Në tre dekadat e fundit, farat dhe vajrat e tyre janë përdorur gjithnjë e më shumë në ushqyerje, falë ndikimit të jashtëzakonshëm që kanë në organizëm dhe rolit të tyre në mbështetjen e jetëgjatësisë. Ndër më të vlerësuarat janë farat e kungullit, të cilat konsiderohen një burim i pasur lëndësh ushqyese dhe përfitimesh shëndetësore. Specialisti i bimëve mjekësore, Ylli Merja, në emisionin “Rreze Dielli” në Report TV, ka shpjeguar efektet e farave të kungullit në trupin tonë.

“Këto fara e kanë diellin brenda, ato janë të pasura me mikroelemente që i marrin nga toka. Farat e kungullit përmbajnë klorofil dhe tuli i tyre është një ushqim i ngrohtë për dimrin”, – shprehet Merja.

Vlerat ushqyese të farave të kungullit

Nëse konsumoni rreth 100 gram fara kungulli në ditë, përfitoni:

* Rreth 30 g proteina

* 40–45% yndyrna, kryesisht të pangopura (omega-6 dhe omega-9)

* 6–8 g fibra

* Minerale si magnez, zink, hekur dhe fosfor

* Vitaminë E

* Vitamina të kompleksit B

* Fitosterole (beta-sitosterol)

* Squalen, një antioksidant natyral

Këto vlera i bëjnë farat e kungullit një superushqim të vërtetë për organizmin.

Por si duhet të siguroheni që keni blerë farat e duhura?

“Farat e qëruara, pa cipë, nëse lënë shije të hidhur në gojë, mund të përmbajnë shtesa kimike apo trajtime të panevojshme. Nëse farat kanë shije natyrale dhe japin ndjesi qetësuese, atëherë përmbajtja e shtesave është minimale. Por kujdes, gjatë pjekjes farat humbasin një pjesë të vlerave ushqyese dhe ndryshojnë aromë”, nënvizoi Merja.

Vaji i farave të kungullit dhe përfitimet e tij

Vaji i farave të kungullit ndikon në organizmin tonë duke na lehtësuar nga shumë probleme! Pas moshës 50 vjeç, tek meshkujt niveli i testosteronit fillon të ulet. Vaji i farave të kungullit përmban fitosterole, përfshirë beta-sitosterol, që ndihmojnë në mbrojtjen e prostatës dhe në frenimin e degradimit të testosteronit. Ky vaj gjithashtu ul kolesterolin e keq dhe nxit kolesterolin e mirë. Yndyrnat e pangopura mbrojnë zemrën. Arginina ndihmon në prodhimin e oksidit nitrik për relaksimin e enëve të gjakut. Vaji ndikon edhe në qetësimin e sistemit nervor pasi përmban magnez, vitaminë B dhe triptofan, i cili rrit prodhimin e serotoninës. Vaji i farave të kungullit ka një efekt antioksidant dhe në lëkurë si dhe mbështet imunitetin dhe metabolizmin si dhe ndikon në paralizimin e parazitëve.

“Një lugë supe vaj fara kungulli në ditë konsiderohet ndihmuese në eliminimin e parazitëve nga organizmi. Ndërsa në 30 gr fara kungulli mund të plotësohen rreth 30–40% e dozës ditore të magnezit dhe zinkut”.

Dozat e përdorimit

Fëmijët: 1–2 lugë fara në ditë për përmirësim të imunitetit ose vaj: 2 herë nga 1 lugë çaji në ditë

Të rriturit: 2 lugë gjelle fara në ditë ose 1–2 lugë gjelle tul kungulli në ditë. Vaji i kungullit mund të merret 1 lugë gjelle në ditë në mëngjes.

Farat dhe vaji i kungullit janë një zgjedhje e thjeshtë, natyrale dhe e pasur me vlera ushqyese, që mund të bëhen lehtësisht pjesë e regjimit të përditshëm për një organizëm më të fortë dhe më të shëndetshëm.