Ferid Kola, nga zbulimi i maskës së 
 vdekjes, tek tri shtatore të Fishtës

Ferid Kola, nga zbulimi i maskës së <br /> vdekjes, tek tri shtatore të Fishtës
Disa ditë më parë isha dëshmitar i një skene e cila më la mbresa të forta, që sot,  në kohët që po jetojmë, ndodh përherë e më radhë, por që i lë shije të mirë kënaqësie kujtdo që e përjeton dhe e dëgjon e që mua më dha shkakun të bëj këtë shkrim informues për lexuesin. Mendova të shkruej këto rreshta, jo për ti bërë reklame artit të përsonave të vecantë, por për ti bërë jehonë akteve e vlerave pozitive njërzore, që i sherbejnë  shoqërisë shqiptare e atdheut, gjëra që janë pjesë traditës sonë popullore e që po humbasim,  për të cilat kemi nevojë urgjente të përditëshme.

Më është bërë ritual, që kur vizitoj qytetin tim, për nevojë informimi apo kënaqësi- ndeje, të bëj një gjiro takimesh dhe kontaktesh me miq, njerëz të artit, të historisë, me intelektale të sferave të ndryshme, herë në shtëpitë e tyre, por edhe në kafenetë komode të Shkodres. Ato ditë, kënaqësisë që pat publiku shkodran nga hapja e ekspozitës me objektet e martirit Luigj Gurakuqi në muzeun e qytetit, ju shtua dhe kënaqësia e aktit të bukur e patriotik që bëri mjeshtri i skulpturës  Ferid Kola, i cili në ceremoninë e hapjes së ekspozitës, i dhuroj punonjësve të muzeut një shtatore të vogël të heroit të popullit Luigj Gurakuqi, të ngjashme me origjinalin e asaj të krijuar nga ai, që ishte e vendosur në qëndër të qytetit.

Qëlloi që dy ditë më vonë, të  vizitoja atelienë e skulptorit për tu njohur me krijimet e tij të reja, ku në mes të shumë punimeve të arrira për nga mjeshtria  e vlerat historike që përmbanin , më bënë  përshtypje  tri shtatore të përmasave të vogla (80 cm – bocet) të poetit kombëtar Gjergj Fishta,  të cilat ishin të pozicionuara  në tre kënde të ndryshme të ateliesë e që të krijonin përshtypjen sikur e ftonin vizitorin e sapo ardhur të hapë një bisedë për to.

Ferid kolaNga zbulimi i maskës së vdekjes, tek tri shtatore të Fishtës

I rrëmbyer nga bukuria dhe vertetësia e realizimit të figurës së Fishtës në këto tri shtatore, u fiksova përballë njërës që më solli para meje si “të gjallë” homerin shqiptar. Nga ato që kisha dëgjuar  dhe lexuar për Fishtën, më ngjasoi se e kisha shumë të afërt e të njohur këtë figurë lëgjendë....- Ah, sa bukur do të dukej kjo shtatore, ju drejtova autorit Ferid Kola,  sikur të vendosej në mes të librave të tij në bibliotekën provincës franceskane këtu në Shkodër!!  Artisti, sikur të ma kishte lexuar qysh përpara mendimin, duke u ngritë me hov  në këmbë ma ktheu:... e po ta dergojmë aty ky i takon për të qenë, mirë ma kujtove. Kisha kohë që më mundonte mendimi që të gjej një vend të përshtatshëm për te.., ska më mirë....  U nisëm me makinën time, me shtatoren e At Fishtës ndër duar drejt kuvendit franceskan të Gjuhadolit, ku na pritshin me padurim fretnit të cilët i lajmërova më parë me telefon. Aty, nga atmosfera që u krijua, pata rastin të përjetoj caste të paharrueshme. Nga njëra anë, autori i shtatores mjeshtri Ferid Kola, i cili me sy të përlotur po ndahej nga krijesa e tij që e donte shumë, nga ana tjetër gëzimi i fretërve franceskanë që po e vëndosnin shtatoren në ambientin e bibliotekës, në vendin ku At Gjergj Fishta studioi dhe krijoj vargjet e pavdekëshme që na la  trashigim.

Vëllezërit Franceskanë, nga gëzimi, i silleshin rrotull shtatores sikur po i bënin ritin e mirëseardhjes në mes tyre, në familjen e vet. U diskutua shumë se ku të vendosej, pasi për shtatoren e një kolosi si Gjergj Fishta dëshirohet gjithmonë një vënd dominant. E ndërsa të pranishmit po fiksonin në fotografi këto caste emocionuese e të paharrueshme, po mendoja...:  ...sa mirë do të ishte që njëra nga tri shtatoret e mjeshtrit Ferid Kola të vendosej në një vënd të dukshëm në qytetin e Shkodres....
Realisht në qytet, ka vite që është inauguruar një vepër pamore, simbol i At Gjergj Fishtës, por që syri normal nuk e dallon për të tillë. Një vepër e artit modern, por jo një shtatore e mirëfilltë që të sjell në mes të qytetarve të Shkodres,  kujtimin e figurës së njohur të Homerit shqiptar Gjergj Fishta. Edhe Shkodra i përket një qyteti me kulturë europiane, si ato ku janë të përsonifikuar në shtatore gjenitë e kombeve përkatës, si Goete, Mozart, Pushkin, Manzoni, Rafaeli etj...etj.. Edhe qyteti i Shkodres mund të krenohet me një figurë si At Gjergj Fishta, kolos i vargut, mjeshtër i satirës, atdhetar i shkallës së parë, një ndër themeluesit e alfabetit e pasurimit të gjuhës shqipe, i njohur dhe i studiuar në shumë shtete të kontinentit.

.... A thue vepra dhe fama e kolosit Fishta do të zgjojë krenarinë dhe atdhetarizmin e bashkëkombasve të vet, të pushtetit qëndror, të politikës, të drejtuesve të bashkisë së qytetit, të biznesmenëve të ndryshëm, për ti dhuruar atdheut një shtatore që përjeton figurën e At Gjergj Fishtës? Qyteti i Shkodres i ka artistikisht e teknikisht të gjitha mundësitë, pasi ka nxjerrë nga mesi i vet, shume skulptore të talentuar, e nder to mjeshtrin e skulpturës monumentale Ferid Kola, i cili ka arritur të sjellë në këto shtatore si “të gjallë “ poetin kombëtarë, që me tre bocetet e At Gjergj Fishtës ka arritur të emocionoje masa të gjëra njerzish? Duhet theksuar qe, bukuria dhe përsosmeria e realizimit të figures së Fishtës nga skulptori atdhetar Ferid Kola, pervec se me talentin e tij, lidhet  edhe me njohjen e thellë që ai ka për veprën dhe përsonalitetin e At Gjergj Fishtës,  të cilin ai e adhuron.

Kisha dëgjuar që përpara, që ishte Ferid Kola i cili kish gjetur dhe identifikuar në magazinat e objekteve kulturore të qytetit, maskën e vdekjes së Fishtës, të cilën pasi e riparoj, se ishte shumë e dëmtuar, bëri një kopjo dhe origjinalin ja dorëzoj etërve franceskanë. Që këtu atij i lindi dëshira për tu marrë me “njohjen” e figurës se poetit, që e konkretizoj në disa shtatore (bocet) në forma dhe vendosje të  papara dhe të ndryshme nga autorët e tjerë. Më vonë, me rastin e rivarrimin simbolik të eshtrave të Fishtës, mjeshtri Kola realizoj artistikisht SARGUN që i mbante ato pak eshtra, cka kishin mbetur pas dhunimit të varrit dhe tretjes në lum të tyre. Këto ditë, mjeshtri Kola, pas një studimit disa vjecar, befasoi ndjekësit e tij me bocetin e katërt të shtatores së At Gjergj Fishtës, duke e paraqitur  atë në një qëndrim të vecantë, me gishtin tregues lart nga qielli, si për ti kujtuar shqiptarve që: ....SI SHQIPNIA NJI VEND NUK KA..

Nga një vrojtues i thjeshtë dhe i vemendëshëm atdhetar, që njeh ligjet dhe traditat shqiptare, mund të konstatohet menjëherë qartë se autori, pa u kujtuar, por natyrshëm, i shtyrë nga dashuria për traditën shqiptare, ka realizuar plotësisht atë  cka shkruhet në Preambulën e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë:
 ... Ne, Populli i Shqipërisë, krenarë dhe të vetëdijshëm për historinë tonë, me besim te Zoti dhe ...., me vendosmërinë për të ndërtuar një shtet të së drejtës, ......, me frymën e tolerancës dhe të bashkëjetesës fetare, me zotimin për mbrojtjen e dinjitetit dhe të personalitetit njerëzor, ... për paqen, mirëqenien, kulturën ...., me aspiratën shekullore të popullit shqiptar për identitetin dhe bashkimin kombëtar, me bindjen e thellë se drejtësia, paqja, harmonia ... janë ndër vlerat më të larta të njerëzimit....

Kjo ishte porosia që  At Gjergj Fishta na la trashëgim nëpërmes veprës së tij. Uroj dhe shpresoj që, bukuria e veprës të tij, mbrojtja e zjarrtë që ai i bëri kufijve e trojeve shqiptare, të kontribuojë që figura e tij të materializohet në një shtatore që të jetë tempull atdhetarie e frymëzimi për përparim.
Ëien, me 17.1.2016

  • Sondazhi i ditës:

    Pronat shtetërore mund të shkëmbehen me private, si e vlerësoni ligjin?



×

Lajmi i fundit

Sulmohen me gurë 2 autobusë me tifozë të Skënderbeut, nga Tirana po ktheheshin në Korçë! Thyhen xhamat (FOTO)

Sulmohen me gurë 2 autobusë me tifozë të Skënderbeut, nga Tirana po ktheheshin në Korçë! Thyhen xhamat (FOTO)