Kur kanë kaluar 6 vjet nga shpërthimi tragjik i punishtes së demontimit të municioneve, familjarët u ndjenë të braktisur nga qeveria e kaluar, ndërsa qeverisë së sotme i kërkojnë që të kthejë kokën nga ata dhe të vënë në vend drejtësinë e munguar.   

Familja Deliu është një nga familjet më të dëmtuara nga tragjedia e 15 marsit 2008. Të afërmit ishin sot për të vënë lule në vendin ku mbetën të vdekur, Liljana, Jetmiri, Flavio, Irena dhe Qemal Deliu. “E përjetojmë mos më keq. Të tjera probleme kishim atëherë, sot kjo familje është tërësisht e harruar. Presim që shteti të bëjë detyrat e veta. Nga drejtësia, e deri tek interesimi i saj për jetën e tyre e familjeve sot. Familja jonë është ende e dëmtuar.

Tokën ende nuk e kanë dhënë, është e rrethuar e pastruar pak. Na u premtua që do të japin lekët e tokës, por s’i kanë dhënë ende. Askush nuk ka trokitur në derën tonë, edhe pse ishim familja më e dëmtuar. Humbëm 5 jetë. Qeveria e kaluar më shumë u interesua për ata që iu thyen xhamat sesa ne që humbëm 5 vetë,” tha Gëzim Deliu, i vëllai i Qemal Deliut, i cili humbi jetën më 15 mars 2008. Vetëm nga familja Deliu kishte pesë viktima, tre nga familja Cani e dy nga familja Durda.
 
Para dyerve të gjykatave pa marrë asnjë drejtësi
 
Kalvari i qëndrimit pas dyerve të Gjykatave për familjarët e viktimave të Gërdecit, ka qenë pa fund, ku më aktive ishte Zamira Durda, një nënë që ka humbur djalin 6-vjeçar në tragjedinë e 15 Marsit 2008. Deri më tani ata kanë mbetur vetëm në kërkim të drejtësisë, ndërkohë që drejtësia ende nuk ka zgjidhur problemin e tyre, që ka shkatërruar jetët e shumë familjeve. Por tashmë gjykata shqiptare e ka dhënë verdiktin e vet dhe në Apel.

Nga personat e akuzuar si përgjegjës kryesorë të kësaj tragjedie, kanë mbetur në burg vetëm Dritan Minxolli dhe Sokol Ngjeçi, ndërsa Ylli Pinari dhe Mihal Delijorgji janë në liri. Pa përmendur dhe njerëzit e politikës të cilët janë akuzuar se kanë sjellë këtë tragjedi dhe as që është diskutuar të merren të pandehur. Zbardhja e Gërdecit është kërkuar me forcë dhe nga BE dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë, si një kusht për integrimin.
 
Shkrimi u publikua sot (16.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)