Shqipëria vijon të marrë sinjale pozitive nga Brukseli për rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Nga Irlanda, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen, vlerësoi progresin e bërë në negociata, duke theksuar se Shqipëria dhe Mali i Zi po avancojnë në procesin e zgjerimit mbi bazën e meritës.
“Shqipëria dhe Mali i Zi po vijojnë të përparojnë në procesin e zgjerimit. E mirëpres shumë mbështetjen tuaj të fortë për këtë proces, siç e keni përshkruar, të bazuar në meritë. Kjo mbështetje përfshin qëllimin për të përfunduar deri në fund të vitit negociatat e pranimit me Malin e Zi”, tha Von der Leyen.
Presidentja e Komisionit Evropian rikujtoi edhe zgjerimin historik të Bashkimit Evropian në vitin 2004, i cili u realizua gjatë presidencës irlandeze të Këshillit të BE-së.
“Ne kemi çdo arsye për t’i besuar Irlandës në këtë, sepse, në fund të fundit, zgjerimi historik i vitit 2004 u realizua nën presidencën irlandeze të asaj kohe. Edhe vetë historia e Irlandës na kujton pse zgjerimi është një nga investimet më të zgjuara të Evropës. Kur Irlanda u bashkua me Komunitetin Evropian në vitin 1973, Prodhimi i saj i Brendshëm Bruto për frymë ishte rreth gjysma e mesatares evropiane. Sot, është afërsisht dyfishi i mesatares evropiane. Vështirë se ka argument më bindës për zgjerimin se ky. Irlanda gjithmonë ka pasur talent për ta kthyer ambicien në arritje. Jam e bindur se presidenca juaj do të bëjë të njëjtën gjë për Evropën”, u shpreh ajo.
Edhe kryeministri i Irlandës, që tashmë ka presidencën e BE-së, përsëriti mbështetjen për vendet kandidate në rrugën drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian.
Shqipëria ndodhet aktualisht në fazën përmbyllëse të negociatave të anëtarësimit, pasi ka përmbushur kriteret e ndërmjetme për grupkapitullin “Themeloret”. Vendi aplikoi për anëtarësim në Bashkimin Evropian në vitin 2009, mori statusin e vendit kandidat në vitin 2014 dhe hapi zyrtarisht negociatat në vitin 2022.
Gjatë procesit të negociatave, Shqipëria ka hapur të gjashtë grupkapitujt, ndërsa në fund të vitit 2025 u hapën edhe kapitujt e fundit që lidhen me burimet, bujqësinë dhe kohezionin. Në Konferencën e tetë të Anëtarësimit në Bruksel, Bashkimi Evropian konfirmoi se Shqipëria kishte përmbushur kriteret e ndërmjetme në fushën e shtetit të së drejtës, duke e kaluar vendin në fazën e fundit të negociatave.
Qeveria shqiptare synon që vendi të anëtarësohet në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030,
Komente





