Deri tani kemi vetëm Rrugën e Kombit. Në pesë deri shtatë vjet mund të kemi edhe hekurudhën e Kombit. Hekurudha Durrës-Prishtinë është një hap më afër realizimit.
Në fillim të marsit, në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë është paraqitur studimi i leverdisshmërisë dhe projekt-ideja për hekurudhën, të mbiquajtur nga të gjithë shqiptarët “hekurudha kuqezi”. Ky studim është prezantuar për të dyja palët, si Shqipërinë dhe Kosovën, duke i hapur rrugën sigurimit të financimit për këtë projekt.
Pjesa e re e hekurudhës është linja hekurudhore Shkodër-Gjakovë, e cila do të ketë 7 stacione dhe një gjatësi prej 105.8 km. Pjesa tjetër e hekurudhës nga Durrësi deri në Shkodër, do të jetë e njëjtë me linjën hekurudhore Vorë- Hani i Hotit, për ndërtimin e së cilës po zhvillohen procedurat tenderuese. Linja e re Shkodër-Gjakovë do të përmbajë 43 ura dhe 14 tunele, me nje gjatësi totale të tuneleve prej 35.3 km.

Kostot e këtij segmenti përllogariten në 1.8 miliardë euro. Rreth 1.7 miliardë euro janë kosto që nevojiten për ndërtimin, sidomos për tunelet, ndërsa pjesa tjetër kosto për leje, shpronësime, etj.
Hekurudha që lidh Durrësin me Prishtinën ka rëndësi jo vetëm për transportin e mallrave dhe qytetarëve. Ajo do të përdoret edhe për qëllime ushtarake.
Hekurudha pritet të kalojë pjesërisht në gjurmën ku do të ndërtohet hekurudha Vorë-Hani i Hotit, nga Durrësi drejt Milotit, pastaj në Mjedë, Shkodër, Gjakovë dhe më pas në Prishtinë.
Hekurudha, Porti në Porto Romano dhe Porti i “Thatë” i Prishtinës
Projekti i leverdisshmërisë ka përfshirë edhe Portin Tokësor të konteinerëve në Prishtinë, i cili në gjuhën teknike quhet “port i thatë” . Ndërkohë, potenciali i tregtisë dhe investimeve Shqipëri-Kosovë është me herë më i lartë se sa shkëmbimet e sotme tregtare dhe ekonomike mes të dyja vendeve tona, që për vitin 2024 arrinin mbi gjysëm miliardë euro.
Me hekurudhën, eksportet dhe importet Shqipëri-Kosovë do të mund të dyfishohen brenda një kohe shumë më të shkurtër se tre vjet. Portit i ri i Durrësit në Porto Romano do të jetë i integruar me projektin e hekurudhës Durrës-Prishtinë dhe me portin e konteinereve në Prishtinë.
Si porti në Porto Romano dhe porti “i thatë” (i konteinereve) i Prishtinës mund të jenë veprues në vitin 2029. Kjo është një kohë reale, nëse të dyja qeveritë, si ajo e Tiranës dhe e Prishtinës, do të veprojnë fort për të gjetur financimet e duhura.
Porti i konteinerëve në Prishtinë pritet të trajtojë deri në 100 mijë konteinerë në vit, ndërsa porti detar i Porto Romanos do të mirëpresë 1 milionë udhëtarë në vit, si dhe do të përpunojë në të 400 ha e tij rreth 2 milionë konteinerë me rreth 50 milionë tonë mallra.
Hekurudha Durrës-Prishtinë lidh tonelatat e mallrave të portit të Durrësit me dërgimin e tyre me sa më pak kosto dhe në kohë reale në Prishtinë. Ajo ka edhe rëndësi gjeopolitike, jo vetëm ekonomike.
Rëndësia gjeopolitike dhe ekonomike e Hekurudhës së Kombit
Me portin e ri në Porto Romano dhe hekurudhën Durrës-Prishtinë, Shqipëria dhe Kosova bëhen jo vetëm pjesë e korridoreve brenda Ballkanit, por edhe pjesë e korridoreve që i lidhin të dyja vendet me Evropën Perëndimore.
Dhe hekurudhat janë mënyra e transporti më me leverdi ekonomikisht dhe më miqësore ndaj mjedisit. Me hekurrudhën Durrës-Prishtinë, vëllimi i mallrave tregtare që shkëmbehen mes Shqipërisë dhe Kosovës pritet të rritet me 40 përqind brenda 12 muajve të parë!
Për shkak të karakterit të tyre rajonal, projekte të tilla mund të financohen dhe nga struktura financuese të Bashkimit Evropian dhe më gjerë, sikundër është Banka Evropiane e Investimeve(BEI), BERZH, etj.. Porti i Durrësit, i zhvendosur në Porto Romano, do të zhvillohet si një port i transportit të mallrave, kryesisht me destinacion Prishtinën dhe Shkupin.
Përmes linjës hekurudhore me Prishtinën, ky port do të ketë komunikim të drejtpërdrejtë me Korridorin 10, dhe po përmes Prishtinës, por edhe Shkupit, porti do të lidhet me Sofjen, me Stambollin drejt Azisë dhe në veri me Beogradin.
Hekurrudha Durrës-Prishtinë jo vetëm që do të mundësojë transportin e shpejtë të pasagjerëve dhe mallrave, së pari mes Shqipërisë dhe Kosovës e më tej drejt vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor, por do të rrisë me rreth 25 përqind vëllimin e shkëmbimeve tregtare Shqipëri-Kosovë-Maqedoni e Veriut-Bullgari, vetëm në vitin e parë të funksionimit të saj.
Komente

