Fatos Çoçoli: Ushtria dhe plazhet

Fatos Çoçoli: Ushtria dhe plazhet

Ushtarë duke pastruar bregdetin në Currila, 17 maj 2014

Forcat tona të Amatosura mund të jenë aleate strategjike të turizmit shqiptar! Turizmi nuk mbijeton dot mes papastërtive! Sa të gjejmë zgjidhjet ndaj çmimeve të kripura, pastërti dhe vetëm pastërti

Nuk ndodh vetëm tek ne, që plazhet më të bukura dhe të frekuentuara të mbushen me mbeturina në pikun e sezonit veror. Veçse bashkitë bregdetare në vendet fqinje me ne, si në Malin e Zi, Kroaci, etj., janë më të përgatitura dhe më të fuqishme për të pastruar në kohën e duhur dhe të nesërmen plazhet të duken të pastra. Ende bashkitë tona nuk janë aq mirë të organizuara, për të përballuar mbipopullimin e brigjeve të tyre.

Ushtria ndihmon nga toka dhe deti

Mirëpo turizmi nuk të fal, po i lë plazhet pis. Kjo është arsyeja pse, tre ditë më parë, me nismën e ZvKryeministres dhe Ministrit të ri të Mbrojtjes, Forcat tona të Armatosura ndihmuan bashkitë e Sarandës dhe Himarës, që të pastronin plazhet ndër më të bukurat të tyre, por ku është shumë e vështirë të shkohet në rrugë tokësore.

Ushtria ndërhyri nga toka dhe nga deti. Kjo të kujton një nismë të mbi një dekade më parë. Dhjetë vite e tre muaj nga sot, më 17 maj 2014, në orët e para të mëngjesit, një mijë e 380 ushtarë dhe 79 mjete për transport personeli dhe transport mbeturinash të Forcave tona të Armatosura nisnin një aksion për pastrimin, grumbullimin e mbeturinave urbane dhe inerteve në plazhet e Durrësit, Golemit, Shëngjinit dhe Velipojës.

Për fat të keq, këto nisma ngelën sporadike dhe në këtë dekadë, ushtria jonë është angazhuar shumë pak, edhe pse nevoja që kanë bashkitë bregdetare për te pastruar bregdetin e tyre gjate gjithë kohës është e jashtëzakonshme. Forcat tona të Amatosura mund të jenë aleate strategjike të turizmit shqiptar

Turizëm dhe plehra?!Të sigurojmë pastërtinë!

Turizmi është industria numër një e Shqipërisë dhe pasuria më e madhe që kemi sot. Presim 6 miliardë euro të hyra nga kjo industri këtë vit. Turizmi po ashtu na punëson mbi një çerek milionë njerëz. Nuk mund të bëjmë shaka me pasurinë më të vyer të vendit.

Paratë nga turizmi

-2019                     2.8 miliardë euro (21% e PBB)
-2020                     1.6 miliardë euro (13% e PBB)
-2021                     2.4 miliardë euro (19% e PBB)
-2021                     2.4 miliardë euro (19% e PBB)
-2022                     3.8 miliardë euro (23% e PBB)
- 2023                    5.6 miliardë euro (34% e PBB)
2024       6 miliardë euro (parashikim) (36% e PBB)             

Punësimi nga turizmi

2019                       182 mijë vetë
2020                       111 mijë vetë
2021                       158 mijë vetë
2022                       217 mijë vetë
2023                       269 mijë vetë
2024       284 mijë vetë (parashikim)

Nuk mund të lëmë brigjet tona të papastra, plazhet tona më të vizituara, të mbushura me pirgje hedhurinash. Turisti i huaj vjen një herë, i shtyrë nga kërshëria. Nëse përballet me papastërtitë, nuk të vjen më.

Cili prej nesh ka bërë pyetjen: Sa nga turistët e huaj që na vizituan vjet janë  kthyer sërisht në Shqipëri këtë vit?

Ata janë të paktë, shumë-shumë të paktë. Dhe sot, kur ende nuk po gjejmë mënyrat e duhura për të bërë zap demin e tërbuar “rritje e pajustifikuar e çmimeve në bregdet!”, të paktën të sigurojmë pastërti shembullore në plazhet tona. Dhe këtë kemi mundësi ta bëjmë!

Bashkitë e Himarës dhe Sarandës e kanë të pamundur t’i pastrojnë të vetme plazhet e tyre. Si ato janë dhe shumë bashki të tjera bregdetare apo liqenore. Ushtria mundësoi tre ditë më parë pastrimin e plazheve dhe brigjeve të vështira për t’u arrirë, të Sarandës dhe Himarës. Ajo siguroi dhe transportimin me mjetet e ushtrisë të mbetjeve, për në vend-depozitimet e tyre.

Turizëm dhe pastrim i qëndrueshëm

Ushtria nuk është se nuk do që të pastrojë edhe në të ardhmen, por ajo e ka të vështirë ta marrë vetë inisiativën.

Duhet krijuar një strukturë mbikqyrjeje (dy ose tre punonjës bashkish bregdetare, së bashku me një përfaqësues të ushtrisë) ndoshta edhe ditore në muajt maj-shtator, të plazheve kryesore që kemi, për të sinjalizuar rastet e grumbullimeve të hedhurinave dhe për të njoftuar bashkitë dhe komandat e ushtrisë dhe Forcave Detare.

Pastrimi i qëndrueshëm dhe efektiv i plazheve tona nuk mund t’i lihet nismave sporadike, sado me vullnet të mirë ato të jenë. Ministri i Mbrojtjes Vëngu tha me të drejtë tre ditë më parë se është domosdoshmëri që Roja Bregdetare, sidomos në sezon veror, të ketë një koordinim me Njësinë Detare të Policisë Kufitare dhe me bashkitë, për një kontroll të territorit dhe të këtyre plazheve shumë të bukura dhe të vështira për t’u arritur, por ama dhe shumë të frekuentuara nga vizitorët vendas dhe të huaj.

Ende ndërgjegjësimi i qytetarëve tanë(të huajt që vijnë e kanë), për të mbajtur pastër plazhet e mrekullueshme ku shplodhemi dhe pushojmë, është jo në nivelin e duhur. Prandaj dhe situata është vërtetë si gjendje lufte. Luftë për të siguruar mbijetesën e turizmit tonë të rritur kaq mirë në dy vitet e fundit. Sa të gjejmë zgjidhjet ndaj çmimeve të kripura, pastërti dhe vetëm pastërti!

Vend tërheqës për të huajt që të të vijnë gjithnjë e të të vizitojnë, nuk mund të jesh gjithmonë. Madje kjo mrekulli mund të zgjasë edhe vetëm një apo dy vite. Duhet të jemi shumë të kujdesshëm dhe të marrim masa të forta dhe urgjente. ZvKryeministrja  dhe ministri i ri i Mbrojtjes bënë mirë me nismën e tre ditëve më parë. Por lypset që ushtria t’i qëndrojë afër turizmit tonë gjithnjë.

Është mirëfilli detyrë patriotike. Turizmi mund të mpaket e tkurret si lëkura e shagrenit për shumë pak gjë. Për një imazh të ndryshuar. Për shembull, kemi imazh e emër si destinacion turistik i lirë. Duhet ta ruajmë këtë imazh. Po e humbim, sidomos me çmimet tejet të kripura në Jug, që po aplikojmë këtë vit. Mund t’i bëjmë gjëmën vetes me duart tona. Të paktën të kemi të pastër truallin tonë, ku mikpresim vizitorët e huaj.

M.Q./S.G/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • jani: 19/08/2024 16:23

    Me pare o cocol,,duhet te pastrojme plazhet tona nga betoni,, nga pallatet qe janne ndertuar mbi rere...kjo eshte paresore,,plehrat i heq kollaj...

    Përgjigju
  • minushe: 16/08/2024 09:51

    shume dakort , cdokush mund te ndihmoje per pastrimin e plazheve dhe qendrueshmerine e turizmit tone. dhe per me teper nuk behet politike me keto gjera, duhet te dime qe bashkite tona kane dobesira ne organizim, dhe jane nderru jo nje here por qindra here dhe prape jane struktura qe nuk arrijne performance, keshtu qe ska asgje te keqe qe shteti te mobilizoje strukturat e ushtrise. kur bashkite tona te arrijne te performojne , imazhi i turizmit do kete rene si vend me plazhe te bukura por me papasterti te madhe. Keshtu qe ndihma shteterore eshte e mirepritur!

    Përgjigju
  • Tomi: 15/08/2024 12:05

    Absolutish kunder! Ushtria ka mision tjeter. Do isha dakord nese do kishte emergjence apo situate katastrofike! Nuk mund te dale ushtria per te mbledhe qese dhe bidona dhe mbeturina! Per keto mbeturina bashkia merr taksa nga qytetaret dhe bizneset, sii dhe paguan koncesionarin. Ata pergjigjen per kete qellim! Nese deshtojne, te largohen, ka te tjere qe e bejne me mire! Ushtria mund te nderhyje per gjera shume emergjente si ndotje masive, plehra kimike, etj. Por jo per levoret e shalqinit dhe shishet e birres qe i hidhni kudo! Ky shkrim duket i sponorizuar, nga ato qe duan te fshehin paaftesine apo korrupsionon e pushtetit vendor.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sot sondazhi i fundvitit në Report Tv/ Si ndahen mandatet në 5 qarqet më të rëndësishme! Çfarë mendojnë shqiptarët për mbylljen e TikTok-ut

Sot sondazhi i fundvitit në Report Tv/ Si ndahen mandatet në 5 qarqet më të rëndësishme! Çfarë mendojnë shqiptarët për mbylljen e TikTok-ut