Familja e Martin Canit ka mirëpritur vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila shpalli anti-kushtetues mbylljen e rrjetit social Tik-Tok, duke deklaruar se 14-vjeçari nuk u vra nga rrjeti social Tik-Tok.
Familja e Canit përmes një deklarate shkruan se ai u vra nga thika e një bashkëmoshatari të tij në një ambient që duhet të ishte mëse i sigurit, si shkolla. Ata hedhin akuza edhe ndaj spitalit të Traumës, duke theksuar se atje mungonin kardiokirurgët dhe pajisjet bazë si zemër-mushkëri për të riparuar zemrën e tij.
Ata deklarojnë më tej se vendimi i Kushtetueses demaskoi hipokrizinë e qeverisë së kryeministrit Edi Rama, që sipas familjarëve të Canit, zgjodhi të përdorte gjakun e djalit të tyre si pretekst për censurë dhe manovra politike.
Deklarata e familjes Cani:
Ky vendim demaskon hipokrizinë e një qeverie që, në vend që të mbante përgjegjësi për dështimet e saj, zgjodhi të përdorte gjakun e djalit tonë si pretekst për censurë dhe manovra politike. Ndërsa shteti merrej me mbylljen e aplikacioneve, dështimi i tij sistematik vazhdoi të prodhonte viktima: fillimisht një i mitur në Maliq dhe së fundmi një tjetër jetë e këputur në Durrës.
Të vërtetat ulëritëse që po vrasin fëmijët tanë janë:
Sistemi Arsimor i Falimentuar: Martini u vra nga një thikë e një bashkëmoshatari në një mjedis ku siguria në shkolla nuk ekziston dhe institucionet nuk marrin asnjë masë parandaluese.
Papërgjegjshmëria e Shkollës: Djali ynë u vra sepse shkolla nuk njoftoi prindërit për incidentet e mëparshme, duke na hequr mundësinë për të parandaluar tragjedinë.
Krimet e Sistemit Shëndetësor: Martini u vra nga protokolle absurde që e dërguan në spitalin më të largët kur QSUT ishte vetëm 3 minuta larg. Ai u vra sepse në Spitalin e Traumës mungonin kardiokirurgët dhe pajisjet bazë si zemër-mushkëri për të riparuar zemrën e tij.
Propaganda në vend të Sigurisë: Qeveria u mjaftua me "reforma kozmetike" për opinionin publik, ndërkohë që siguria në shkolla mbetet në zero dhe bashkëpunimi me familjet është inekzistent.
Mjaft me manipulime! Mbyllja e një aplikacioni nuk e kthen mbrapsht realitetin dhe as nuk shpëton jetë. Martini, Eraldi ne Maliq dhe Erjoni në Durrës nuk u vranë nga rrjetet sociale; ata u vranë nga mungesa e sigurisë, nga papërgjegjshmëria institucionale dhe nga dështimi total i shtetit që duhet t'i mbronte.
Ne nuk do të heshtim!
Kërkojmë DREJTËSI PËR MARTININ dhe për çdo fëmijë tjetër që ra viktimë e këtij sistemi të kalbur. Nuk do të lejojmë që emri i djalit tonë, një futbollist me ëndrra dhe një shpirt i pastër, të përdoret më si mburojë për dështimet tuaja.
Zëri ynë bashkohet me çdo familje që sot derdh lot. Kërkojmë veprime, jo fjalë! Kërkojmë siguri, jo censurë!
Familja Cani
Lajmi kryesor:
Mbyllja e TikTok në mars 2025, Kushtetuesja: Cenoi lirinë e shprehjes! Edhe pse për interes publik, u bë pa ligj dhe nuk ishte proporcional! Reagon Rama










