Fatos Çoçoli: SPAK dhe baltëhedhja ndaj tij

Fatos Çoçoli: SPAK dhe baltëhedhja ndaj tij

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (me emrin e shkurtuar që e njohim të gjithë: SPAK), krijesa kryesore e drejtësisë së re,  paraqitet me shumë të drejtë si shpresë e qytetarit ndaj dhënies fund të pandërshkueshmërisë së politikanëve të korruptuar, që i kemi me kile mes nesh.

Në gati pesë vite aktivitet, që nga 19 dhjetori 2019 kur u krijua, SPAK ka arritur të ngjallë frikë tek të gjithë zyrtarët, ish-zyrtarët dhe politikanët e korruptuar të shtetit tonë. Me arrestimet dhe hetimet e tij, na ka ngjallur realisht shpresë të gjithëve si qytetarë. SPAK përbën shpresën tonë kokëfortë se Shteti i së drejtes tek ne do të ndërtohet i plotë.

Frika dhe pasiguria tek politikanet e korruptuar: arritja me e madhe e Shtetit ligjor

Futja e frikës dhe pasigurisë tek politikanët e lartë të korruptuar, deri pak vite më parë të paprekshëm, si dhe ngjallja e shpresës reale tek qytetarët e thjeshtë të këtij vendi, renditen ndër fitoret politike më të mëdha të Shqipërisë, që nga rënia e komunizmit.

Kjo vetëm në sajë të SPAK. Rezultatet e Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar përbëjnë garancitë më të forta për integrimin real tonin me familjen e madhe të Bashkimit Evropian.

Në Shqipëri, më në fund, ka një institucion që është bërë tmerri dhe frika në palcë e çdo politikani dhe zyrtari apo ish-zyrtari shtetëror, që vjedh dhe abuzon me financat e Shtetit ose që ka vjedhur dhe abuzuar në të kaluarën.

Prandaj dhe ia vlen ta mbrojmë fort këtë strukturë që na ka ngjallur kaq shpresë(pa mohuar edhe mosplotësimin deri tani të disa pritshmërive tona kombëtare) në rrugëtimin e saj të vështirë.

Arrestimi i disa kryebashkiakëve, mes tyre më i pushtetshmi i Durrësit, arrestimi i disa ish-ministrave dhe ndjekja penale për një ish-zvkryeministër, kanë bërë që klasa jonë politike e djeshme dhe e sotme të humbë statusin e shëmtuar të paprekshmërisë.

Tabela 1: Rezultatet e deritanishme të SPAK
1.       Vendosja e masës së sigurisë ndaj një ish-kryeministri të përfolur
2.       Hetimi ndërkombëtar ndaj një ish-zvkryeministri të përfolur
3.       Arrestimi i disa ish-ministrave
4.       Arrestimi i disa kryebashkiakëve
5.       Konfiskimi i mbi 140 milionë euro pasuri në vitet 2022-2023, të personave që akuzohen si pjesëmarrës në krimin e organizuar

SPAK: makth, tmerr dhe ankth për hajdutët e veshur dje dhe sot me pushtet?

SPAK nuk ka se si të pëlqehet nga politika, pse kosit djathtas e majtas përfaqësues të saj të akuzuar për korrupsion.

Një gjë veç duhet ta kemi të qartë si qytetarë. Kush e sulmon sot në mënyrë të ulët(poshtë brezit, do të thonin boksierët) SPAK, me cilësime dhe denigrime personale për drejtueist e tij, është ai që ka më shumë frikë nga kjo strukturë. Është ai që demonët e abuzimeve dhe vjedhjeve nuk e lënë ta bëjë i qetë gjumin natën. SPAK sot është kthyer në makthin, tmerrin dhe ankthin e politikanëve dhe zyrtarëve të korruptuar.

Në një Shqipëri kur hajdutët e mbështetur dhe promovuar nga politika viheshin në garë se kush do të vidhte më shumë dhe më me marifet Shtetin, padyshim që SPAK dhe rezultatet e deritanishme të tij janë fitorja më e madhe politike e jona, që nga rënia e komunizmit.

Tabela 2: Pasuritë e konfiskuara dhe sekuestruara nga SPAK në vitin 2023
1.       Të konfiskuara                  22.5 mln euro (54%)
2.       Të sekuestruara                19 mln euro (46%)
3.       Totali                                 41.5 mln euro   

SPAK ka edhe një arritje tjetër të madhe, të cilën e kuptojmë pak si qytetarë. Atë të mos ndikimit nga  politika.

Sulmuesit dhe baltëhedhësit më të mëdhenj të SPAK-ut sot janë po ata që lëshojnë akuza se SPAK është vegël e qeverisë së sotme, por pa dhënë asnjë fakt ose provë konkrete që të besohen nga qytetarët.

Janë të njëjtët njerëz që e cilësojnë qeverinë e sotme të rënë, vetëm per faktin se SPAK i ka arrestuar apo i ka ne ndjekje dhjetëra bashkëpunëtorë si ministra, një ish-zëvendëskryeministër, deputetë dhe kryebashkiakë.

SPAK, krijesë dhe investim i SHBA-ve dhe BE-së

Kush e sulmon sot SPAK e bën nga forca e dëshpërimit, pasi paratë e vjedhura do t’ia kthejë Buxhetit të Shtetit, arkës së përbashkët, dhe me interes madje. SPAK nuk dëmtohet dot institucionalisht, pasi ai është investim i SHBA-ve dhe i Bashkimit Evropian, krijesë eskluzive e tyre.

I ngarkuari me punë i Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, David Wisner, në një intervistë për një media shqiptare më 11 dhjetor 2023, u shpreh se “Shtetet e Bashkuara janë krenare të mbështesin punën e SPAK-ut dhe institucioneve të tjera të drejtësisë dhe do të vazhdojmë të mbështesim kërkesat e popullit shqiptar për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë”.

Tubime përkrahjeje qytetare ndaj SPAK?

Për mosprekjen institucionale të SPAK, si qytetarë duhet të jemi të qetë nga ham-hamet e sotme mediatike të hajdutëve të vjetër dhe të rinj të Buxhetit të Shtetit të shqiptarëve.

Mirëpo kush zgjat duart e tij të pista të fëlliqë SPAK, ka mundësi të na largojë disi shpresën e madhe që kemi si qytetarë tek SPAK, për shkak të shumëfishimit të baltëhedhjes ndaj tij, nga media të caktuara.

Prandaj dhe duhet që me vendosmëri dhe me neveri t’u themi fort zëshëm si qytetarë:”Larg duart tuaja të fëlliqura nga SPAK!”. Ia vlen t’i hedhim poshtë këto sulme të djeshme e të sotme mbi drejtuesit e SPAK, me forcë dhe neveri ndaj baltëhedhësve. Përse jo, edhe me tubime përkrahjeje qytetare ndaj SPAK

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Tiranë/ 7 persona marrin peng 35-vjeçarin, e kanosin për t’i marrë pasurinë! 4 arrest në burg, 3 arrest shtëpie

Tiranë/ 7 persona marrin peng 35-vjeçarin, e kanosin për t’i marrë pasurinë! 4 arrest në burg, 3 arrest shtëpie