Begaj dekreton ndryshimet në Kodin Zgjedhor: Fryt i marrëveshjes pozitë-opozitë, vota e diasporës historike! Lista e mbyllur? Nuk është tagri im

TIRANË- Presidenti Bajram Begaj ka dekretuar ndryshimet në Kodin Zgjedhor të arritura pas dakordësisë mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike, pavarësisht debateve të shumta që ka nxitur mbyllja e listës me 1/3. Në argumentet e ndara pas dekretimit, kreu i shtetit thotë se këto ndryshime janë fryt i marrëveshjes pozitë-opozitë, ndërsa nxit bashkëpunimin parlamentar dhe respektin ndaj shtetit ligjor.

Dekreti i Begajt i hap rrugë votës së diasporës në zgjedhjet parlamentare të 2025, zhvillim të cilin kreu i shtetit e quan historik.

"Ky ligj vendos kornizën për votimin nga jashtë vendit, i cili përbën një zhvillim historik për zgjedhjet në Shqipëri. Presidenti i Republikës mbështet dhe nxit institucionet e ngarkuara që të caktojnë prioritet absolut masat dhe përgatitjet për të implementuar votën nga jashtë vendit në zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe për ta shndërruar këtë procedurë në një histori të plotë suksesi", thuhet në deklaratën e Presidentit. 

Presidenti garanton zërat kritikë se këto ndryshime ligjore i ka shqyrtuar edhe në këndvështrimin e debatit të ashpër që është bërë mbi përbërjen e listave për kandidatët për deputet, që më këtë ligj të ri 1/3 do të jetë e mbyllur dhe 2/3 e listës e hapur.  

“Debati rreth përmbajtjes së dispozitave të veçanta të këtij ligji u ndoq me vëmendje nga Presidenti i Republikës. Ligji u shqyrtua edhe në këndvështrim të këtij debati”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Kjo listë deputetësh, Begaj thotë se është e bazuar në vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe se nuk ka cenim të barazisë para ligjit. Kreu i shtetit thekson se nuk ka asnjë tagër që të mbajë qëndrim për listën e deputetëve, pasi kjo është çështje kompromisesh politike e ligjore. Një qëndrim i tij, sipas Presidencës, do ishte në kundërshti me parimin e ndarjes së pushteteve.

“Nëse votimi parapëlqyes duhet të ndjekë këtë raport, apo duhet të jetë më i zbutur, brenda marzhit që lejon Kushtetuta, kjo është çështje vizionesh dhe kompromisesh politike e ligjore, për të cilat Presidenti i Republikës nuk ka tagër dhe nuk mund të mbajë qëndrim, përndryshe do të vepronte në kundërshtim me parimin e ndarjes së pushteteve”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Sa i takon heqjes së herësit, Begaj thotë se nuk ka vend për të debatuar kushtetutshmërinë e një kriteri të vendosur nga vetë Kushtetuta.

Njoftim i plotë i Presidencës

Presidenti i Republikës shpalli sot ligjin nr. 81/2024, “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 10 019, datë 29.12.2008, “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë̈”, i ndryshuar”. Ky ligj, që mori mbështetje të gjerë parlamentare, është fryt i diskutimeve dhe i marrëveshjes pozitë-opozitë për zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, të cilat kishin shfuqizuar disa dispozita të Kodit Zgjedhor.

Bashkëpunimi parlamentar, si dhe përgjegjshmëria dhe respekti ndaj parimit të kushtetutshmërisë dhe shtetit ligjor janë vlera politike dhe ligjore të një sistemi të mirëfilltë demokratik, të cilat meritojnë të kultivohen e të shumëfishohen në praktikën institucionale shqiptare. Ndër të tjera, ky ligj vendos kornizën për votimin nga jashtë vendit, i cili përbën një zhvillim historik për zgjedhjet në Shqipëri. Presidenti i Republikës mbështet dhe nxit institucionet e ngarkuara që të caktojnë prioritet absolut masat dhe përgatitjet për të implementuar votën nga jashtë vendit në zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe për ta shndërruar këtë procedurë në një histori të plotë suksesi.

Debati rreth përmbajtjes së dispozitave të veçanta të këtij ligji u ndoq me vëmendje nga Presidenti i Republikës. Ligji u shqyrtua edhe në këndvështrim të këtij debati. Presidenti i Republikës konstaton se kritikat ndaj mekanizimit ligjor të votimit parapëlqyes nisen nga qëllimi legjitim për të demokratizuar më shumë këtë mekanizëm. Ekzistenca e dy formave alternative që rregullojnë prurjen në parlament, (prurja për shkak të renditjes në listë dhe prurja për shkak të votës parapëlqyese), është përcaktuar në pikën 3 të nenit 64 të Kushtetutës. Dispozita e këtij neni ka kaluar provën e kushtetutshmërisë me vendimin nr. 28 të vitit 2021 të Gjykatës Kushtetuese, e cila nuk ka vënë re cenim të barazisë përpara ligjit për këtë shkak.

Gjykata Kushtetuese ka konsideruar kufizim disproporcional vendosjen e mekanizmit të herësit në përmasën që kishte ligji i vitit 2020. Ndryshimet e reja e kanë hequr mekanizimin e herësit dhe kanë pranuar ndarjen sasiore që vendos dispozita e Kushtetutës, sipas së cilës “ligji për zgjedhjet garanton që votimit parapëlqyes t’i nënshtrohen jo më pak se dy të tretat e listës shumëemërore dhe të sigurojë përfaqësim gjinor”. Mbajtja e raportit në kufirin e sipërm të kësaj dispozite nuk lë vend për të debatuar kushtetutshmërinë e një kriteri që është vendosur nga vetë Kushtetuta. Nëse votimi parapëlqyes duhet të ndjekë këtë raport, apo duhet të jetë më i zbutur, brenda marzhit që lejon Kushtetuta, kjo është çështje vizionesh dhe kompromisesh politike e ligjore, për të cilat Presidenti i Republikës nuk ka tagër dhe nuk mund të mbajë qëndrim, përndryshe do të vepronte në kundërshtim me parimin e ndarjes së pushteteve.

SI.E./I.M/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Kreshnik Spahiu: Gjykata e 'Ramës' apo gjykata e pavarur e liroi shtetasin Berisha?

Kreshnik Spahiu: Gjykata e 'Ramës' apo gjykata e pavarur e liroi shtetasin Berisha?