Faik Ballanca, “Nomeja e
largët” një roman ndryshe

Faik Ballanca, “Nomeja e<br />largët” një roman ndryshe
Pasi je njohur me tregimet, novelat dhe reportazhet e Faik Ballancës, natyrisht që ke krijuar një opinion të përgjithshëm për këtë shkrimtar dhe një vlerësim të caktuar, si për të, ashtu dhe për krijimtarinë e tij. Por a është kjo e mjaftueshme dhe e plotë? Sigurisht që jo kur dihet që Faiku ka shkruar dhe një roman.

Në ç’masë kjo vepër i shton vlerat e krijimtarisë letrare të këtij autori, ç’vend zë ajo në kuadrin e gjithë veprës së Ballancës, cila është e reja që shkrimtari sjell nëpërmjet këtij romani, krahasuar me krijimtarinë e tij por, dhe më gjerë, me krijimtarinë letrare të kohës kur jetoi e krijoi: këto dhe shumë pyetje të tjera prej kohësh kanë ngacmuar e tërhequr vëmendjen tonë, duke na çuar drejt përpjekjeve për t’u dhënë një përgjigje të argumentuar, në kuadër të qasjes dhe vlerësimit tërësor të veprës së këtij shkrimtari.

Ashtu si autori edhe vepra e tij e, në rastin konkret, romani “Nomeja e largët” nuk janë të panjohur për lexuesin tonë, i cili tashmë e njeh dhe Ballancën, peripecitë dhe kuadrin e tij tragjik, por dhe tregimet e novelën që, më pas çoi në daljen në dritë të romanit, me atë mori ngjarjesh e personazhesh, të njohur e anonimë, me realitete historike e bashkëkohore dhe me të “njohurin” e “të panjohurin” Bendo.

Megjithatë është shumë pak për një roman të tillë, të mjaftohesh me përcaktimet e mësipërme. Është shumë pak pasi edhe me një lexim të vetëm, bindesh se ke të bësh me një roman ndryshe. Është i tillë jo në kuadër të krijimtarisë së Ballancës, sepse ai nuk shkroi romane të tjerë me të cilët të krahasohej, por dhe në kuadrin e krijimtarisë në plan më të gjerë.

Nuk gabojmë nëse romanin do ta vlerësonim si një risi origjinale në fushën e prozës së gjatë, jo vetëm për periudhën kur u shkrua. Argumentimi tërësor i këtij përfundimi, sigurisht që nuk është objekt i shkrimit tonë. Megjithatë të qenit risi ose roman ndryshe ne do ta mbështesnim në tri elemente:
1. Autori në romanin e tij na ofron një material faktik jetësor që, me pak përjashtime, është në funksion të plotë të idesë që ai kërkon t’i transmetojë lexuesit

2. Nëpërmjet një përzgjedhjeje të përcaktuar saktë e qartë të materialit jetësor, nga dy periudha kohore të ndryshme dhe ndërthurjes së tyre në mënyrë origjinale, ai ia ka arritur të realizojë me sukses një kohezion ideor mes së shkuarës e të tashmes.

3. Në procesin përzgjedhës autori nuk mund të mos qe i vëmendshëm e i kujdesshëm ndaj personazheve si bartës e shprehës të karaktereve të caktuar, por dhe në funksion të plotë me synimet ideoartistike të romanit.

Në këtë pikë do të mjaftoheshim duke sjellë në vëmendjen e lexuesit personazhin e Bendos, i cili përfaqëson një karakter jo vetëm origjinal, por edhe unik në letrat shqipe. Mund të vendosim dhe shumë fakte e elemente të tjera, si në planin e përmbajtjes, ashtu dhe atë të formës që na e përforcojmë përherë e më shumë bindjen se kemi të bëjmë me  një roman ndryshe.

E tillë është struktura kompozicionale e tij (me alternim kapitujsh klasikë dhe historish anonime) ndërthurja e të tashmes me të shkuarën (jo përmes digresioneve), mëvetësia, por dhe korrelacioni i ngjarjeve, futja si një element tepër i rëndësishëm kompozicional i një personazhi të vogël në moshë, por “të madh” në detyra e veprime, “çelës” i zbërthimit e kuptimit të veprës.

Sigurisht, të gjitha këto, por edhe të tjera të pranishme në vepër janë fakte domethënëse që e mbështesin mendimin tonë. Por, në këtë kuadër, kurrsesi nuk mund të lemë pa përmendur faktorin kryesor, atë që i dha jetë e vlera të veçanta artistike ngjarjeve që pa, dëgjoi e jetoi mes banorëve e blegtorëve të atij fshati të krahinës së Rrëzës në rrethin e Tepelenës, shkrimtarit Faik Ballanca.

Ishte Faiku që me talentin, artin dhe punën e tij nxori në dritë një vepër tejet mbresëlënëse me mesazhe të fuqishme për të djeshmen, të sotmen e të ardhmen, por dhe me cilësi të spikatura artistike. Ishte Faik Ballanca që për aq kohë sa shkroi e krijoi (dhe pse jeta e tij u ndërpre shumë shpejt) na dha vetëm art, pa rënë në asnjë rast “viktimë” e izmave e standardeve frenuese e shkatërruese të realizmit socialist.

Ishte Faiku, që siç shprehet në një shkrim të tij shkrimtari Nasi Lera, ... “kishte thënë që në tregimin e tij të parë diçka që nuk ishte thënë, diçka që përmbyste, trondiste dhe shkundte nga qelizat e trurit trajtën e pluhurosur të trajtimit uniform të një teme apo personazhi”.
 
FAIK BALLANCA (1945-1977)
 
Lindi dhe vdiq në Tiranë në një familje intelektuale të ardhur nga Dibra e Madhe. Pasi kreu gjimnazin dhe mbaroi Fakultetin Histori-Filologji (dega e gazetarisë), punoi gazetar e redaktor në gazetën “Zëri i Rinisë”dhe në revistën letrare “Nëntori” të LSHASH-së.

Që nga viti 1962 nisi të botonte tregimet e para dhe të përkthente e të botonte prozë nga gjermanishtja, italishtja e frëngjishtja. Edhe pse e ndërpreu krijimtarinë letrare në moshë të re, F. Ballanca arriti të krijonte individualitetin e veçantë si shkrimtar i vërtetë i mirënjohur, në sajë të kulturës së gjerë, intuitës së hollë artistike dhe skrupulozitetit krijues.

Shkrimi u botua sot në Suplementin Rilindasi në gazetën Shqiptarja.com (print) 23.06.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Venezuelë/ Protesta të dhunshme kundër fitores së Maduros! Opozita: Gonzalez mori 73% të votave, zgjedhjet u manipuluan

Venezuelë/ Protesta të dhunshme kundër fitores së Maduros! Opozita: Gonzalez mori 73% të votave, zgjedhjet u manipuluan