Sipas Lubonjës, në regjimin komunist Kadareja ka pasur pseudonimin “Gert Arbana”. Lubonja nuk ka kursyer edhe kritikat ndaj botuesit, Henri Çili. “Gent Arbana është pseudonimi i Kadaresë, që ka bërë nja 300 faqe kundër shkrimtarëve të modernizmit në Europë. Nuk shkon njeri ta pyesi. A je ti Gent Arbana? E ke parë ti njeri ta pyesi: A je ti Gent Arbana? Këtë e dinë shumë veta, por të shpjegohet. Kjo shoqëri këta njerëz në vend të thonë si ishte kjo e ajo, ndërtojnë një mit. Shkojnë deri tek ish të burgosurit për të thënë që ky (Kadare) ishte i rrezikuar nga këta” tha Lubonja.
SHKRESA E HAZBIUT PER KAPON
Lubonja ka treguar një shkresë që ministri i Brendshëm i asaj kohe Kadri Hazbiu ia dërgon Hysni Kapos krahut të djathtë të Enver Hoxhës. Në shkresë Kadri Hazbiu sugjeron të mos bëhet asnjë lëshim për të pandehurit Llazar, Todi dhe Fatos Lubonja. Nga ana tjetër Hysni Kapo bën një shënim në shkresë, ku porosit Kadri Hazbiun të mos bëj lëshime për armiqtë e popullit. Lubonja rrëfeu edhe momentin e arrestimit, i cili ndodhi fiks një ditë pasi u publikua letra e Kadri Hazbiut. Lidhur me akuzën e Kadaresë, se ai është arrestuar si djali i Todi Lubonjës dhe jo si shkrimtar, ai thotë se është akuzuar si shkrimtar dhe se këtë gjë e dëshmojnë akt-ekspertizat e shkrimeve të tij. Lubonja u shpreh, se Kadareja gënjen dhe shpif. Akuzës së Kadaresë, se Lubonja urrente babain dhe e fundosi në gjyq, ai iu përgjigj se në përgjithësi, nuk urren njerëzit. Në rastin e babait të tij, ai e konsideron një interpretim malinj të Kadaresë dhe dokumenteve që ka nxjerrë Kadareja me disa të tjerë. Lubonja u shpreh, se “kjo është një shpifje e ulët, hyrja në marrëdhëniet familjare në mënyrën më skandaloze. Ata që e kanë kurdisur këtë, duan të demonizojnë kundërshtarët e tyre”.
PERMENDJA E EMRIT TE KADARESE NE HETUESI
Lubonja shpjegoi se emrin e Ismail Kadaresë dhe Dritëro Agollit e kishte përmendur në hetuesi për ta lehtësuar të atin dhe jo për ta rënduar pozitën e tij. “Për të treguar që edhe përmendja e Kadaresë nuk është për ta fundosur por për ta mbrojtur babain, dua ta shpjegoj. Pse thotë Kadare që duke u përmendur atë, babai dhe Kadareja rëndohej dhe pse nuk thotë që lehtësohej babai. Akuza ndaj babait ishte se ai nuk e pëlqente realizmin socialist që nuk e pëlqente letërsinë tonë. Në tentativat që bëra për ta mbrojtur babain, se këta kanë thënë që në gjyqin tim unë e kam përmendur dhe ngrejnë aty sikur është bërë gjithçka rreth Kadaresë. Kadare nuk është përmendur fare në gjyqin tim. Nëse doja ta rëndoja mund ta thoja që i dinte shkrimet e mia, ose që konsultohej me Todin për shkrimet e veta. Thelbi, kur më pyetën ca mendimi kishte për letërsinë thashë lexonte Ismail Kadarenë dhe Dritëro Agollin. Kush ishte Kadare? Ishte i preferuari i Enver Hoxhës. Kishte bërë Dimrin e Madh. I shkoi Nexhmija në shtëpi. Ky i shkroi Enverit dhe u bë i paprekshëm. Të thoje që pëlqente Kadarenë atëherë, ishte normale” u shpreh Lubonja.
PSE SULMOHET LUBONJA
I pyetur nga gazetari Rakipi, se përse po sulmohet sot, Lubonja u shpreh se sulmi ndaj tij vjen për shkak të së sotmes dhe jo të kaluarës. “Me politikën që, kur kemi dikë kundër, ta sulmojmë për ta delegjitimuar apo denigruar. Unë mendoj, se këtu ka disa sulme të koordinuara ndaj meje. Unë e kam kritikuar Kadarenë për tri gjëra kryesore. E kam kritikuar veprën e tij, si një vepër që në pjesën më të madhe të saj, është ilustrim letrar i propagandës së regjimit të Enver Hoxhës. E kam kritikuar kur filloi të bëjë transformimin e historisë së tij, kur të gjithë prisnim nga ai të na thoshte të vërteta dhe jo të manipulonte. Së treti, e kam kritikuar për modelin e intelektualit që përfaqëson. Kadareja është nga ata intelektualë që nuk i kundërshton kurrë regjimet, është oborrtari i dy regjimeve”.
Shkresa e plotë e Kadri Hazbiut
Shoku Hysni
Po ju dërgoj këtë relacion që bën fjalë mbi konkluzionet e nxjerra nga studimi i materialeve të gjetura, të fshehura në banesën e të pandehurit Llazar Lubonja.
Jam i mendimit që ne të marrim masat e duhura, në bazë të dispozitave ligjore përkatës (për mbajtjen pa leje të armëve dhe të këtyre dorëshkrimeve me përmbajtje armiqësore), si ndaj të pandehurit Llazar Lubonja, ashtu dhe ndaj Todi Lubonjës e djalit të tij (Fatos Lubonjës).
Bashkëngjitur ju dërgoj 5 librat në gjuhën frëngjisht e italisht që i takonin Todi Lubonjës, si të pavlefshme për besimin, për të disponuar se nga kush duhen administruar.
Me respekt
Kadri Hasbiu
Tiranë, 24.7.1979
Shënim: “Kadriun e porosita te veprohet sipas ligjeve pa bere asnje leshim.”