që gratë zakonisht kanë sistem më të fortë imunitar, falë hormoneve femërore, si dhe strukturës së kromozomeve.

Studimet kanë treguar se jo vetëm që sistemi imunitar tek burrat është më i dobët, por në disa raste të rënda të koronavirusit, ai mund të çakordohet. Një studim i gati 1000 pacientëve me COVID-19 në gjendje kërcënuese për jetën, botuar në “Science” në shtator, gjeti prova të vetësabotimit molekular. Sistemi imunitar po vepronte kundër mbrojtjes së trupit, ashtu si rojet rebele të kalasë që copëtonin portat e tyre. Kjo problematikë ishte shumë më e përhapur tek burrat sesa tek gratë.

Pasojat e pandemisë filluan të ndihen nga java e fundit e qershorit

Në vite normale, vdekshmëria është më e lartë në vend në tremujorin e parë të vitit, ku për shkak të motit të ftohtë bie sistemi imunitar dhe fatalitetet janë më të larta tek të moshuarit.

Në 2020-n, për shkak të pandemisë tendenca ka ndryshuar. Sipas të dhënave të Eurostat, që i publikon fatalitetet me bazë javore, deri në fund të majit, vdekjet fatalitete në vend shënuan rënie të lehtë me bazë vjetore, teksa karantina e mars-majit frenoi valën e parë të pandemisë në vend.

Rritja e lartë e vdekshmërisë filloi në javën e 26, që përkon me fundin e qershorit (22-28 qershor), pas javë pas lehtësimit të kufizimeve. Në atë javë u shënuan 530 humbje jete, me rritje prej 24% në krahasim me të njëjtin muaj të një viti më parë. Pas një përmirësimi të lehtë, fatalitetet kulmuan në javët 31-35 (27 korrik deri në 30 gusht), me një rritje prej 45-50% të vdekjeve totale në dy javët e fundit të gushtit. Në javën e fundit të korrikut u shënua dhe rekordi javor i 578 vdekjeve (+57%).

Situata u lehtësua më pas deri në fund të shtatorit, për të filluar me valën tjetër, që kulmoi në nëntor e dhjetor.

Eurostat përditëson të dhënat për BE; Shqipëria rezulton me rritjen më të lartë të vdekjeve në nëntor-dhjetor

Në një tjetër publikim, Eurostat ka përditësuar dje të dhënat për shtesën e vdekjeve sipas muajve për vendet e Bashkimit Europian gjatë 2020-s. Sipas Eurostat në total, mbi 450 000 vdekje të tjera ndodhën në BE midis marsit dhe nëntorit 2020 krahasuar me të njëjtën periudhë në 2016 – 2019.

Gjatë fazës së hershme të COVID-19, vdekshmëria e tepërt në BE arriti kulmin e saj të parë në prill 2020, me një rritje prej 25% krahasuar me mesataren e të njëjtit muaj mbi 2016 – 2019. Midis majit dhe korrikut, u regjistrua një nivel më i ulët i vdekshmërisë së tepërt, ndërsa një tjetër rritje e vdekshmërisë filloi në gusht – shtator me valën tjetër të pandemisë. Vdekshmëria e tepërt në BE ishte 8% mbi mesataren në shtator, + 17% në tetor dhe + 40% në nëntor, me treguesin në rritje në të gjitha Shtetet Anëtare të BE.

Megjithëse vdekshmëria e tepërt u vu re gjatë gjithë vitit, në të gjithë Europën, kulmet dhe intensiteti i shpërthimeve ndryshuan shumë në të gjithë vendet. Nga tabelat e publikuara nga Eurostat rezulton se rritjen më të lartë të fataliteteve e kishin Polonia, me 97.2% në nëntor dhe Sllovenia me gati 80% në dhjetor. Italia, e para që u godit nga vala e pandemisë, shënoi kulmin në mars dhe prill (+49.4 dhe +41.5%), dhe pas lehtësimit në verë, në nëntor fatalitetet e rritën sërish me 49.5%.

Për Shqipërinë, Institucioni zyrtar përgjegjës për statistikat, INSTAT, e ka shtyrë publikimin e të dhënave vjetore, që ishte parashikuar në datën 12 shkurt. Por, të dhënat zyrtare nga Drejtoria e Gjendjes Civile, të publikuara më herët nga “Monitor”, bëjnë të ditur se në total, në 2020-n u shënuan rreth 28 mijë vdekje në vend, ose rreth 6 mijë më shumë se një vit më parë (+27.3%). Sipas Gjendjes Civile në këtë shifër përfshihen vetëm vdekjet e ndodhura brenda vendit.

Të dhënat mujore treguan se rritja e fataliteteve ishte shumë e lartë në nëntor dhe dhjetor. Në nëntor u shënuan gjithsej rreth 3,370 jetë të humbura, me një rritje prej 111% në krahasim me të njëjtën periudhë të një muaji më parë. Në dhjetor, ku u shënua një rekord i ri prej rreth 4,160 jetë të humbura, me një rritje prej 98% në krahasim me dhjetorin e një viti më parë. Këto ritme rritjeje janë më të lartat në Europë deri tani./ Monitor 

J.GJ./b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Rama akuzon PD-në: Nxit akte anti-shqiptare në tokë të huaj

Rama akuzon PD-në: Nxit akte anti-shqiptare në tokë të huaj