Togfjalëshi “Republika e Prokurorëve” përdoret kudo në botë, sidomos në vendet që duan të vendosin sundimin e shtetit ligjor, për të përshkruar një situatë ku pushteti dhe ndikimi i organit të akuzës rritet në mënyrë të tillë, sa të krijojë një disproporcion me balancën tradicionale të pushteteve në një shtet të së drejtës. Rreziku për të rënë si shoqëri nën një republikë prokurorësh, ka marrë vëmendje të shtuar pas Reformës në Drejtësi dhe krijimit të institucioneve të posaçme të drejtësisë, për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin shtetëror. Këto struktura kanë kompetenca të zgjeruara dhe burime të konsiderueshme.
Problemet kryesore që po shfaqen, për fat të keq, për fatin e demokracisë dhe shtetit të së drejtës tek ne, kanë të bëjnë me shkeljen flagrante të parimit të balancës së pushteteve. Nëse prokuroria ka fuqi të tepruar, pa mekanizma të mjaftueshëm kontrolli dhe llogaridhënieje të saj, atëherë bëhet shtegu-autostradë për prokurorët tanë, që të veprojnë si një pushtet i pavarur mbi institucionet e tjera, duke zbehur rolin e Kuvendit, të medias dhe të shoqërisë civile. Sot është bërë e ditës shprehja “mos rënsh në dorë prokurori!”. Po pse të jetë një shqetësim publik i ditës një shprehje e tillë? Kjo po ndodh për shkak të sjelljes politike nga ana e institucioneve të drejtësisë së re.
Prokuroria e posaçme, SPAK, i lejon vetes të përcjellë në media fraza të shkëputura nga konteksti të një zyrtari të lartë qeveritar, në rastin më të fundit në pozicionin e zvkryeministres, për të gjeneruar përmes mediave ku kaluan në mënyrë okulte frazat, një gjyq popullor. Në një shtet demokratik, prokuroria, edhe ajo më e veçanta është një institucion teknik, i ngarkuar me detyrën e vështirë të ndjekjes penale dhe mbrojtjes së interesit publik. Por kur ky institucion nis të projektohet si qendra morale e shtetit, si arbitër suprem i politikës, si autoritet i pakritikueshëm e i padiskutueshëm, atëherë kemi hyrë në territorin e rrezikshëm të asaj që sot quhet, me të drejtë, “Republika e Prokurorëve”. Ideja që prokurorët mund të bëhen simboli i një moraliteti absolut është jo vetëm e gabuar, por edhe kërcënim i drejtpërdrejtë për një demokraci funksionale.
Ç’do të ndodhë nëse prokurorët zbulojnë nga një komunikim digjital një frazë të kryeministrit, që ngre dyshim për cënim të barazisë në një tendër shtetëror, kur nisur nga interesi shtetëror(p.sh. interesimi për një kompani të një vendi mik, pse për të interesohet Presidenti i një vendi mik, që në ditën tonë më të errët na dha një milion vaksina), gjykata speciale (GJKKO), me kërkesë të prokurorisë speciale(SPAK) duhet ta pezullojë kryeministrin nga kryerja e detyrës së tij qeveritare?! Askush në një rend demokratik nuk duhet të ketë pushtet të tillë të pakufizuar, aq më pak një institucion që nuk e merr legjitimitetin nga vota e qytetarëve. Pavarësia nuk i jep prokurorisë së posaçme status të shenjtë. Pavarësia nuk është mburojë e mosllogaridhënies, nuk është pasaportë drejt autonomisë së pakontrolluar, nuk është justifikim për të shmangur transparencën. Prokuroria, edhe ajo speciale, është e pavarur në ushtrimin e hetimeve, por jo e pavarur nga detyrimi për t’i dhënë llogari publikut, Kuvendit, shoqërisë. Në të kundërt, kur një institucion i pavarur bëhet i padepërtueshëm dhe i pandëshkueshëm, ai shndërrohet në një kastë. Dhe kastat nuk kanë vend në demokraci. Asnjë prokuror nuk është mbi politikën, ligjin apo qytetarin. Institucionet e zgjedhura, pra edhe qeveria, me të gjitha mangësitë e tyre, mbeten boshti demokratik i vendimmarrjes. Prokuroria nuk është projektuar për të zëvendësuar politikën apo ekzekutivin, për të bërë interpretime supreme të ligjit apo për të marrë pozicionin e “rojes së shoqërisë”. Shteti nuk ka nevojë për prokurorë që japin mesazhe morale, që bëhen aktorë politikë, që shfaqen si liderë të opinionit publik.
Shteti ka nevojë për prokurorë që bëjnë punën e tyre, pa bujë dhe pa prirje për protagonizëm. Mandatet e gjata e kthejnë prokurorinë në kështjellë të mbyllur. Shqipëria e ka provuar në praktikë se mandatet e gjata të drejtuesve të institucioneve të drejtësisë sjellin një efekt anësor të frikshëm: arrogancë strukturore. Një drejtues që qëndron shumë gjatë në detyrë, me pak kontroll dhe me shumë kompetenca, krijon rreth vetes një mur institucional imuniteti moral. Rezultati? Një strukturë më e mbrojtur se duhet, më pak transparente se duhet, më shumë e bindur për epërsinë e vet, sesa për detyrimin ndaj publikut.
Prokuroria nuk mund të jetë super-institucioni i politikës së ditës. Pikërisht në momentet kur prokuroria shmang raportimin, shmang dialogun institucional, refuzon të përballet me pyetje të vështira ose reagon me nervozizëm ndaj kritikës, ajo rrezikon të humbasë legjitimitetin e saj moral. Transparenca nuk është kërcënim për pavarësinë e saj; është garancia e saj për të mos devijuar nga misioni. Kush mendon se prokuroria duhet të jetë “e paarritshme”, “e paprekshme”, “e padiskutueshme”, promovon një koncept të rrezikshëm: një republikë ku një institucion teknik ngrihet mbi institucionet demokratike. Republika është e qytetarëve, jo e prokurorëve.
Demokracia mbështetet mbi sovranitetin e qytetarit. Ai është burimi i vetëm i legjitimitetit. Kur një institucion jo i zgjedhur e merr me vete këtë pushtet dhe e përdor si argument për protagonizëm, dëmton ekuilibrat që garantojnë vetë lirinë. Askush nuk po thotë sot “jo prokurorisë”. Por të gjithë duhet t’i themi fort e qartë ”JO!” Republikës së Prokurorëve. Jo idesë që prokuroria mund të jetë qendra e shtetit, moralit, politikës, vendimmarrjes. Jo arrogancës së kastës. Jo pushtetit që nuk pyet, nuk përgjigjet dhe nuk kontrollohet. Jo iluzionit se ligji mbron më mirë kur është i koncentruar në një dorë të vetme. Republika është e qytetarëve. Prokuroria është pjesë e saj, jo pronare e saj.
Komente












Fatos, po e humbet situatën tënde si "Corpus Mentos" i dashur! Shko dhe dil në pension në heshtje. Kjo nuk është një deklaratë që mund ta bëjë një ekonomist! Dil në pension, lexo përsëri librat!
PërgjigjuPra sipas kësaj që thoni ju republika duhet të jetë e pushtetarëve??? Sepse më mirë e prokurorëve tek të cilët qytetarët kanë më shumë besim sot, se te pushtetarët e korruptuar. Po mirë more, si merreni me faktin e procedurave që merr SPAK e GJKKO dhe s'merreni me thelbin : VJEDHJA E POPULLIT!!!! ANALIZONI NJËHERË VJEDHJET E PUSHTETARËVE DHE LËRINI PROCEDURAT E DREJTËSISË.
PërgjigjuDikur thuhejqë:-HESAPI I SHTËPIS NUK DELË NË PAZAR.A është institucion LAJMESH SI ATSH DIKUR APO ORGAN QË RUAN SEKRETIN HETIMOR, FLAS PËR ATË QË ME IRONIN E TI DIKUSH E QUAN SKAP
PërgjigjuNje pyetje: pse i jane shperndare medias frazat/dialogjet ne celularin e nje ministri ende ne hetim? Si lejohet kjo pa u denuar nga ILD qe nga pikerisht si funksion ka te kontrolloje procedurat hetimore e gjyqesore nga institucionet e drejtesise? Qe ketu fillon shkelja flagrante. Pse manipulohet opinioni publik nga keta sherbetore te popullit? Apo jane sherbetore te te tjereve, keqdashes te Shqiperise?
Përgjigju