Në këtë vit, për herë të parë në historinë e buxheteve shtetërore të 34 viteve të fundit të Shqipërisë, u dhanë 110 milionë euro më shumë në rritje pagash për punonjësit e administratës shtetërore dhe 100 milionë euro më shumë në shpërblime për 723 mijë pensionistët tanë.
Shtesa më e madhe e pagave dhe pensioneve në 34 vite
Në këto 34 vite pluralizem dhe tranzicion i tejzgjatur, shtesa më e madhe e pagave dhe pensioneve ka kapur shifra në nivelet 1 ose 2 përqind të buxhetit të shtetit, por asnjëherë 3.5 përqind(210 milionë eurot shtesë të pagave dhe pensioneve të vitit 2024 përbëjnë 3.7 përqind të buxhetit të shtetit për këtë vit, prej 7.6 miliardë eurosh).
Pagat e rritura filluan të merren nga 1 korriku 2024, nga mbi 30 mijë punonjës të sistemit arsimor parauniversitar publik, nga punonjës të sistemit shëndetësor publik, punonjës te sistemit të sigurisë së vendit, të nivelit zbatues (specialistët në administratën publike), etj.
Shtesa e pagave shkon për konsum
Paga mesatare bruto për mësuesit e arsimit parauniversitar shkoi në 950 euro, duke e rritur me 180 mijë lekë të vjetra në muaj. Për mjekët e përgjithshëm, paga u rrit me dyqind mijë lekë të vjetra në muaj.
Së bashku me shtesat e rrogave në vitin 2023, përfituan nga këto paga të shtuara rreth 135 mijë punonjës të administratës tonë shtetërore në qendër dhe në bashki. Pagë më të lartë morën nga 1 korriku edhe punonjës të Policisë së Shtetit, të Policisë se Burgjeve, të Gardës së Republikës, të Forcave të Armatosura, si edhe punonjësit e nivelit zbatues dhe mbështetës të administratës shtetërore. U përfshinë edhe veterinerët, agronomët, inspektorët, zooteknikët etj., që punojnë në sistemin e Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe institucioneve të saj të varësisë.
Pagat ndjeshëm më të shtuara shkojnë të gjitha në rritjen e konsumit tek ne dhe kështu përfiton e gjithë ekonomia jonë. Pra, nga 110 milionë eurot e dhëna më shumë për pagat këtë vit, përllogaritet që të paktën 90 përqind e tyre ose rreth 100 milionë, të kenë shkuar në konsum të shtuar dhe jo rritje kursimesh të punonjësve të administratës.
Pagat dhe rendimenti i punës
A mos vallë pati rritje rendimenti të punës së këtyre dhjetra mijëra punonjësve me pagë më të shtuar? Rritja e rendimentit, e prodhueshmërisë është arësyeja kryesore dhe kokëfortë ekonomike pse duhet të kemi shtim të pagave në çdo vend të botës.
Por nganjëherë je në mes të cunamit dhe disa ligje të ekonomisë edhe mund të mos zbatohen me rigorozitet. Ndoshta ishte pikërisht koha për të realizuar rritje pagash pa shtim të rendimentit në punë, që punonjësit e administratës sonë të mos shikonin vetëm të largoheshin nga vendi.
Dy sfidat kryesore që kemi përpara nesh janë mbajtja e njerëzvë tanë me çdo kusht këtu dhe sigurimi i një jete më dinjitoze për pensionistët tanë, përmes rritjes së pensionit. Pensioni që duam, ku minimali të jetë sa pensioni i sotëm mesatar prej 200 mijë lekësh të vjetra në muaj, është ende shumë larg.
Deti në këmbë për pensione
Por duhet filluar me kurajo dhe përkushtim. Duhet t’i hyhet një deti në këmbë. Aq mision i pamundur duket rritja reale e fortë e pensioneve. Dhe janë të gjitha arësyet kokëforta pse ngjan me një mision të pamundur. Sikur me vetëm 20 mijë lekë të vjetra në muaj t’u rritësh pensionin pensionistëve tanë sot, duhen 15 milionë euro më shumë në muaj dhe 180 milionë euro më shumë në vit.
Viti 2025: viti i pensionit që duam?
Të mendosh t’ua rrisësh në mënyrë më dinjitoze me 100 mijë lekë të vjetra në muaj pensionin atyre, të duhen 900 milionë euro më shumë në vit! Por nuk është mision i pamundur. Duhet vetëm durim dhe shumë përkushtim dhe kjo qeveri që sot kemi mbi krye duhet t’i ketë të dyja. Shpërblimi i pranverës për pensionistët, i premtuar nga kjo qeveri që do të behet tradicional(pra i përhershëm), është një hap i parë i mirë.
Në pamundësinë e momentit për t’ua rritur pensionin menjëherë dhe në çdo muaj pensionistëve. Sepse, kur rrit një pension në mënyrë normale(pa forma shpërblimesh), duhet të mendosh që duhet të sigurosh një fond shtesë të rritjes për të paktën 15 vjet, sa është jetëgjatësia mesatare e pensionistëve.
Dhe një rritje normale dhe dinjitoze pensionesh tek ne ende nuk mund të bëhet. Ja përse ky vit që ka dhe më pak se dy javë të mbarojë, ishte viti i shtimit të fortë të shpërblimeve për pensionistët, me tre dhe dy herë. Prandaj dhe me të drejtë mund të quhet edhe si viti ku nisi hapin e parë “pensioni që duam”. Urojmë me gjithë shpirt që viti 2025 të shënohet i plotë si viti i pensioneve, për të ngjyrosur pastaj një pesëvjeçar të pensioneve me dinjitoze për nënat dhe baballarët tanë që mund të arrijnë edhe numrin një milion vetë brenda këtyre viteve!