Taulant Balla ka publikuar një video ku demokratja Ilirjana Kuçana shfaqet mes një grupi protestuesish në moshë fare të re me fytyra të mbuluara gjatë protestave në Tiranë. Pamjet janë shpërndarë në një kohë kur mazhoranca akuzon Partinë Demokratike se po përdor të miturit si “mish për top” në protestat e shoqëruara me përplasje me policinë dhe dëmtime të pronës publike.

“Taulant, do jemi përditë këtu me studentët, shikoji sa të mirë janë”, dëgjohet të thotë Kuçana në video.

Balla e ka shoqëruar videon me një koment ironik ndaj përfaqësuesve të Partisë Demokratike dhe kreut të saj, Sali Berisha.

“Sipas porosisë së Saliut, deputetët dhe kandidatët e Partisë Demokratike të gjithë në protestë. Bëj tag Taulantin të marrësh like nga Saliu”, shkruan ai.

Dy ditë më parë, Kuçana u vu zyrtarisht nën hetim për veprën penale të përfshirjes së të miturve në veprimtari që dëmtojnë zhvillimin e tyre mendor ose fizik, e parashikuar nga neni 124/b i Kodit Penal. Për këtë vepër parashikohet dënimi nga 2 deri në 5 vjet burgim.