Qeveria pardje bëri me dije se çmimi i energjisë elektrike do të ulet për të gjitha familjet shqiptare nga 1 janari i vitit 2025. Janë rreth 670 mijë familjet tona sot. Deri dy-tre vite më parë, në rreth 200 mijë apartamente e shtëpi faturohej me zero kilovat-orë, për shkak se këto janë shtëpi të emigrantëve.
Për fat, gjysma e tyre sot po jepet me qera ditore ose javore për turistët dhe kjo ka shtuar konsumin e energjisë. Mesatarisht, të 670 mijë familjet tona faturojnë çdo muaj një konsum prej 680-700 kilovat-orë.
Qeveria nuk e ngriti çmimin fundor të energjisë elektrike për konsumatorët familjarë në mes të krizës së çmimeve në bursat ndërkombëtare, të shkaktuar nga sulmi i Putin mbi Ukrainë në periudhën shkurt 2022-tetor 2023. Të gjitha vendet në rajonin tonë, të krahasueshme me ne, e ngritën çmimin fundor dhe pësuan inflacion dyshifror. Ne nuk pësuam inflacion dyshifror.
Pse po ulet tani çmimi i energjisë elektrike?
Vendimi për këtë ulje të çmimit të energjisë vjen pas afro 2 vitesh që qeveria jonë paralajmëronte rritje të çmimit për ata që konsumonin mbi 800 kilovat-orë në muaj, pra vendosjen e fashës. E paralajmëroi në tetor 2022 dhe në tetor 2023, në kohën kur çmimi në bursat ndërkombëtare rritej fort dhe ne kishim nevojë të importonim, pas gati 10 muajve pa shira.
Megjithatë, qeveria nuk na e vendosi fashën, pasi humbjet ranë në rrjet nga puna e mirë e OSHEE-së dhe qytetarët nisën ta kursejnë sadopak energjinë elektrike, duke mos e abuzuar më. Sot humbjet si teknike dhe jo teknike janë në nivelin 19 përqind, gati gjysma e asaj që ishin gjashtë vite më parë.
Ndërkohë, prodhimi i energjisë u rrit nga moti me shira, por edhe nga mirëmenaxhimi i KESH. Ai u shtua edhe nga HEC-et e mëdha private dhe nga futja në prodhim e parqeve të mëdha fotovoltaikë, si ai i Karavastasë. Kompania franceze që menaxhon Parkun e madh fotovoltaik të Karavastasë ia shet gjysmën e prodhimit shtetit tonë, sipas kontratës me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, me çmimin ndër më të ultit, të kontratave të parqeve fotovoltaike në Ballkan. Ky çmim është vetëm 24.8 euro për megavat, nga rreth 55 euro për megavat që lundron mesatarja e çmimit në rajon.
Ndërkohë, edhe çmimi në bursat ndërkombëtare është i qendrueshëm. Energjia elektrike tregtohet sot në bursën referuese Hudex të Budapestit në nivelin 164 euro/megavat-orë në periudhën pik të mesditës.
Janë një sërë faktorësh pse tani qeveria mundet ta ulë çmimin për familjet. Edhe pse patëm dhe vijojmë të kemi shtatë muaj të thatë që nga prilli 2024, KESH ka arritur të mbajë rezerva hidrike në Kaskadën e Drinit.
Sa fitojmë nga ulja e çmimit?
Sot çmimi i energjisë për familjarët është 9.5 lekë për kilovat-ore, pa TVSH. Me TVSH, arrin në 11.4 lekë për familjet, ndërsa pensionistët që nga viti 2015 marrin kompensimin shtesë në pensionin e tyre për energjinë elektrike, në shumën 648 lekë në muaj.
Kryepyetja është: sa do të ulet energjia elektrike? Edhe sikur të ulet qoftë dhe nga 9.5 lekë në 9 lekë, kursimi mujor për qytetarët është i ndjeshëm.
Nëse qeveria e ka seriozisht me ndihmesën ndaj pensionistëve, ia vlen që, duke parë situatën e mirë energjitike të vendit, që për një periudhë 1-2 vjeçare, sa pensionet të nisin të shtohen, të vendosë që familjet e pensionistëve kryefamiljarë të subvencionohen jo vetëm 648 lekë në muaj sa marrin tani, por për 100 përqind të konsumit të tyre të energjisë, deri në fashën 600 kilovat-orë në muaj
Duhet qe per te lehtesuar verferin e pesionistave, te paguhet nga shteti fasha 300kw dhe kush shpenzon më shumë diferenca të paguhet me çmimin e reduktuar. Kjo do ishte ndhmë për ta dhe jo ulja e çmimit në përgjithësi për familjet.
Përgjigju