Fabula boshe e 'dashnorit' të integrimin europian Ilir Meta, faktet që rrëzojnë presidentin e PD-LSI

Fabula boshe e 'dashnorit' të integrimin europian Ilir Meta, faktet që rrëzojnë presidentin e PD-LSI

Ilir Meta

Ilir Meta, që kur ka nisur përplasjen e luftën me mazhorancën aktuale, ka përdorur si “kalë beteje” integrimin europian.

Nuk rresht gjithmonë së thëni se ka qenë ai që ndër vite ka shpëtuar Shqipërinë që të zhbllokojë çështjen e integrimit në BE. Në fakt, ka qenë e kundërta.

Mjafton që të përmendin vetëm rastin e vitit 2016 e më pas, kur ka qenë Meta që është përplasur për reformën me drejtësi me të gjithë vendet kryesore të BE-së, ku nuk ka lënë pa sulmuar direkt ambasadorë e indirekt me militantw të tij, duke shkuar deri tek cilësimi “non grata” i ambasadorit të OSBE-së në Tiranë, Bernd Borchardt, i cili është një nga anëtarët më të respektuar të trupit diplomatik të Republikës Federale të Gjermanisë.

Ambasadori Borchardt është një kollonë e rëndësishme diplomatike e Berlinit për shqiptarët: ka qenë ndihmësi i ambasadorit Walker në misionin e OSBE-së në 1999, kur u zbulua dhe u sulmua Millosheviçi për masakrën e Raçakut, zv.shef i misionit gjerman në Kosovë, ka qenë ambasador i Gjermanisë në Tiranë, kreu i EULEX në Kosovë dhe kreu i Misionit të OSBE në Tiranë.

Ndërkaq, Meta me qëndrimet kundër reformës në drejtësi, vetëm ka dëmtuar rolin e vendit krahas BE-së, pasi ai nuk ka qenë një lojtar politik, por njëherë ka qenë figura e tretë e shtetit, e sot kreu i tij.

Ndërkaq, edhe kur thotë që në të shkuarën ai ka qenë shpëtuesi i procesit të integrimit, nuk përmend aspak faktet reale.

Meta thotë se në vitin 2005, kalimi i tij me LSI-në, që ndihmoi rotacionin politik, solli firmosjen e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit. Por gjërat nuk janë kështu.

BE ndëshkoi Shqipërinë pikërisht kur Ilir Meta ishte kryeministër, pasi institucione qeveritare ndikuan për të prishur zgjedhjet e vitit 2001.

Raportet ndërkombëtare flisnin për nivel të lartë korrupsioni dhe administrata ishte jo thjesht militante, por e lidhur ngushtë me kryeministrin.

Në atë kohë doli dhe anektoda: Çfarë punon, skraparli në Kryeministri!

Firmosja e MSA-së nga kryeministri Sali Berisha, nuk u bë thjesht sepse u krye rotacioni, por Shqipëria kreu një proces zgjedhor që u pranua nga të gjitha palët.

E këtu ka rolin e vet edhe qeveria e Fatos Nanos, që u soll në mënyrë civile.

Marrim vitin 2009, kur Ilir Meta thotë se ai shpëtoi procesin e liberalizimit të vizave.

Shqipëria nuk përfitoi liberalizimin e vizave as nga Ilir Meta, as nga Sali Berisha e as nga Lulzim Basha.

Bashkimi Europian vendosi që të liberalizojë vizat në vitin 2010 për të gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor që kishin hyrë në procesin e integrimit me BE-në.

Bosnjë-Hercegovina dhe Kosova nuk kishin hyrë ende. Bosnja, ngaqë ka probleme me Republika Srpskan, ndwrsa Kosova kishte vetëm 2 vjet që u shpall e pavarur dhe 5 vendet e BE që refuzojnë edhe sot të njohin Kosovës, e kondicionojnë fort procesin e saj të integrimit.

Vendet e tjera u futën në paketë: siç janë Kroacia(e cila nuk ishte bërë ende anëtare e BE), Mali i Zi, Serbia, Maqedonia dhe Shqipëria.

Kushtet që plotësoi Shqipëria kishin të bënin me dokumentet biometrikë, sistemin TIMS dhe disa kushte administrative.

Kriteret politike apo ato që quhen kriteret e Kopenhagenit, Shqipëria nuk i plotësoi as në 2009, as në 2010.

Ja ç’thotë Progres Raporti i BE-së për vitin 2009:

”Zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit, sipas vlerësimit të zyrës së OSBE-së për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR), përmbushën shumicën e angazhimeve të OSBE-së, por nuk realizuan plotësisht potencialin e Shqipërisë për arritjen e standardeve më të larta në zgjedhje demokratike.

U arrit progres i prekshëm në identifikimin e zgjedhësve, kuadrin ligjor dhe procesin e votimit, por politizimi i proceseve teknike si numërimi i votave, mbetet për t’u korrigjuar në zgjedhjet e ardhshme.

Marrëdhëniet ndërmjet institucioneve shtetërore vazhduan të jenë herë-herë të vështira.

Prirja e ekzekutivit për të ushtruar kontroll mbi institucionet e pavarura, veçanërisht mbi gjyqësorin, ka ngjallur shqetësime”.

Në vitin 2010, BE nuk publikoi një Progres Raport, por një raport analitim mbi aplikimin që Shqipëria bëri tek Presidenca çeke e BE-së nga ana e Sali Berishës, duke vendosur si karrem shitjen e OSHE për kompaninë CEZ dhe blerjen e helikopterëve ushtarakë nga ana e Francës.

Në këtë raport theksohet: “Parlamenti nuk funksionon plotësisht si institucion i pavarur dhe për këtë arsye nuk ushtron në mënyrë efektive dhe eficente funksionin e tij të mbikëqyrjes dhe kontrollit mbi qeverinë.

Kultura politike është e pafavorshme për dialogun politik konstruktiv.

Që nga zgjedhjet e qershorit 2009, veprimtaria parlamentare është penguar nga ngërçi politik mes partive të shumicës dhe Partisë Socialiste në opozitë.

Duhet t’u jepet një zgjidhje e plotë rekomandimeve të OSBE-ODIHR për zgjedhjet e 2009 dhe të zbatohen ato deri në fund duke pasur parasysh zgjedhjet e ardhshme.

Zbatimi i duhur dhe respektimi i legjislacionit cenohet nga cilësia e dobët e akteve legjislative.

Për më tepër, zbatimi i ligjit pengohet hera-herës nga mungesa e kuptimit të plotë të rolit shoqëror dhe politik të ligjeve nga ana e institucioneve përkatëse të sektorit publik; këto për pasojë, nënvlerësojnë disa rregulla ligjore.

Ka pasur raste kur respekti për ligjin dhe shteti i së drejtës janë vënë në pikëpyetje nga qeveria, ku vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë kundërshtuar ose madje edhe nuk janë marrë parasysh”.

Ja ç’thuhet në raportin e 2011, kur Shqipëria telendiset për 21 janarin, zgjedhjet lokale të 8 majit, që natyrisht cilësohen problematike, por po përmendim vetëm një pikë: “Nuk është bërë përparim në luftën kundër korrupsionit brenda sistemit gjyqësor.

Imuniteti i plotë që gëzojnë gjyqtarët është një nga faktorët kryesorë që pengon hetimet për rastet e mundshme të korrupsionit brenda sistemit gjyqësor.

Imuniteti i gjyqtarëve duhet të kufizohet apo të hiqet, gjë që kërkon ndryshime kushtetuese.

Kushtet jo të mira të punës dhe rrogat relativisht të ulëta të gjyqtarëve, janë faktorë rreziku për korrupsion në sistemin gjyqësor”.

Jemi në vitin 2011, pra BE ka kërkuar qartë ndryshimin e sistemit gjyqësor, ku pas vitit 2013 hyri hapur me Euralius e më pas me ONM-në.

Si Euraliusin, ashtu edhe ONM-në, Ilir Meta i ka shpallur armike të hapura.

Atëherë përse e përsërit fabulën e mbrojtjes së integrimit?

Natyrisht që është teori boshe, por që s’mban askund pasi kullon gjithandej!/ Gazeta "Tema"

J.GJ./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Si është gjendja e Metës? Faik Basha: Po drejton aksionin opozitar nga burgu! Së shpejti do lirohet, në 2025 kandidat për kryeministër

Si është gjendja e Metës? Faik Basha: Po drejton aksionin opozitar nga burgu! Së shpejti do lirohet, në 2025 kandidat për kryeministër