Nënstacioni elektrik “Tirana 3”, me vlerë mbi 30 milionë euro, përfaqëson një nga investimet më strategjike në infrastrukturën energjetike të kryeqytetit. Në një qytet me rritje të shpejtë demografike dhe ekonomike si Tirana, garantimi i furnizimit të qëndrueshëm me energji është thelbësor për funksionimin e ekonomisë dhe cilësinë e jetës.
Treguesit e “Tirana 3”
Nënstacioni “Tirana 3”, i cili përmban punimet ndërtimi i nënstacionit të ri, në një zonë jeshile që nuk ka pasur nënstacion më para dhe me tre linja 110 kV që dalin nga këtu dhe lidhen me nënstacionin e Traktorave, nënstacionin e Selitës dhe nënstacionin e Farkës. Ky investim është shumë i rëndësishëm për sigurinë energjetike të Tiranës pasi krijon një lidhje unazore me pjesë të tjera të nënstacioneve të Tiranës. Investimi është një bashkëpunim me bankën shtetërore gjermane KfW.
Me bankën gjermane KfW po realizohet me OST edhe Linja e Intekonjeksionit Elbasan-Bitola, e cila nga pjesa e Shqipërisë i ka 86% të punimeve të kryera. Me KfW po dixhitalizohet OST, si dhe po shtrihen linjat e transmetimit të energjisë elektrike në Unazën e Madhe të Tiranës. Po ndërtohet me këtë bankë gjermane edhe nënstacioni i ri i Kamzës, i cili i jep edhe ai një siguri furnizimit me energji të Tiranës.
Nënstacionet elektrike të Qendrës dhe të Kinostudjos
Janë dhe vepra të tjera për sigurinë e furnizimit me energji elektrike të kryeqytetit. I tillë është nënstacioni elektrik i Qendrës, i pari nënstacion elektrik nëntokësor në Shqipëri, në qendër të qytetit. Ndërtimi i nënstacionit elektrik nëntokësor në qendër të Tiranës shënon një hap të rëndësishëm në modernizimin e infrastrukturës energjetike urbane.
Si projekti i parë i këtij lloji në vend, ai kombinon kërkesat teknike për furnizim të sigurt me energji me nevojat për zhvillim të qëndrueshëm urban në një hapësirë të kufizuar dhe me vlerë të lartë. Vendosja nëntokë e nënstacionit eliminon nevojën për sipërfaqe të mëdha mbi tokë në një nga zonat më të ngarkuara të kryeqytetit. Kjo lejon që hapësira mbi të përdoret për funksione publike, gjelbërim apo zhvillim urban, duke rritur cilësinë e jetës në qendër të qytetit.
Nënstacioni i Qendrës rrit kapacitetin dhe stabilitetin e rrjetit elektrik në një zonë me densitet të lartë konsumatorësh – institucione, biznese dhe banesa. Ai ndihmon në uljen e ndërprerjeve, stabilizimin e tensionit dhe menaxhimin më të mirë të ngarkesave. Ndryshe nga nënstacionet tradicionale, struktura nëntokësore e nënstacionit elektrik të Qendrës minimizon ndikimin vizual dhe akustik. Kjo është veçanërisht e rëndësishme në zonat historike dhe qendrat urbane, ku estetika dhe trashëgimia kanë vlerë të lartë.
Me shtimin e jashtëzakonshëm të Tiranës, do të kemi edhe një nënstacion të ri në Kinostudio. Të gjitha këto nënstacione rrisin kapacitetin e shpërndarjes së energjisë dhe ulin rrezikun e ndërprerjeve.
Nënstacionet e reja krijojnë një rrjet më të balancuar, duke shpërndarë ngarkesën dhe duke shmangur mbingarkesat në nënstacionet ekzistuese. Kjo është jetike për një qytet ku kërkesa për energji është në rritje të vazhdueshme.
Energjia e qëndrueshme është një parakusht për zhvillimin e bizneseve. Sektori i shërbimeve, industria e lehtë, ndërtimi dhe teknologjia varen nga furnizimi i pandërprerë me energji. Nënstacionet e reja elektrike krijojnë kushtet për zgjerim të aktiviteteve ekonomike dhe tërheqje të investimeve të reja.
Nënstacionet e reja kanë ndikim të gjerë në sektorë si shëndetësia, me funksionimin e pandërprerë të spitaleve, si arsimi, me kushte më të mira në shkolla, si transporti urban, me mbështetje për sisteme elektrike dhe inteligjente, si dhe ndërtimi, me rritjen e vlerës së pronave në zonat e mbuluara.
Një rrjet më modern dhe i optimizuar ndihmon në reduktimin e humbjeve teknike të energjisë. Kjo përkthehet në kursime financiare për operatorët dhe në një sistem më efikas, me ndikim pozitiv në koston përfundimtare për konsumatorët. Nënstacionet e reja lehtësojnë po ashtu edhe integrimin e burimeve të energjisë së rinovueshme, si fotovoltaikët, në rrjetin urban. Kjo është e rëndësishme për tranzicionin energjetik dhe për uljen e varësisë nga burimet tradicionale.
Investitorët e huaj dhe vendas e konsiderojnë furnizimin me energji si një faktor kyç. Një infrastrukturë moderne si nënstacionet e reja elektrike, që u shërbejnë rreth 320 mijë banorëve, rrit besimin në stabilitetin e tregut dhe ul rrezikun operacional për bizneset. Ndërprerjet e shpeshta të energjisë ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e përditshme. Me rritjen e sigurisë energjetike, qytetarët e Tiranës përfitojnë nga shërbime më të qëndrueshme, komfort më i lartë dhe funksionim më i mirë i shërbimeve publike.
Nënstacionet e reja elektrike janë projekte kyçe për sigurinë energjetike dhe zhvillimin ekonomik të kryeqytetit. Ato jo vetëm garantojnë furnizim të qëndrueshëm me energji, por krijojnë bazat për rritje ekonomike, investime dhe përmirësim të cilësisë së jetës. Në një ekonomi moderne, infrastruktura energjetike është shtylla kryesore e zhvillimit dhe nënstacionet e reja elektrike përbëjnë një hap të rëndësishëm në këtë drejtim.
Komente










