Ministri i jashtëm Ferit Hoxha dhe nënkryetari i LDK-së Lutfi Haziri
Lutfi Haziri ka pritur në Prishtinë ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Ferit Hoxhën, me të cilin ka diskutuar për forcimin e bashkëpunimit mes Kosovës dhe Shqipërisë. Nënkryetari i LDK-së tha se në fokus të bisedës kanë qenë koordinimi i mëtejshëm i politikave dhe veprimeve mes dy shteteve, mbështetja e Shqipërisë për integrimin e Kosovës në NATO dhe BE, si dhe realizimi i nismave strategjike që afrojnë qytetarët dhe forcojnë bashkëpunimin rajonal. Haziri e cilësoi takimin si të përzemërt dhe e falënderoi kryediplomatin shqiptar për vizitën në selinë e LDK-së.
“Në emër të LDK-së dhe kryetarit Abdixhiku, pata kënaqësinë ta mirëpres në takim ministrin për Evropën dhe Punë të Jashtme i Republikës së Shqipërisë, Ferit Hoxha. Në këtë takim të përzemërt, kemi diskutuar për koordinimin e mëtejmë të veprimeve dhe politikave ndërmjet dy shteteve tona, për rolin e rëndësishëm të Shqipërisë në mbështetjen e proceseve integruese të Kosovës në NATO dhe BE, si dhe për realizimin e nismave strategjike që afrojmë më shumë qytetarët dhe forcojnë bashkëpunimin rajonal dhe brenda shqiptar”, shkroi Haziri në një postim në Facebook.
“E falënderoj përzemërsisht për vizitën në partinë që i vuri themelet e lirisë, pavarësisë e shtetndërtimit, ministrin për Evropën dhe Punë të Jashtme i Republikës së Shqipërisë, Ferit Hoxha”, shtoi ai.
Lajmi kryesor:
Vizita në Prishtinë, ministri Hoxha takon kryetarët e AAK dhe PDK: Mund të luajnë rol konstruktiv në ndërtimin e konsensusit politik











