E gjithë vëmendja globale është përqendruar tek Lufta në Gjirin Persik dhe kriza e re që po sjell bllokimi i Ngushticës së Hormuzit.

Shoqata e Industrisë së Aeroporteve në Evropë thotë se fluturimet mund të rrezikohen, nga mungesa e furnizimit me karburantë të avionëse. Koha e kësaj krize të pritshme, nuk është e largët, thotë shoqata, pasi nëse Hormuzi nuk hapet brenda tre javësh, do të ketë mungesë karburanti që mund të cojë në reduktime të fluturimeve në prag të sezonit turistik.

“Rezervat strategjike”, në këto kushte janë më të rëndësishme se kurrë, por a rrezikohet edhe Shqipëria?

Autoriteti i Aviacionit Civil thotë për Report TV se “nuk parashikohet të ketë probleme me furnizimin me karburant”.

Avicioni sqaron se “nëse kriza është afatshkurtër, Shqipëria nuk do të preket nga kriza e karburanteve të avionëve”.

Por për sa kohë kemi furnizim me karburant për avionët? Sipas Autoritetit të Aviacionit Civil nëse lufta zgjat deri në muajin maj, “furnizimi me karburant është i garantuar për gati 5 muaj”.

Por nëse konflikti në lindjen e mesme nuk mbyllet dhe lufta do të vazhdojë përtej muajit maj, Avicioni thotë se edhe “Shqipëria do të përballet me probleme me furnizimin me karburant për avionët”.

“Aktualisht kemi 5 muaj karburant të siguruar. Nëse lufta dhe kriza zgjat përtej muaji maj, edhe Shqipëria do të përballet me probleme me furnizimin me karburant për avionët”, sqaron për Report Tv Autoriteti i Aviacionit Civil.

Në Itali kanë nisur kufizimet e para. Në 7 aeroporte atje, është ndaluar të bëhet furnizimi me karburant i avionëve që ndalen për tranzit për të shkuar në destinacionin e radhës. Për pasojë, Aviacioni Civil, sqaron se “avionët po furnizohen më shumë se zakonisht në Shqipëri për itinerarin e plotë të fluturimeve. Konsumi i tepërt i karburantit në këtë situatë, do të vinte në pikëpyetje edhe rezervat 5 mujore që Aviacioni thotë se ka nëse lufta mbyllet në maj.  Pyetjes nëse Shqipëria ka në plan të reduktojë fluturimet për të ruajtur rezervat që ka aktualisht, Autoriteti i Aviacionit Civil, thotë se nuk po diskutohet një skenar i tillë, pasi ende nuk janë shfaqur probleme në furnizim.

Aktualisht karburanti për avionë për tregtohet me 1464 dollarë një ton. Sipas indeksit të çmimeve globale të këtij produkti, prilli regjistroi dyfishim të çmimit për fuçi, nga rreth nivelit 100 dollarë që luhatej para nisjes së luftës, arriti në 209 dollarë në ditët e para të këtij muaj.