“FDI Magazine”: Veliaj, kryebashkiaku që shëmbëllen me Trudeau dhe Macron, po transformon Tiranën

“FDI Magazine”: Veliaj, kryebashkiaku që shëmbëllen me Trudeau dhe Macron, po transformon Tiranën

Një tjetër media ndërkombëtare i ka bërë jehonë transformimit që po pëson kryeqyteti shqiptar, Tirana. “FDI Magazine” që botohet si pjesë e prestigjiozes botërore “Financial Times” dhe që i kushtohet analizës së thellë të klimës së investimeve të huaja dhe të korporatave në shumë sektorë, ka botuar një artikull të veçantë për Tiranën, duke vënë theksin te ndryshimi që po pëson dhe ambicia e kryetarit të Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj për të transformuar qytetin dhe jetën e qytetarëve. Artikulli i bën një biografi politike kryebashkiakut Erion Veliaj, ku thekson se ai “përfaqëson fytyrën më të freskët që Shqipëria dëshiron t'i tregojë botës dhe BE-së, drejt së cilit vendi po kërkon anëtarësim”, ndërsa nuk nguron ta cilësojë si një shëmbëlltyrë të dy prej liderëve karizmatikë botëror, siç është presidenti francez, Emanuel Macron dhe kryeministri kanadez, Justin Trudeau.

Autori evidenton në shkrimin e vet pikërisht ndërthurjen për rinovimin urban me projektet arkitekturore në zhvillim, si dhe një sërë sfidash që e kanë bërë qytetin më të pastër apo dhe më miqësor me natyrën. Gjithashtu në artikull theksohet se Tirana “u rendit në 10 vendet e para për t’u vizituar në Evropë në 2018 nga guida e udhëtimit “Lonely Planet” dhe mori një çmim në qershor 2018, për hapësirën më të mirë publike në Evropë nga Qendra për Kulturë Bashkëkohore e Barcelonës”.

Më poshtë artikulli i plotë:

 Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka ambicien për të transformuar qytetin, duke e ditur se ç’është e mirë për kryeqytetin është e mirë edhe për Shqipërinë. Me të bisedoi Courtney Fingar

  Përfytyroni një shartim mes Justin Trudeau dhe Emmanuel Macron, hipeni në një biçikletë dhe do të përftoni Erion Veliajn. Një ish deputet 39-vjeçar dhe ministër kabineti, Veliaj u bë kryebashkiak i kryeqytetit shqiptar, Tiranës, si pjesë e koalicionit të majtë që fitoi zgjedhjet vendore të 2015-ës. Ai përfaqëson fytyrën e freskët që Shqipëria dëshiron t’i tregojë botës – dhe Bashkimit Europian, ku kërkon të anëtarësohet.

 Një anëtar i Partisë Socialiste në pushtet, e kryesuar nga kryeministri reformator Edi Rama, Veliaj studioi në SHBA dhe në Britaninë e Madhe (ku mbrojti një diplomë pasuniversitare në integrimin evropian), si dhe kreu disa punë humanitare në vendet në zhvillim përpara se të kthehej në Shqipëri e t’i hynte politikës. Në vitin 2003, ai themeloi MJAFT!-in, një lëvizje politike protestuese.

 Rigjenerimi urban

Pasi fitoi një garë të fortë zgjedhore dhe në kontekstin e një klime politike kombëtare të nxehtë, Veliaj e gjeti veten nën trysni për të dhënë rezultate të shpejta. Kjo do të thotë të krijosh një fytyrë të re për qytetin që drejton: në Tiranë përparojnë një tufë me projekte arkitekturore dhe rigjenerimi urban dhe ka një fluks të aktivitetit ndërtues, përkundrejt nevojave më të zakonshme siç është pastrimi i qytetit, i cili nuk renditej mes qyteteve më tërheqëse apo më të jetueshëm në Europë. Por, kjo po ndryshon.

 Revista prestigjoze “Lonely Planet” e renditi Tiranën në 10 vendet e para për t’u vizituar në Evropë në 2018 dhe në qershor 2018 mori çmim për hapësirën më të mirë publike në Evropë, nga Qendra për Kulturë Bashkëkohore e Barcelonës. “Tirana nuk është moderne, as antike, por është ‘cool’, prandaj priremi të jemi të rinj dhe ‘cool’”, thotë Veliaj, të cilin e sheh rregullisht me biçikletë nëpër qytet. Pjesë e planit të tij për qytetin është që ta bëjë atë më të aksesueshëm e miqësor për çiklistët dhe këmbësorët.

 Po ashtu, ai i jep përparësi strehimit, përballë një fluksi qytetarësh që vjen në rritje. Qyteti po shtohet me një ritëm prej rreth 30,000 banorësh në vit: një kombinim i emigracionit në ardhje nga jashtë përzier me migrimin e brendshëm nga fshatrat ose qytetet më të vogla dhe rritjes organike demografike. Tirana është kryeqyteti më i ri në Evropë, me një moshë mesatare 27 vjeç.

 “Tirana është vendi ku duhet jetuar, jo vetëm për njerëzit që vijnë nga qytetet e dorës së dytë apo të tretë, por edhe studentët e rinj që vijnë këtu nga vendet fqinje. Pra, Tirana është kryeqyteti i gjithçkaje në Shqipëri: kultura, arti, muzika, financat, ekonomia, prodhimi, telekomunikacioni - dhe ne duam të vazhdojmë në këtë rrugë”, thotë Veliaj. “Shumica e kryetarëve të bashkive i druhen kësaj, sepse kanë frikë nga rritja demografike, por nëse nuk e ndal dot, atëherë është mirë ta përqafojmë atë”.

 Disa i tremben uljes së hapësirave të gjelbra në qytet për shkak të rritjes së zhvillimit, e ca të tjerë kundërshtojnë përpjekjet për të ulur numrin e makinave, por Veliaj argumenton: “Mund të kalojmë nëpër labirinthet e burokracisë, ashtu si në Londër apo në vende të tjera, ku krizat e strehimit janë kthyer në makthe. Ose do të duhet të ecim saktësisht me një plan urbanistik që lejon rritjen, por duke iu shmangur shtrirjes, pra duke synuar densitet me cilësi të lartë, ku njerëzit mund të përshkojnë deri 500 metra për të shkuar te berberi, te furra e bukës, në dyqanet ushqimore apo në klinikën e tyre shëndetësore”.

 Të numërosh vezët

I vetëdijshëm për kohën që ecën, kryebashkiaku ka një aplikacion që bën numërimin mbrapsht të ditëve deri në zgjedhjet e ardhshme vendore në vitin 2019.

“Një këngë e Rolling Stones thotë: “Koha është në anën tone”, - jo, koha nuk është në anën tonë, koha vetëm ecën”, thotë ai. “Ne duhet ta shohim këtë si një urgjencë të shëndetshme; kur më pyesin cila është metafora e bashki, unë u them se kjo bashki duhet të funksionojë si një “pulë”. Një pulë që duhet të bëjë një vezë çdo ditë, ndonjëherë dy, tre, por çdo ditë ne duhet të bëjmë diçka. Publiku duhet të shohë të paktën një gjë që nuk ka ndodhur dje; kjo u jep njerëzve ndjesinë e përparimit, por gjithashtu edhe një ndjenjë shprese”.

Sa i përket urgjencës për ta kthyer qytetin në një kryeqytet modern europian: “E quaj obsesion... një obsesion i shëndetshëm”, - qesh Veliaj. Dhe me këtë ai përfundon intervistën duke hipur në biçikletën e tij, për të vizituar një nga kantieret e radhës.

Për të parë artikullin në origjinal klikoni linkun: https://www.fdiintelligence.com/Locations/Europe/Albania/Tirana-mayor-uses-pedal-power-to-meet-city-s-expectations

 

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Juventusi në garë, Cristian Shpendi në Torino për 4 milionë euro

Juventusi në garë, Cristian Shpendi në Torino për 4 milionë euro