'KËNDI I EKSPERTIT'/ Fadil Kepi: Pagesa e papunësisë, kushtet për ta përfituar

Në emisionin “Këndi i Ekspertit” në Report TV, të drejtuar nga gazetarja Valbona Mhilli, në rubrikën “Pensioni im”, si çdo javë ishte i ftuar Prof. Dr. Fadil Kepi. Eksperti i mirënjohur i problematikave të pensioneve ka folur këtë javë për pagesën e papunësisë. Profesor Kpi ka sqaruar se çfarë është pagesa e papunësisë dhe cilat janë kushtet për ta përfituar këtë pagesë. Po kështu ai ka sqaruar edhe se çfarë dokumentesh duhen paraqitur për të përfituar pagesën e papunësisë. Më pas eksperti ynë u është përgjigjur pyetje live nga qytetarët në Report TV për problematika të ndryshme që ata kanë rreth çështjeve të pensioneve.

Sot do të flasim për pagesën e papunësisë. Çfarë është pagesa e papunësisë? Cilat janë kushtet për ta përfituar këtë pagesë? Si paguhet ajo? A njihet si vjetërsi pune? Sa kohë zgjat kjo pagesë? Çfarë dokumentesh duhen paraqitur për të përfituar pagesën e papunësisë?

Sips Vendimit të Këshillit të Ministrave, me nr. 161, të datës 21 mars 2018, i cili është botuar në “Fletoren Zyrtare” nr. 41, “Për pagesën e papunësisë”, ose asistencën, siç thuhet në gjuhën e përditshme.

Shtrohet pyetja: kush e përfiton pagesën e papunësisë? Të gjithë personat, të cilët janë në marrëdhënie pune, në sektorin shtetëror ose në sektorin privat, kur u shkurtohet vendi i punës dhe kanë më shumë se një vit që paguajnë kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, dhe shkurtimi i vendit të punës nuk është për faj të tyre, atëherë ata marrin pagesë papunësie ose asistencë. Kur personi ka një vit pune, asistenca është 3 muaj, ndërsa kur ka më shumë vite pune, asistenca vjen duke u rritur.

Sa paguhet asistenca?

Po sipas vendimit të Këshillit të Ministrave, që citova më lart, asistenca është e barabartë me 50% të pagës minimale. Deri në fund të vitit 2018, meqenëse paga minimale në shkallë vendi, e detyrueshme për t’u zbatuar, ishte 24.000 lekë të rinj në muaj, pagesa e papunësisë ishte gjysma, pra 12.000 lekë të rinj në muaj. Meqenëse nga data 1 janar e vitit 2019, me një vendim të veçantë të Këshillit të Ministrave, me nr. 809, i datës 26 dhjetor 2018, nga 1 janari paga minimale mujore për punonjësit në shkallë vendi, është e detyrueshme të zbatohet për çdo person juridik, fizik, vendës dhe të huaj, është 26.000 lekë të rinj në muaj. Atëherë, pagesa e papunësisë është gjysma e kësaj vlere, pra 13.000 lekë të rinj në muaj. Por, përveç kësaj, të gjithë prindërit, të cilët kanë fëmijë deri të moshës deri në 25 vjeç, të mitur, në shkollë 9-vjeçare, në shkollë të mesme apo në shkollë të lartë, për çdo fëmijë marrin 5% shtesë të kësaj shume, por jo më shumë se 30%, jo më shumë se për 6 persona. Ka raste kur prindërit janë të divorcuar. P.sh., kur prindërit divorcohen dhe kanë dy fëmijë të mitur. Gjykata me vendimin e saj ia ka caktuar fëmijët nënës. Nëse kjo nënë mbetet pa punë dhe paguhet me asistencë, përveç 50% të shumës së rrogës minimale mujore, do të marrë për çdo fëmijë të mitur, 5% shtesë mbi këtë shumë.

Cilat janë dokumentet që duhen dorëzuar për të përfituar pagesën e papunësisë dhe në cilin institucion duhen dorëzuar?

Dokumentet janë të thjeshta dhe dorëzohen në zyrat e punës. Dokumentet janë: kërkesa për pagesën e papunësisë ose asistencën; libreza e punës, kur nga qendra e punës është shënuar: shkurtohet vendi i punës dhe prandaj del në asistencë; certifikata e gjendjes familjare, sepse duhen ditur se çfarë personash ka në ngarkim; vërtetim nga shkolla për fëmijët që janë në moshën mbi 18 vjeç.

Sqaroj gjithashtu, se mundet që, gjatë asistencës, qendra e punës ta thërresë personin që ai të fillojë punë. Zyrat e punës duhet që t’i shikojnë me përparësi rastet e prindërve të divorcuar, për t’i punësuar ata sa më shpejt që të jetë e mundur. Dhe në rastin kur personi fillon përsëri punë, atëherë ndërpritet asistenca dhe nëse ai do të punojë për një periudhë të caktuar kohe, atëherë pjesën e mbetur të asistencës do ta vazhdojë pasi të përfundojë kontratën e punës.

A njihet si vjetërsi pune periudha e pagesës së papunësisë?

Asistenca njihet si vjetërsi pune, për tre lloje pensionesh: për pension pleqërie, për pension invaliditeti dhe për pension familjar. Ka raste që një person, gjatë jetës së tij, mund të marrë më shumë se një herë asistencë. Të gjithë këta muaj mblidhen dhe njihen si vjetërsi pune për efekt pensioni.

Unë do të sugjeroja që, të gjithë personat, të cilëve u shkurtohet vendi i punës, të marrin sqarime te zyra e punës në njësinë administrative, ku ata banojnë.

Jam një qytetar nga Berati, nga Ura Vajgurore. Kam dalë në pension në datën 30 nëntor 2018. Kam paguar kontributet e sigurimeve shoqërore e shëndetësore për 21 vite. Kam lindur në vitin 1953. Kam punuar në kooperativë bujqësore, përfshi këtu edhe 3 vite e 7 muaj që kam kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarak. Si përfundim, pensioni më ka dalë 9.700 lekë të rinj në muaj, sepse nuk më njihen vitet që kam punuar në kooperativë bujqësore, pasi të dhënat rezultonin ndryshe nga regjistri. Kam bërë ankesë në Drejtorinë e Sigurimeve Shoqërore në Berat dhe atje më thanë që duhet të hap një proces gjyqësor. Unë nuk kam lekë që të paguaj për seanca gjyqësore.

Deri më 31 dhjetor të vitit 2018, për të marrë pension të plotë, ju duhej që të plotësonit dy kushte: kushti i parë, mosha 65 vjeç, kusht ky të cilin e keni plotësuar dhe kushti i dytë, që duhej të kishit të siguruara 36 vite e 4 muaj punë, nga mosha 16 vjeç e lart, qoftë në ish-kooperativë bujqësore, qoftë në sektorin privat, përfshi këtu edhe pagesën e papunësisë nëse keni marrë asistencë, edhe periudhën që keni qenë ushtar. Juve ju ka dalë problemi që nuk ju gjenden vitet e punës që keni punuar në ish-kooperativë bujqësore. Ky nuk është faji juaj, por nuk është as faji i Sigurimeve Shoqërore, sepse Sigurimet Shoqërore e kanë të detyrueshme, pavarësisht sesa vite deklaroni ju apo keni në librezën e punës, që të verifikojnë vitet tuaja të punës. Ju keni marrë një përgjigje negative nga Sigurimet Shoqërore, që nuk ju njohin këto vite. Unë mendoj që, së pari, duhet t’i bëni një ankesë, pavarësisht se keni marrë përgjigje me shkrim nga Drejtoria e Sigurimeve Shoqërore në Berat, Komisionit të Ankimit pranë Sigurimeve Shoqërore të Beratit, ku të deklaroni se nuk jeni dakord me vitet e punës që ju janë shënuar në librezën e pensionit. Pasi të merrni përgjigjen nga Komisioni i Ankimit, i cili i verifikon vitet e punës në arkivin qendror në Lundër të Tiranës, dhe nëse përgjigjja do të jetë negative dhe ju nuk do të jeni përsëri dakord, atëherë me dy dëshmitarë, do të shkoni në proces gjyqësor. Nuk keni rrugë tjetër.

Flas nga Elbasani. Jam 66 vjeçe dhe kam 6 vite që kam dalë në pension. Kam pasur 33 vite pune të siguruara dhe pensioni më doli 11.500 lekë të rinj në muaj. Kam disa shoqe të miat, që po me këtë vjetërsi pune, marrin 16.000 lekë të rinj pension në muaj. Këto dy vitet e fundit kam punuar rreth 7 muaj në një ndërmarrje. Po këto muaj a i shtohen pensionit?

Zonja ka dalë në pension para 6 viteve, pra në vitin 2013. Nuk i ka plotësuar kushtet për të marrë pension të plotë sepse në vitin 2013-2014 duheshin rreth 35 vite punë e siguruar. Zonja ka pasur rreth 2 vite pune më pak dhe pensioni i ka dalë në masën 94% të pensionit të plotë. Për sa u përket shoqeve të zonjës që marrin pension më shumë se ajo, ndodh sepse ndikojnë diferencat në pagën mujore që ka marrë secila prej tyre. Unë i sugjeroj zonjës që për të marrë sqarime më të detajuara, të takojë Drejtorin e Sigurimeve Shoqërore të Elbasanit. Nëse përsëri do të mbetet e pasqaruar, atëherë duhet të ankohet te Komisioni i Ankimit në Drejtorinë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore të Elbasanit. Gjithashtu zonja ka të drejtë të bëjë ankesë me shkrim edhe në Komisionin Qendror të Ankimit në Institutin e Sigurimeve Shoqërore në Tiranë.

Jam një qytetare që kam ardhur nga Gjirokastra dhe prej 12 vitesh jetoj në Tiranë. Kam punuar në një familje, por e pasiguruar. Kam bërë kërkesë te Zyra e Punës dhe më thonë që nuk ka punë. Jam 50 vjeçe. Kam edhe burrin 61 vjeç, të papunë. Edhe ai nuk mund të gjejë punë, për shkak të moshës. Në Gjirokastër kam punuar si kuzhiniere dhe në rrobaqepësi.

Me gjithë dashamirësinë e tyre, zyrat e punës nuk mund t’i plotësojnë të gjitha kërkesat për punë që kanë njerëzit. Por, unë personalisht, nëpër Tiranë kam parë dhe shoh lajmërime të vendosura në lokale dhe në ambiente të ndryshme, ku kërkohen kuzhiniere, pastruese e të tjera. Zonja thotë që shkak për të mos gjetur punë është edhe mosha. Në këto lajmërime nuk kam parë që të shkruhet ndonjë moshë e caktuar, por edhe duhet të dimë që, njerëzit profesionistë e kanë njëfarë moshe. Unë mendoj dhe sugjeroj që njerëzit të mos i bëjnë naze punës. Zonja të marrë edhe burrin e saj dhe të paraqitet në ato vende ku kërkohen punonjës. Puna është nder dhe jetë.

G.M./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Ministrat e kryeministrit kanadez Trudeau në Florida për bisedime me ekipin e Trump

Ministrat e kryeministrit kanadez Trudeau në Florida për bisedime me ekipin e Trump