Fituam një imazh të një vendi paqësor, të sigurt dhe të organizuar mirë për një aktivitet sportiv madhor të nivelit evropian dhe botëror. Ky “sy i mirë” nuk ka të paguar. Edhe me fushata publicitare, spote televizive, dokumentare te sponsorizuar ne rrjetet televizive ndërkombëtare me një buxhet 10-15 milionë euro, nuk do te mund te arrinim këtë ngritje prestigji te vendit tone pas 25 majit. 

Bashkia Tiranë ia bëri fora

Bashkia e kryeqytetit kreu një punë të shkëlqyer më 24 dhe 25 maj, për vendosjen e mijëra turistëve italianë dhe holandezë në zonat e tyre të shikimit të ndeshjes së finales së Ligës së Konferencës, gara e tretë më e madhe e futbollit evropian, pas Kupës së Kampioneve dhe Ligës së Kombeve. Pavarësisht përleshjeve fillestare në mbrëmjen e 24 majit mes tifozerive, ku u plagosën lehtë edhe 10 policë tanë, jo për fajin tonë.

Punonjëse e pastrimit të Bashkisë Tiranë, pas ngarkimit të furgonit me qese plot me qindra kanoçe birre bosh në Pedonale, 25 maj, gjysëm ore përpara fillimit të ndeshjes

Ishte për bashkinë e kryeqytetit një eksperiencë e re, një punë shumë voluminoze dhe me përgjegjësi, e realizuar me përkushtim,  profesionalizëm dhe në kohë.

Ç’fituam me fondet?

Më 24-25 maj, Aeroporti Ndërkombëtar i Rinasit u mbush si asnjëherë tjetër në historinë e tij, me afro 260 fluturime në 48 orë! Ai priti mbi 16 mijë tifozë nga Holanda dhe Italia. Me mijëra të tjerë iu bashkuan skuadrave të tyre të zemrës në Tiranë nga Mali i Zi dhe Kosova. E gjitha kjo, në një atmosferë inkandeshente feste sportive dhe mikpritjeje shqiptare, me çmimet e ushqimeve dhe birrës, që “kurnacët” e Evropës, holandezët, i vlerësuan si shumë të lira.

Tabela 1. Nata e magjishme dhe turizmi

Rreth 24 mijë tifozë-turistë italianë dhe holandezë gjallëruan jo vetëm shkallët e stadiumit “Arena Kombëtare”, por edhe rrugët e Tiranës dhe Durrësit më 25 dhe 26 maj. Pse me qindra prej tyre zgjodhën të bënin turistin të nesërmen e Finales. Po t’i bëjmë llogaritë, Stadiumi “Air Albania”, i cili na kushtoi si taksapagues 70 milionë euro nga Buxheti i Shtetit, nisi ta shlyejë veten. Nga 19,500 biletat me një çmim mesatar 200 euro(shumë prej tyre u shitën në treg të i), arritëm të marrim rreth 4 milionë euro. Nga 18 mijë netët në hotelet, motelet dhe dhomat me qira tonat në Tiranë dhe Durrës(një pjesë e tifozëve qëndruan dy netë), morëm rreth 7 milionë euro të tjera. Vetë aeroporti i Rinasit me taksat e tij të pritjes, ushqimet, pijet e suveniret që shiti, mori rreth 1.5 milionë euro. Në tërësi, fituam 12 milionë euro në dy ditë me këto shërbime. Nga transporti i brendshëm i tifozëve-turistë në vend erdhën dhe afro 0.8 milionë euro të tjera, kurse nga ushqimi i mrekullueshëm shqiptar bio, nga pijet dhe blerjet për suvenire, u arkëtuan edhe rreth 6 milionë euro të tjera. Shkurt, pa futur pjesën e luanit të kompanive ajrore që i sollën dhe sot i kthejnë këta tifozë-turistë në vendet e tyre, ne morëm, në sajë të stadiumit të ri, mbi 20 milionë euro në dy ditë!

Tabela 2. 25 Maj: Tirana kryeqytet i futbollit evropian

Cilësime
Vetëm rrjeti televiziv BBC në datat 24-25 maj dha 18 lajme për përgatitjet dhe atmosferën në Tiranë përpara, gjatë dhe pas ndeshjes. Ndeshja u transmetua live nga 55 shtete të botës.
-Stadiumi i ri “Air Albania” ka kushtuar 70 mln euro nga taksat tona. Me një aktivitet te madh si  djeshmi, ai e shleu investimin me 40%!
-Pa Air Albania të ri fringo, nuk zhvillohej finalja e Conference League në Tiranë!
Të ardhurat nga fluturimet e tifozëve i morën 82% kompanitë ajrore, 11% aeroporti Rinas dhe 7% transporti vendas. Linjat ajrore Holandë-Shqipëri ishin më të shtrenjtat. Tifozët holandezë shumë kuriozë për Shqipërinë.
Çmimi mesatar i qëndrimit në hotelet në Tiranë dhe Durrës ishte 250 euro nata, por një pjesë e tifozëve/turistë zgjodhën të qëndronin edhe dy netë. Mbi 30% e tyre nuk qëndruan asnjë natë dhe u nisen me 15 fluturimet e orëve 00.30-07.30 të datës 26 maj.
Tifozët si holandezë dhe italianë ranë në dashuri me mikpritjen dhe ushqimin bio të Shqipërisë.
Nga 21.500 mije vende si kapacitet që ka stadiumi, vetëm 19.500 ishin vende që u shfrytëzuan në stadium. Diferenca u sakrifikua për të ndarë tifozeritë.
Punë e jashtëzakonshme logjistike e bashkisë Tiranë për të ndare tifozët kundërshtarë (mjediset “fun zone” shumë të distancuara nga njëra-tjetra për tifozët). Kjo evitoi konfrontimin fizik mes tyre gjatë gjithë ditës 25 maj.
Promocioni për imazhin turistik të vendit vjen sidomos nga tifozët-“turistë” holandezë. Holanda mban vendin e 6-të në botë për turizmin jashtë shtetit të vet, për 100 mijë banorë.

Për të mos folur për kuriozitetin e rritur, sidomos të tifozëve-turistë nga Hollanda, se ata italianë dinë diçka më shumë për Shqipërinë. Edhe sikur të paguanim 10 milionë euro në spote publicitare në rrjetet televizive më të njohura të botës, nuk do të kishim këtë njohje që na e dha stadiumi i ri “Arena Kombëtare”, në një ngjarje me rëndësi për futbollin evropian. Fillim i mbarë. Dhe pa dyshim, ngjarja më e madhe edhe turistike për ne!

Të kapet momenti për të ardhmen!

 Duhet të nisim të nxisim qeverinë të na ndihmojë dhe mbështesë turizmin e ngjarjeve të ardhshme sportive, konferencave të biznesit, kongreseve kulturore, panaireve ndërkombëtare, festivaleve dhe shfaqjeve artistike, etj.. Duhet ngritur një bord i veçantë, apo njësi speciale e veçantë, siç e ka qejf qeveria t’i quaje grupet e punës, për të promovuar kalendarë aktivitetesh të tilla. Duhet të lobojmë fort si qeveri dhe me të gjitha strukturat e tjera shtetërore dhe të shoqatave të biznesit, për të hyrë në kalendaret rajonale të turizmit të eventeve.

Tabela 3. Ç’duhet bërë

•Duhet të nxisim turizmin e eventeve (sportive, konferenca biznesi, kongrese kulturore, panaire ndërkombëtare, festivale shfaqje artistike, etj.).
•Turizmi i eventeve ende njihet pak tek ne, por pozicioni ynë strategjik na ndihmon ta zhvillojmë.
•Të krijojmë një Bord Eventesh Turistike shtet-biznes turistik. Bordi te publikoje kalendarin e tij te eventeve kulturore, artistike, sportive, konferenca biznesi, etj. Për shembull, këtë vit organizojmë kampionatin evropian te mundjes. Askush nuk e di. Ta promovojmë.
•Të marrim shembull nga Kroacia dhe Mali i Zi, që këtë lloj turizmi e kanë në nivele 8-10% të të gjithë vëllimit të shpenzimeve turistike te vendit te tyre. Nëse ne e çojmë në këtë nivel, fitojmë 300 mln euro çdo vit! Buxheti i Shtetit të subvencionojë fort Bordin e Eventeve Turistike ne 5 vitet e para të aktivitetit të tij.

Duhet të marrim shembull nga Kroacia dhe Mali i Zi, që këtë lloj turizmi kanë afro dy dekada që e zhvillojnë me shumë sukses dhe që tani e kanë në nivele 6-8% të të gjithë vëllimit të parave që marrin nga turizmi i vendeve të tyre. Po të arrinim dhe ne nuk do të ishte pak, por rreth 250 milionë euro xhiro në vit! Turizmi i këtyre eventeve ende njihet pak tek ne dhe kemi humbur dy dekada shansesh që na kalonin tek hunda, por më mirë vonë se kurrë, thotë populli.