Fatos Kongoli: Ndihem i ri, nuk
më besohet që jam 70 vjeç

Fatos Kongoli: Ndihem i ri, nuk<br />më besohet që jam 70 vjeç
TIRANË- Shkrimtari Fatos Kongoli, një ndër autorët më të përkthyer në gjuhën e huaj, ka festuar sot, mes miqsh 70-vjetorin e tij të lindjes.

“Unë ndihem i ri, nuk më besohet që jam 70-vjeç. Më duket e çuditshme”, tha Kongoli në ceremoninë e organizuar, në Akademinë e Shkencave.

Kongoli,  i përkthyer në Francë, Itali, Zvicër, Greqi, Gjermani, Poloni, Sllovaki, Bullgari, Serbi, Britaninë e Madhe, Spanjë, etj është shkrimtari më i botuari jashtë vendit, pas Ismail Kadaresë. Ai nuk heziton ta pranojë se ky fakt është një vlerësim për të që i përkëdhel sedrën.

Sipas botueses së shtëpisë botuese “Toena” Irena Toçi, që ndër vite ka botuar dhe ribotuar rreth 15 vepra të Kongolit, ai është një nga emblemat më përfaqësuese të periudhës së tranzicionit në vend. Mes dhjetra botimeve në gjuhë të huaj, mes shkrimeve në gazetat më prestigjone europiane, që bëjnë jehonë për veprën e tij, mes çmimeve më të rëndësishme dhe mijra lexuesve që e mbështesin, Kongoli është shkrimtari i thjeshtë dhe fisnik në përballjen me suksesin.

Pas shumë botimeve të tij, që nuk kanë kaluar pa debat dhe ndikim në opinionin publik, ai pranon se ka ende shumë gjëra për të thënë. “Për çdo autor është e pamjaftueshme t’i thotë të gjitha ato që dëshiron të thotë, por vjen një kohë që ai vetë duhet ta kuptojë nëse duhet të vazhdojë t’i thotë ato që mendon apo duhet të tërhiqet”, tha Kongoli.

Sipas "ATSH:, Kongoli those nuk ndihet i plotësuar për veprat e tij, dhe për sukesin e tyre, pasi kjo për të do të thotë mos të shkruante më pas botimit të një veprë. “Sapo botohet një libër i ri përpiqem ta harroj. Librat e botuar janë për mua në një farë kuptimi të harruar sepse ndryshe nuk do shkruaja dot një libër të ri”, shprehet shkrimtari.

I cilësuar si shkrimtari i tranzicionit, Kongoli është autori që siç deklaron vetë ai, në librat e tij është përpjekur të përshkruajë njeriun e tranzicionit, si është ai. “Unë përpara viteve ’90 kam shkruar disa libra, por pjesa më e rëndësishme e krijimtarisë sime i përket periudhës së pas viteve ‘90”, tha Kongoli.

Përkthyesi i të gjitha veprave të tij në frëngjisht, Edmond Tupja, e cilësoi Kongolin si njeriun dhe shkrimtarin e veçantë. “Njeriu dhe shkrimtari janë bashkë, nuk mund t’i ndash. Në çdo rresht që kam përkthyer unë kam gjetur Fatos Kongolin. Shkrimtari Kongoli më ka mahnitur po aq sad he njeriu”, tha Tupja.

Raportin mes këtyre të dyjave e ka të vështirë ta ndajë edhe vetë Kongoli. I pyetur se për realizimin e cilës fushë ka luftuar më shumë, ai shprehet se nuk mund t’i ndajë dot. “Di të them që kam luftuar shumë të mbetem vetvetja”, ka deklaruar ai.

Fatos Kongoli është tri herë fitues i çmimit vjetor për librin më të mirë në prozë dhënë nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve me romanet: “Kufoma” (1995), “Dragoi i fildishtë” (2000), “Ëndrra e Domokleut” (2002), si dhe i çmimit “Velia” (2000).

Është fitues  i çmimit të Akademisë Kult (2008) dhe i çmimit “Rexhai Surroi” (Prishtinë, 2011). Është fitues i çmimit ndërkombëtar “Balkanika” (2002). Është fitues, gjithashtu, i çmimit më të lartë letrar në Shqipëri “Penda e Artë” (2004). Shoqata e Botuesve Shqiptarë e ka vlerësuar me çmimin “Shkrimtari i vitit” për 2006-ën, ndërsa romani “Lëkura e qenit”, i përkthyer në gjermanisht u shpall libri i muajit në qershor të vitit 2006 në Gjermani.

Librat e Kongolit kanë pasur jehonë edhe në disa nga gazetat dhe revistat më të mëdha europiane si: “Le Monde”, “Le Figaro”, “La Stampa”, “Le Temps”, “Le Soir”, “L’Express”, “Magazine Littéraire”, “Der Tagesspiegel”, “The Guardian”, “The Indipendent”, “El Publico” etj.

Kongoli është anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Në vitin 2010 është nderuar nga Presidenti i Francës me titullin “Kalorës i Legjionit të Nderit”. Në vitin 2012 është nderuar me titullin “Mjeshtër i Madh” nga Presidenti i Shqipërisë.  Pas romanit “Si-do-re-la”, romani i tij i fundit është “Njeriu me fat” (2013).Pas gjithë këtyre vlerësime brenda dhe jashtë vendit Fatos Kongoli pranon me buzëqeshje se po, ka ende pengje.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Presidenti Steinmeier i kërkon falje Polonisë për krimet gjermane

Presidenti Steinmeier i kërkon falje Polonisë për krimet gjermane