Ambasada e Gjermanisë në Shqipëri ka falënderuar publikisht Policinë e Shtetit, forcat lokale të shpëtimit dhe vullnetarët e Shpëtimit Alpin dhe Speleologjik për dy operacionet e suksesshme që çuan në shpëtimin e pesë turistëve gjermanë në jug të vendit.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Ambasada shprehu mirënjohjen për reagimin e shpejtë dhe profesionalizmin e treguar në dy ndërhyrje të zhvilluara brenda pak ditësh në terrene të vështira malore.
“Falenderojmë përzemërsisht Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë forcat lokale të shpëtimit dhe veçanërisht vullnetarët e Shpëtimit Alpin dhe Speleologjik të Shqipërisë. Falë reagimit të tyre të shpejtë dhe angazhimit të palodhur, katër shtetas gjermanë u shpëtuan me sukses gjatë dy operacioneve të ndryshme shpëtimi në ditët e fundit. Pavarësisht terrenit të vështirë, errësirës dhe temperaturave të larta, ekipet e shpëtimit arritën të lokalizonin dhe të shpëtonin të dy grupet e alpinistëve. Ju falënderojmë për profesionalizmin dhe guximin tuaj!”, shkruan Ambasada.
Reagimi vjen pas dy operacioneve që ndodhën në vendin tonë, më i fundit më 4 gusht, pikërisht në Malin e Çikës, ku tre turistë gjermanë, rreth 18 vjeç, mbetën të bllokuar mes shkëmbinjve pasi humbën sensin e orientimit. Pas marrjes së sinjalit SOS, Policia nisi menjëherë operacionin e kërkim-shpëtimit. Për shkak të terrenit tepër të vështirë, u kërkua ndërhyrja me helikopter, i cili bëri të mundur nxjerrjen e tyre nga ajri. Të rinjtë u transportuan më pas në Qendrën Shëndetësore të Palasës, ku morën ndihmën e parë mjekësore.
Vetëm pak ditë më herët, në mbrëmjen e 31 korrikut, dy turistë 17-vjeçarë humbën orientimin gjatë eksplorimit të Gadishullit të Karaburunit. Alarmi u dha nga Ambasada gjermane në Tiranë rreth mesnatës, ndërsa ekipet e Shpëtimit Alpin dhe Speleologjik, në bashkëpunim me Policinë, nisën menjëherë kërkimet. Pas disa orësh operacion në terren, të rinjtë u lokalizuan pranë zonës së njohur si "Ravena". Pasi u asistuan me ujë dhe ushqime, ata u evakuuan në rrugë tokësore dhe në orët e para të mëngjesit iu dorëzuan shëndoshë e mirë Policisë së Orikumit.
Ambasada gjermane vlerësoi profesionalizmin dhe guximin e të gjitha strukturave të përfshira në këto operacione, duke theksuar se reagimi i tyre bëri të mundur përfundimin me sukses të ndërhyrjeve, pavarësisht kushteve të vështira.
-
Perse duhet te paguajne shqipot?! Sepse ju keni nevoje per turizem e cdo e mire qe vjen me te.Rama pagoi 4 mil. euro per nje koncert deshtaku e ju merziteni per shpenzimet per shpetimin e turisteve.Neser ata turiste kur te kthehen ne vendin e tyre do te tregojne per bukurite e vendit,mikpritjen,por dhe per shpetimin e ndihmen qe ju dhane shqipot e te tjere do te vijne per turizem pas eksperiences e pershtypjeve te mira te tyre.
Përgjigju -
Perse duhet te paguajne shqiptaret per cdo te huaj qe humbet apo i rrezikohet jeta ? Mimimalisht te veprohet me reciprocitet. Pra nqs per te njejtat aresye apo rrethana shqiptaret paguajne ne Gjermani, atehere edhe gjermanet te paguajne ne Shqiperi. Ne te kundert te huajt do tallin gjithmone leshte me ne
Përgjigju -
Nderkohe ne gjermani nese lajmeron SOS ne mal, do paguash faturen e ekipit te emergjences, dhe nese nderhyn helikopteri fatura do jete akoma më e kripur.
Përgjigju








Komente
Komento