Familja Hasani nga Thethi është e para që ka marrë lejen në kuadër të Paketës së Maleve. Vendimi u miratua në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Territorit, ndërsa kryeministri Edi Rama tha se familja ka zgjedhur të investojë kursimet e saj në vendlindje dhe të rikthehet në Shqipëri.
Duke publikuar pamje nga projekti, Rama u shpreh se Paketa e Maleve synon t'u krijojë mundësi trashëgimtarëve të investojnë në pronat e të parëve dhe të rikthejnë në jetë shtëpitë e trashëguara.
“Sot u miratua në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Territorit leja e parë e Paketës së Maleve, për familjen Hasani nga Thethi, e cila ka vendosur të investojë kursimet e veta në tokën e të parëve, në vendlindje, dhe të kthehet në Shqipëri”, shkroi Rama.
Sipas tij, programi u jep trashëgimtarëve mundësinë që, “me ligj e jo veç me zakon”, të rindërtojnë shtëpitë e vjetra të stërgjyshërve ose të zhvillojnë agroturizëm, prodhim bujqësor e blegtoral, si edhe agropërpunim në tokat e trashëguara.
Në fund të reagimit, Rama citoi At Gjergj Fishtën, duke shkruar: “Të tjerat janë DOKRRA HINI”.
Sipas të dhënave të bëra publike, deri tani janë miratuar mbi 400 zona zhvillimi në 52 bashki të vendit, ndërsa numri i aplikimeve të miratuara në kuadër të Paketës së Maleve ka kaluar 1200.
Komente











