'Pasunija shtetnore e Sarandës, nga bodrumi i prishun buzë detit, kufizue me sinurin e Lykursit sipërfaqja prej 4082 dynym i nepet... ' Kur Mbreti Zog i dhuronte prona Kryqit të Kuq

'Pasunija shtetnore e Sarandës, nga bodrumi i prishun buzë detit, kufizue me sinurin e Lykursit sipërfaqja prej 4082 dynym i nepet... ' Kur Mbreti Zog i dhuronte prona Kryqit të Kuq

Vjeti 1937, me 24 të muajit mars, ditën e mërkurë…! Në bazë të ligjës mbi dhurimin e pasunisë së Shtetit në Sarandë, me datë 5 prill 1930 dhe t’urdhënit autorizues të Ministrisë së Financave telegrafikisht, i asht dhurue prej shtetit, NALT MADHNIES TIJ ZOGUT-TË PARË, pasunija shtetnore e Sarandës, në Zyrën e Ipotekavet të Delvinës, nën zotnimin e tij: duke filluar nga bodrumi i prishun buzë detit dhe vëhet tek depo e gazit, deri te manastiri i prishun e kufizue me sinurin e Lykursit, qi zotërojnë me tapi Selim beu me pjesëtarë, e nga manastiri tue ecun drejt krahut të Sarandës e kurrizit të malit, nga Dardha e Sipërme e Dardha e Poshtme, deri tek ara e qujtin ‘Bristane’ qi zotnon me tapi Mitro Gjini, e nga Limani i vogël i Sarandës te kullotja, që përbëhet prej 4082 dynym…! Kryqi i Kuq Shqiptar, merr përsipër të vazhdojë zbukurimin e qytetit të Sarandës”.

Akti noterial i sipërcituar, është një akt përmes të cili Mbreti Zog, i fal Kryqit të Kuq Shqiptar, pasuritë e paluajtshme shtetërore, që ndodhen në qytetin e Sarandës. Një vendim i dhjetorit të të njëjtit vit, marrë nga Komisioni MIKTS qendror, i drejtohet Naltësis së Saj Imperiale, Princeshës Senije, Kryetare e Kryqit të Kuq, për aprovim. Në të flitet për ndërtimin e 20 shtëpive, 10 të vogla dhe 10 me material të lehtë, për të siguruar banimin e nëpunësve, për ngritjen e një kinemaje. Princesha Senije e miraton dy ditë më pas, me shënimin: “Urdhërojmë zbatimin”- Kryetare e Kryqit të Kuq, Tiranë, me 5 dhetuer 1937(Firma).

Nga festimet e popullit të Sarandës, për shpalljen e Mbretërisë, te koncesionet, investimet me nga 30 e 500 metra, te shkresat, kërkesat për leje, fotografitë e rralla, punishtja e sapunit me emrin e udhëheqësit, tek aktet noteriale me rëndësi mbi debatet historike e VKM-të, për qytetin e 40 shenjtorëve.

Copëza historie të dokumentuara janë shfaqur në Sarandë, në një ekspozitë. “Saranda që kishim – Saranda në gjysmën e parë të shek. XX”, është një ekspozitë dokumentare dhe fotografike që Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave dhe Bashkia e Sarandës, e çelur me 18 gusht 2017, në Sheshin e Limanit në Sarandë.

Jepini Sarandës emrin e mbretit 

Një Fletore Zyrtare që mban datën 26 gusht 1938, pasqyron një vendim të Këshillit të Ministrave, atë nr.753, që mban datën 6 korrik 1938, për ndryshimin e emrave të qyteteve, fshatrave dhe lagjeve të Shqipërisë.

Mes tyre, emri i qytetit të Sarandës, ndryshohej në Zogaj (nga Mbreti Zog i Parë), ndërsa emra të tjerë, duket të kenë qenë prirje për t’u shqipëruar si: Bistrovica-Kështjellëzë, Dobronik-Bukuranje, Gjoroven-Maliplak, Ksamile-Mulliri, Mejden-Sheshe, Sulltan Pajazit-Lagja Mbretnore, Shurkave-Vjosa, Badlonja-Malakuqi, Bodari-Bora, Leusa-Mëshira, Leshica- Shëngjoni, Lipa-Bliri, Lipivani-Qershizë, Lushja-Lushnjë, Musukari- Myshqerrë, Novosela-Fshati i ri, Ogdunini-Qiparisi, Trebozishta- Trillagje, Goznishta-Uji i Ftohtë, Rabani-Arbani, Zleusha-Bukuroshe, Çoroguni-Bregzalli, Potgorani-Nënmali, etj.

Shkresa, koncensione të tjera 

Një korrespondencë mes Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Punëve Botore, për planin rregullues të qytetit të Sarandës, korrespondencë mes nënprefektit të Sarandës, me prefekturën e Gjirokastrës, ku propozon ndërtimin e rrugës Sarandë-Butrint, si mjet për promovimin e turizmit kulturor; një hartë e planit rregullues të Sarandës, hartuar nga inxhinier Selim Zyma, më 1933.

Ka më tej një ligj të Mbretërisë, për dhënien me koncesion të Kanalit të Vivarit në Butrint, shoqërisë “Dele”, 23 mars 1929. Veç taksave të ligjshme, Shoqëria “Dele”, detyrohet të ndërtojë brenda dy viteve në dobi të komunitetit: një ndërtesë për zyrat e doganës, një ndërtesë për rojën e Xhandarmërisë dhe një frigorifer.

Në vijim dallohen shkresat Shoqërisë “Dele”, drejtuar kryeministrisë, përmes të cilave njofton se ka nisur prodhimin e sixhadeve më nëntor 1928, dërgon statutin e shoqërisë dhe njofton edhe për ardhjen e një iktiologu francez në Vivar.

Mjaft interesant është një raport i kryetarit të Bashkisë së Sarandës, drejtuar nënprefekturës, ku renditen punët publike të bëra në qytet mes viteve 1912-1937; përmenden aty rrugë, 100 e 500 metra, 25 e 30 metra, e mes të tjerash përmendet ndërtimi i një nevojtoreve, siç thotë shkresa, “krejt moderne”.

Ekspozita sjell imazhe të bashkisë e nënprefekturës, mes dy luftërave botërore. Ka raporte kontrolli, me parregullsi të gjetura në zyrat e Doganës së Sarandës, planimetria e Bar-Butrintit, kërkesa e Mihal Zahos nga Lugari i Gjirokastrës, përmes së cilës i kërkon Ministrisë së Punëve Botore, leje të çelë një kinema në ‘Porto-Edda’ në Sarandë, me 2 nëntor 1941, dhe vendimi i Zyrës së Qarkut Detar të ‘Porto-Edda’ për caktimin e zonave të lejuara për Plazh, më 1940, është leja e dhënë Mihal Zahos dhe plan-vendosja e kinemasë së tij.

Punishtja e sapunit “Enver Hoxha”

Nën emrin e udhëheqësit, një vend të veçantë, jo për nga hapësira as vendosja, por për nga subjekti, zë në këtë ekspozitë të sipërpërmendur (e çelur në gusht 2017), punishtja e sapunit në Sarandë dhe personeli i saj, i pas 1944-ës. Punishtja, siç shihet nga imazhet, mban emrin “Enver Hoxha”, e prodhonte sapun.

Punëtorët shihen me rroba të grisura, tek mbajnë kallëpet e sapunit, e ndërsa burrat kishin veshur jelekë deveje, në mure shihen qartësisht parulla të kohës, për Republikën Popullore të Shqipërinë, për kongreset, deri te porosia me shkronja kapitale në mur: “Të shtojmë dhe të përmirësojmë prodhimin, se kështu forcohet ekonomia, pushteti popullor dhe krijohen konditat për përmirësimin e jetës tonë dhe s’gjithë popullit’- “Ruaj disiplinën më të fortë në punë”, etj.

Imazhe të rralla, janë edhe ato të urës së Kalasës (Shinjonit) para 1944-ës, e njëjta urë, por e rindërtuar pas shkatërrimit gjatë Luftës së Dytë Botërore, si edhe një kartolinë e qytetit më 1920, pamje e gjirit të Sarandës, hartë e basenit, kapitaneria e portit, kartolinë e një rruge në Sarandë, personeli i konviktit “Çamëria”, bashkë me Neço Mukën, nxënësit dhe personeli i konviktit “Çamëria”, etj.

Festime për nder të mbretit Zog 

Qëndrojnë po kaq bukur, në mos më shumë, festimet e popullit të Sarandës më 1 shtator 1928, me rastin e shpalljes së Mbretërisë. Nga imazhet, me gjasë duket të jetë e pranishme paria, më shumë se populli, po diku në thellësi të imazhit shtyhen fëmijët e, diku tjetër të rriturit. Flamuri valëvitet e me gjasë me shqiponjën dykrenore në të dyja imazhet, megjithëse ngase janë bardh e zi, në njërën syresh, duket vetëm një flamur i zi.

Paria mban kapele republike, bereta, kapele dielli, e të tjerë mbajnë kapele të thjeshta, deri te ato të uniformave ushtarake. Një grusht njerëz, për nder të Mbretit, disa me bastunë e gjyzlykë, disa me sandale e pantallona të shkurtra. Gra nuk ka, ose nuk duken, ose festat e këtij soji, qenë veç për burra./Memorie.al/

S.B/M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Si zgjidhen problemet me pronat, korrupsioni dhe digjitalizimi i Kadastrës, gjetjet dhe rekomandimet e ekspertëve në Komisionin Antikorrupsion

Si zgjidhen problemet me pronat, korrupsioni dhe digjitalizimi i Kadastrës, gjetjet dhe rekomandimet e ekspertëve në Komisionin Antikorrupsion