Fan Noli, personalitet i gjithanshëm! Gjinushi: Kemi detyrime për ndriçimin e vlerave të papërsëritshme të personalitetit të tij

Fan Noli, personalitet i gjithanshëm! Gjinushi: Kemi detyrime për ndriçimin e vlerave të papërsëritshme të personalitetit të tij

Kryetari i Akademisë së Shkencave Skënder Gjinushi

Me rastin e 140-vjetorit të lindjes së F. S. Nolit u mbajt sot nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë konferenca shkencore me temën “Fan S. Noli - personalitet i gjithanshëm”. Konferenca u organizua në bashkëpunim me Universitetin e Korçës "Fan S. Noli".

Akademik Skënder Gjinushi, kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, në fjalën e hapjes tha se “nuk ka një figurë tjetër në historinë politike, shtetërore, kulturore dhe fetare si ajo e Fan Nolit, që të krahasohet me përmasat e tij: si njeriu që admironte qytetërimin e Perëndimit dhe lartësonte shkëlqimin klasik pers; si adhurues i Shekspirit dhe i Saadiut; si predikues i barazisë në jetën tjetër dhe nxitës e prijës i lëvizjeve të mëdha popullore; si hyjnizues i virtytit shqiptar dhe ndëshkues me kamzhik i veseve kombëtare; si poligloti që synonte të ripërkthente Shkrimet e Shenjta nga aramaishtja dhe mësonte kryegjuhën e ungjijve kur ishte në vitet e fundit të jetës; si shërbëtor i Zotit dhe i popullit; si parodizues i Avropit anadollak dhe qesëndisës i politikave hipokrite në Europë.

Fan Noli nuk shkëlqeu në një fushë, por në të gjitha fushat që preku. Poet antologjik edhe kur eksperimentonte; përkthyes i pakapërcyeshëm, që provoi barazinë e shqipes përballë gjuhëve më të mëdha; njeriu që mbante korrespondencë me Bernard Shoun dhe i krahasuar vetëm me Ficxheraldin; historian që e ktheu veprën e vet në portë të detyrueshme drejt epokës së  Gjergj Kastriotit; kompozitor e muzikolog; publicist e poliglot, që u shkroi grekëve, francezëve, italianëve dhe amerikanëve në gjuhën e tyre; aristokrat e skamnor; ai e lartësoi enciklopedizmin e rilindësve romantikë, qytetëroi mendimin shqiptar dhe e akademizoi jetën politike të epokës, duke mbetur në histori si fytyra më e denjë e parlamentarizmit shqiptar", tha akad. Skënder Gjinushi dhe theksoi se studimet shqiptare nuk do të shlyhen për një kohë të gjatë nga detyrimet që u takojnë për ndriçimin e vlerave të papërsëritshme të personalitetit të Fan Stilian Nolit.

Konferenca u përshëndet nga prof. dr. Dhimitri Bello, Rektor i Universitetit të Korçës.

Paneli i parë konferencës u drejtua nga akad. Shaban Sinani dhe prof. asoc. dr. Marenglen Kasmi.

Prof. dr. Ksenofon Krisafi mbajti kumtesën “Noli në diplomacinë shqiptare”. Ai e paraqiti Fan Nolin në profilin e një diplomati të afirmuar dhe si një nga personalitetet më të shquara të botës shqiptare, që bëri epokë me profilin e spikatur atdhetar, me shkëlqimin si politikan e diplomat, si personalitet me horizont të gjerë, me formim dhe koncepte demokratike. Ai theksoi se Noli u shfaq në lëvizjen kombëtare shqiptare si një ndër personazhet qendrore të saj dhe se ai përfaqësonte tipin e një politikani ndryshe, që rrezatonte kulturë, njohuri të thella në histori, filozofi, letërsi, art etj., logjikë të shëndoshë, forcë bindëse të argumentit dhe arsyetimit, këmbëngulje për mbrojtjen e kauzës së drejtë të atdheut të vet. Prof. dr. Krisafi foli për talentin diplomatik të Nolit që u dëshmua veçanërisht në Lidhjen e Kombeve, sidomos gjatë përpjekjeve për pranimin e Shqipërisë në organizatën ndërkombëtare botërore, në mbrojtje të kufijve dhe tërësisë territorial të vendit, në veprimtarinë në postin e ministrit të punëve të jashtme dhe më pas të kryeministrit dhe kryetarit të delegacionit shqiptar në sesionin V të Asamblesë së Lidhjes së Kombeve, në vitin 1924.

Prof. dr. Kaliopi Naska foli për veprimtarinë e Fan Nolit si politikan dhe deputet në Këshillin Kombëtar dhe Kuvendin Kushtetues në shërbim të shtetit shqiptar, në vitet 1921-1924. Naska e cilësoi Fan Nolin si njërën nga figurat më të pastra politike që zhvilloi emancipimin politik demokratik të shoqërisë shqiptare, ku demaskonte makinacionet në procedurat e zgjedhjeve. Ajo foli për rolin e Nolit në krye të opozitës dhe që me fjalën e tij në parlament ai ka bërë një nga përpjekjet më të rëndësishme  për çlirimin e gruas shqiptare nga skllavëria. Përveç kontributit si krijues i kishës ortodokse, ai i njohu të drejtën legjitime Shqipërisë për të qenë anëtare në lidhjen e kombeve dhe Këshilli Kombëtar e caktoi Nolin në mars të vitit 1921 si përfaqësues të Shqipërisë në Këshillin e Lidhjes së Kombeve. Naska përmendi ndër të tjera kontributet e Nolit në kolonitë shqiptare në Amerikë. 

Episkopi i Bylisit Hirësi Asti përshëndeti konferencën në emër të KOASH dhe foli për kontributin e Nolit në kombëtarizimin e kishës ortodokse shqiptare.

Akad. Eno Koço mbajti kumtesën "Fan S. Noli dhe muzika". Ai tha interesi i Fan Nolit për muzikën nisi në kishë. U njoh si themeluesi i Kishës Ortodokse Shqiptare në Boston të ShBA, më 1908. Reforma kishtare e Nolit ishte sa teorike aq dhe praktike. Është thënë më së shumti se punën e përhershme me muzikën korale Noli e nisi me synimin të krijojë një formë të kënduarit shqip në kishë ku hulumtoi  muzikën korale të kishës ortodokse ruse, të cilën e përshtati për korin e tij mbi bazën e harmonisë katërzërëshe ashtu siç është lëvruar një pjesë e mirë e muzikës perëndimore të kultivuar. Noli bashkë me të tjerë klerikë nën juridiksionin e tij predikuan dhe kryen shërbesa në të dy gjuhët, shqip dhe anglisht. Të kënduarit në kishën e Nolit  bëhej me kor të përzier (burra e gra), ashtu siç këndohen në Perëndim meshat, oratoriot, requiem-et e madrigalët, por që ishin himne të kishës ortodokse dhe më kryesorja, të përkthyera prej tij dhe kënduara të gjitha në shqip. Akad. Koço citoi dëshminë e Kostadnin Trakos të vitit 1944; se duke  filluar prej vitit 1909 kur Fan Noli  nxori në dritë dhe vuri në përdorimin e kishës ortodoksë shqiptare përkthimet e liturgjisë së shenjtë, qysh atëherë mund të flasim për një melurgji bizantine me të vërtetë shqiptare, mbasi deri atëherë në të gjitha kishat tona këndohej melurgjia bizantine tradicionale greke. Prej asaj date u vu në historinë e artit muzikal shqiptar themelia dhe guri i parë për fillimin dhe zhvillimin e muzikës dhe melurgjisë bizantine tradicionale shqiptare.  

Prof. asoc. dr. Marenglen Kasmi mbajti kumtesën “Noli dhe qeverisja e tij në fokusin e politikës gjermane”. Ai u ndal në këndveshtrimet e politikes gjermane ndaj Nolit e qeverisë së tij. Duke shfrytëzuar burime arkivore të bollshme nga arkivat gjermane, në kumtesë u trajtuan çështje të tilla si njohja e qeverisë së Nolit nga qeveria gjermane, planet për vendosjen e një kolonie gjermane në Shqipëri, vlerësime për programin qeveritar të Nolit si edhe kushtet e zhvillimit të revolucionit të qershorit, etj.

Akademik Shaban Sinani bëri të njohur botimin për herë të parë të disertacionit të Nolit, mbrojtur më 1946 në Universitetin e Bostonit, ku ruhej deri tani si daktiloshkrim. Ai foli për katër historitë noliane të Gjergj Kastriotit duke e nisur kronologjikisht nga historia e parë e Skënderbeut e Fan S. Nolit që takon vitit 1921. Kjo vepër tri vjet më pas u përkthye italisht nga arbëreshi Francesco Argondizza dhe u botua në Romë me titullin “Storia di Scanderbeg (Giorgio Castriotto)”.

Në Tiranë, nga katër historitë noliane të Skënderbeut, më e preferuara qe ajo e vitit 1921. U shkrua nga Fan S. Noli në stilin e atyre që njihen si "studia humanitatis Europae", plot me proza poetike dhe përshkrime e fjalime panegjirike për të rritur besimin e popullit shqiptar në aftësitë shtetformuese revizionuar nga vetë Noli më 1949 dhe botuar me shkurtime nga shtëpia botonjëse “Naim Frashëri” më 1962.

Gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore Fan S. Noli shkroi një monografi të cilën e mbrojti si disertacion doktorate në shkencat filozofike në Universitetin e Bostonit "George Castrioti Scanderbeg” që është shkruar duke respektuar përpikërisht didaktikën e një doktorate.

Për të verifikuar nëse teknokracia e përgatitjes së një doktorate, drejtimi shkencor, oponencat dhe gjykimi i jurisë kanë ndikuar sadopak në tekstin autorial, do të lindte nevoja e një studimi krahasues të daktiloshkrimit të disertacionit në këtë botim fototipik, me botimin e tij më 1947 në Neë York 1947 nga International Universities Press dhe më pas dhe me historinë e katërt të rishikuar të Skënderbeut, që erdhi shumë shpejt, vetëm dy-tri vjet më vonë (Boston, Massachussets).

Historia e Skënderbeut është një mit apo një fakt historik? Ky është problemi i parë për t’u zgjidhur në rastin e Fan Nolit dhe në atë të çdo heroi tjetër, që ka kaluar nga historia prozaike në legjendën poetike., tha akad. Shaban Sinani.

Vjollca Osja foli për përkthimet e Nolit në sistemin letrar shqip në interpretimin e  dy tipologjive përkthimore: poezi dhe prozë, ku ai shquhet për gjetje të caktuara në fushën e fjalësit a të strukturës sintaksore dhe për forcën emocionale të shprehjes dhe mjeshtërinë e vargëzimit.

Kastriot Gjika, në kumtesën “Didaktika e veprës letrare të Fan S. Nolit”, i qaset veprës së Nolit nga një tjetër perspektivë që do t’i ketë dy prerje: së pari, vepra letrare e Nolit bart në vetvete edhe përmasën didaktike. Ajo sintetizon artistikisht mësime të vyera të rendit etik historik, politik, social, etj., si e tillë ajo përherë është “funksionalizuar në arenë politike, në dilemat e zhvillimeve sociale, etj. Dhe së dyti, duke qenë vazhdimisht pjesë e kanonit letrar në shkollë, vepra e Fan Nolit mund të shqyrtohet edhe për nga vendi që zë aktualisht në kurrikulat shkollore si dhe për aspekte mirëfilli të didaktikës së saj, si e sa lexohet ajo sot. Si komunikon me lexuesin e sotëm dhe cilat janë problemet e evidentuara përgjatë këtij komunikimi.

*

Paneli i dytë u drejtua nga prof. dr. Ksenofon Krisafi dhe prof. dr. Kaliopi Naska.

Eris Rusi foli për intuitën krijuese dhe mjeshtërinë e përkthimit në shqipërimet e Fan S. Nolit.

Theodhor Peci foli për përputhjen noliane të teksteve liturgjike në shqip me meloditë plastike bizantine.

Armend Mehmeti foli për qëndrimi jugosllav ndaj qeverisë “Noli”, ku Beogradi përpiqej vazhdimisht për të hyrë në Shqipëri dhe ishte e pazgjidhur ende çështja e Shën- Naumit.

Paulin Marku foli për rolin e Fan Nolit në Komisionin e Bashkimit të Shoqërive Shqiptare në Federatën Pan-Shqiptare të Amerikës “Vatra”.

Sokol Paja mbajti kumtesën me temë “Kalimi i Àt Nolit në amshim dhe pasqyrimi në gazetën “Dielli””.

Melsen Kafilaj mbajti kumtesën “Revolucionari i Harvardit: një hyrje në botëkuptimin filozofik të Fan S. Nolit”.

Konferenca u mbyll me diskutime dhe më pas të pranishmit ndoqën ekspozitën bukinistike me veprat e Fan S. Nolit, organizuar me kontributin e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë dhe të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë.

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Cueu: 24/06/2022 23:41

    Edhe Skender Gjinushi duhej te ishte ne akademine e Shkencave. Pse eshte pjestar i akademise? Ka ndonje kualifikim te vecante?

    Përgjigju
  • redi: 18/06/2022 14:57

    Bravo Akademise se shkencave qe kujtojne nje persinalitet me eurodit te historise se Shqiperise sic ishte Fan Stiluan Noli.Eshte figure e pa perserteshme me bagazhib e larte intekektual qe zoteronte

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja