Një zjarr i fuqishëm ka rënë sot në qendër të qytetit të Fushë-Krujës. Ai ka shpërthyer rreth orës 14:30  në ish-ndërmarrjen e grumbullimit në një mal me mbetje teknologjike të fabrikës së këpucëve.
 
Çuditërisht këto plehra që janë burim i përhershëm zjarri dhe ndotjeje janë lejuar të grumbullohen në qendër të qytetit.
 
Nga zjarri janë rrezikuar disa banesa. Tymi dhe gazrat e çliruara nga djegia e këtyre mbetjeve teknologjike kanë shkaktuar një ndotje të tmerrshme të ajrit  aq sa banorët thonë se gjendja është e padurueshme dhe ky fenomen ndodh të paktën çdo 10-15 ditë.
 
Prania e gazetarëve i ka shqetësuar mjaft personat që kryejnë këtë veprim antiligjor dhe madje kanë kërcënuar edhe gazetarët që të largohen ose do për ndryshe do t’u thyejmë kamerat.
 
Policia ka shoqëruar dy persona përgjegjës për vënien e zjarrit dhe grumbullimin e mbeturinave, zjarri është lokalizuar nga ndërhyrja e zjarrfikësve të cilët fillimisht kanë izoluar përhapjen e tij të mëtejshme dhe pastaj shuarjen e tij zjarri ka vazhduar mbi dy orë.

Redaksia Online
(f.s/shqiptarja.com)