Familja e Lefterit i largohet çdo ditë portit të Vlorës për të përshkuar detin, për punë. Çdo mëngjes ai bashkë me djalin dhe bashkëshorten marrin varkën e tyre për t'i treguar mrekullitë e detit grupeve të ndryshme me turistë. Lefteri e ka nisur karrierën që vitin 1999, në kohët kur ishte ushtar i marinës, ndërsa pas shkëputjes nga kjo punë nuk mund të ndahej dot nga deti. Bashkë me bashkëshorten dhe djalin në vitin 2014 vendosin të dalin në det, por tashmë duke e kthyer këtë në një profesion të përditshëm. 

Manovrimi i tyre në det bëhet akoma më i lehtë nga mbështetja e njëri-tjetrit, e përveçse një punë që i sjell të ardhura, e kanë kthyer varkën që përshkon detin në shtëpinë e tyre të dytë.
Djali i Lefterit dhe Lolës ka ecur në hapat e prindërve të tyre e ndonëse hapat e parë kanë qenë të vështirë, tashmë e shikon si profesion, por ende nuk është i bindur nëse do ecë në hapat e babait apo nënës së tij.

Babai i tij tregon për Shqiptarja.com se në fillimet e tij kjo punë i dukej pa vlerë, por pavarësisht diskutimeve çdo mëngjes ishte tek porti i Vlorës, gati për të 'zbarkuar' në det.

-Kur ka nisur rrugëtimi juaj në det?
Unë e kam nisur karrierën fillimisht me ushtrinë në vitin 1999 ndërsa Lola me djalin e kanë nisur në vitin 2014.
-Kur jeni njohur me bashkëshorten tuaj?
Jemi njohur në vitin 1992. Vajtëm për emigrim në Itali ku qëndruam për 26 vjet. Këtë profesion e kemi zhvilluar edhe në Itali dhe më pas vendosëm ta vazhdonim edhe në Shqipëri.
-A e ndanit qe ne fillim dëshirën e përbashkët për këtë profesion apo keni qene ndikim për partnerin?
E kishim ndarë mendjen të dy partnerët. Ishim në punë në Vlorë dhe na u desh shumë guxim për ta hapur në fillim turistët nuk ishin shumë.
-A keni ndikuar ju tek djali për të ndjekur rrugën e detit?
Djali që kur hipi në vitin 2014 në anijen e tij të parë, u dashurua mbas detit, dhe do ta vazhdojë këtë profesion.
-A bëhet me e lehte manovrimi ne det teksa punon me djalin dhe bashkëshorten?
Manovrimi në det është shumë më i lehtë me familjen se të kujton gjithmonë forcën që nuk të lë kurrë në baltë.
-Një situate paniku ne det! A e lehtëson fakti qe keni pranë familjen dhe do e kaloni se bashku apo ju zë meraku dy fish?
Kjo nuk ka shumë të bëjë pasi edhe turistët që kemi në anije dhe nuk i shikoj si turistë por si familjen time.
-Ne varke timonin e mban Lefteri, po në shtëpi a ndodh e njëjta gjë?
Si në shtëpi dhe në varkë Lefteri. (qesh)
-A ka pasur momente kur ndonjëri nga ju ka dashur të tërhiqet, por e ka vazhduar profesionin për hir të partnerit?
Djali shumë herë mërzitej në punë me mua dhe thoshte që nuk kishte vlerë për të ardhur, por ditën tjetër në orën 08:30 ishte prapë tek porti.
-Cili është modeli i djalit tuaj, a do te behet ai një timonier ne det si i ati apo një instruktor për turistet si nena e tij?
Djali ka qejf të vazhdojë rolin e kapitenit por pse jo, të bëjë edhe instruktorin për turistë.
-Teksa i largoheni tokës cdo mëngjes, a lini pas ndonjë peng për ndonjë profesion tjetër qe mund të kishit bere ne jete?
Në mëngjes është gjëja më e bukur për mua të largohem ditë për ditë nga toka me 50 njerëz të ndryshëm. Ky është profesioni më i bukur për mua.