Ferizaj zgjedh sot kryetarin
Vetevendosja raporton parregullsi

Ferizaj zgjedh sot kryetarin<br />Vetevendosja raporton parregullsi
Në Kosovë mbi 95 mijë qytetarë me të drejtë vote janë thirrur të votojnë sot për kryetarin e ri të Ferizajt, pas dorëheqjes të Bajrush Xhemajli i cili u dënua me 2 vjet e gjysmë burg për shkak të thyerjes së rregullave të qarkullimit rrugor duke shkaktuar një aksident me vdekje në maj të 2009-s. Nga ora 07:00, janë hapur të gjitha qendrat e votimit. Komisioni Zgjedhor i Kosovës deklaroi sot ne mesditë se dalja e votuesve deri në ora 11 e 30 minuta është 9.4%.
Për kryetar të Ferizajt garojnë tetë kandidat:  Agim Aliu - kandidat i Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Salihu - kandidat i koalicionit Lidhja Demokratike e Kosovës - Lidhja Demokratike e Dardanisë, Faton Topalli nga Lëvizja Vetëvendosje,Ramadan Hasani nga Aleanca Kosova e Re, Naim Ferati nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Bujar Ademi nga Partia e Drejtësisë, Ramadan Emini nga Lëvizja e Bashkuar, si dhe kandidati i pavarur Rrahim Sadiku.

MONITORUESIT IMPO DHE D4D JOZYRTARISHT JAPIN REZULTATET PRELIMINARE
Ora 21:00
-Sipas rezultateve të para jozyrtare të publikuara nga IMPO dhe D4D, në zgjedhjet që janë mbajtur sot për kryetar të Ferizaj, listës i pinë Agim Aliu i PDK-së me 40.8 %, i dyti radhitet Adem Salihaj i LDK-së me 24.2%, që ua mundëson të shkojnë në balotazh, 
ndërsa i treti është Faton Topalli i Vetëvendosjes me 16.1 %, Naim Ferati i AAK-së me 10.75 %, Burim Ademi i PD-së me 2.62 %, 
Rrahim Sadiku kandidat i pavarur me 0.5 % dhe Ramadan Emini i LB-së 0.4 %.
Të njëjtat rezultate përafërsisht kanë dhanë edhe shtabet zgjedhore të partive politike, ndërsa qindra simpatizant të partive veç kanë filluar të festojnë nëpër rrugët e Ferizajt.

DAKA: NUK ËSHTË RAPORTUAR ASNJË INCIDENT QË DO DËMTONTE PROCESIN
Ora 20:30 - Komisioni Qendror Zgjedhor në konferencën për media të orës 20 ka njoftuar për mbylljen e qendrave të votimit në Ferizaj. Sipas kryesueses Valdete Daka, në votimet për kryetar të Ferizajt kanë votuar 29.660 qytetarë me të drejtë vote, apo 31.07 për qind. Këto statistika vijnë nga Komisioni Komunal i Zgjedhjeve. “Nga raporti të cilin e kemi pranuar nga KKZ në Ferizaj, deri në këtë moment nuk është raportuar asnjë incident që do të dëmtonte këtë proces”, ka thënë Daka. Ndërsa, sa i përket parregullsive të evidentuara gjatë ditës, Daka ka thënë se ato janë evituar me kohë nga komisionerët e KQZ-së.
Konferenca e radhës e KQZ-së do të jetë në orën 21, kur edhe pritet të shpallen rezultatet preliminare.

KQZ PUBLIKON PËRQINDJET E PJESMARRËSVE NË VOTIME
Ora 19:25: Vetëm
30,58 % - Vendvotimet mbyllen për ata që nuk janë duke pritur në radhë.
Nga 95449 Votues të regjistruar në 124 Vendvotimeve kanë votuar 29185 votues. 
Përqindja e Votuesve të cilët kanë votuar në raport me numrin e përgjithshëm të votuesve të regjistruar 30,58% 

PRITET QË NË ORA 19 TË MBYLLEN VENDVOTIMET
Ora 19:00
- Deri më tani kanë votuar 32,64 % të votuesve. Zyrtarë të INPO-s kanë thënë se ka vende që ende është duke u votuar, por që shumë shpejtë pritet që të mbyllen të gjitha qendrat e votimit, menjeherë pasi edhe këta persona ta kryejnë votimin.

KEQPËRDORIMET E MUNDSHME, SHUMË VOTA ME KUSHT
Ora 18:00
- Monitoruesit e Rrjetit Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN) kanë shprehur shqetësimin se shumë votues nuk po i gjejnë emrat në lista, në qendrat ku kanë votuar tradicionalisht. Për shkak të numrit të madh të votave të hedhura me kusht, ekziston rreziku potencial për keqpërdorime. 

PDK ORGANIZON BARJEN E VOTUESVE ASHKALINJË
Ora 17:30
- Nën drejtimin e tre zyrtarëve të Partisë Demokratike të Ashkalinjve të Kosovës (PDAK), PDK ka organizuar taksi për më shumë se 450 ashkalinj nga Dubrava për të votuar në Ferizaj, Zakok dhe Pleshinë. Poashtu, janë vërejtur persona që kanë tentuar të votojnë me kartela identiteti të anëtarëve të familjes.

Monitoruesit kanë vërejtur një listë prej 11 taksistëve të vendosur tek një kafene në fshat të cilët kanë qenë të ngarkuar për bartjen e votuesve

KQZ: DERI ORA 15:00, DALJA ËSHTË 19.54% 
Ora 16:00 -
Drejtues të KQZ-së kanë deklaruar se në zgjedhjet për kryetar të Ferizajt deri në orën 15.30 kanë votuar 19.54 për qind ose 18.655 votues dhe deri tash kanë ndodhur disa parregullsi të vogla që nuk dëmtojnë procesin dhe të cilat janë evituar.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, në një konferencë për media, deklaroi se sipas raportimit të komisionit komunal zgjedhor deri në orën 15.30 ka qenë 19.54 për qind ose 18.655 votues, ndërsa në vitin 2009 deri në këtë kohë patën dalë 30.08 për qind ose 26.561 votues.
Sipas saj, ka pasur disa parregullsi që janë trajtuar nga KQZ-ja dhe kanë marrë konfirmimin se këto parregullsi janë evituar me sukses.

“Deri më tani nuk është raportuar asnjë parregullsi e cila do ta dëmtonte imazhin e procesit zgjedhor, ndërsa sa i përket shqetësimeve nga partitë politike, lidhur me numrin e vogël të fletëvotimeve në disa vend votime, ky vendim është marrë nga KQZ-ja për shkak se është dashur që të bëhet rrumbullaksimi, pra nuk është ndonjë parregullsi por është marr vendim nga KQZ-ja”, ka thënë Daka.

Parregullsitë që janë evituar sipas saj kanë të bëjnë me mos lejimin me dokumente të UNMIK-ut apo të skaduara, pastaj pasi që janë intervenuar janë larguar disa materiale zgjedhore

PDK: PROCESI I VOTIMIT PËR TU ADMIRUAR
Ora 15:30
-Zëdhënësi i shtabit zgjedhor të PDK-së, Hajdin Abazi në një konferencë shtypi ka thënë se deri në mesditë janë evidentuar disa mangësi dhe shkelje, pavarësisht faktit se procesi i votimit ka pasur rrjedhë të mirë dhe është për t'u admiruar. Ai ka thënë se mangësitë i takojnë rrafshit organizativ nga KQZ-ja apo KKZ-ja, ndërsa shkeljet lidhen me subjektet politike. Zëdhënësi SHZ të PDK-së, Hajdin Abazi ka përgënjeshtruar zërat që erdhën nga kampi partiak i LDK-së se gjoja PDK-ja po ushtron presion mbi votuesit e komunitetit ashkali e rom për të votuar për kandidatin e tyre
Abazi ka mohuar thëniet nga LDK-ja se një aktivist i tyre i panalizuar nga veprimet që ka bërë në zgjedhjet e kaluara, të jetë i përfshirë sërish në procesin e votimit, duke thënë se ai person nuk është certifikuar dhe nuk është pjesë e këtij procesi.

KDI: GATISHMËRI E QYTETARËVE PËR TË VOTUAR
Ora 15:20
-Probleme rreth ndryshimit të vendvotimeve të disa votuesve, ndërprerje të votimeve për disa minuta,prezencë të personave të paautorizuar në vendvotim duke kërkuar të votojnë për numrin e caktuar. Në 25 qendra votuese respektivisht në 70 % të tyre, vetëm deri në orën 13:00 është raportuar për 98 raste të votimeve familjare.

VETËVENDOSJE: PARREGULLSITË E PROCESIT ZGJEDHOR DERI NË MESDITË
Ora 15:00
- Vetëvendosje reagon për parregullsitë gjatë votimeve deri tashi. Nga vëzhguesit e Vetëvendosjes kanë hasur në vendvotime me më pak fletëvotime sesa votues. Një person ka tentuar të futet me bexh të falsifikuar dhe ndaj tij nuk kanë reaguar autoritetet e rendit. Vetëvendosje ka dhënë edhe dëshmi me foto. Ata kanë reaguar edhe për votimet familjare, posterët e kandidatve nga radhët e PDK dhe AAK si dhe prani të anëtarëve të PDK-së në korridoret e vendvotimeve me bexha të kuq që nuk janë zyrtarë nga KQZ.
Ka patur edhe votues që kanë tentuar të votojnë edhe nën moshën 18 vjeçare.
Vetëvendosje reagon edhe ndaj vëzhguesve të PDK-së, LDK dhe AAK që urdhërojnë votuesit të votojnë për subjektet e tyre edhe atë në prezencë të komisionit dhe vëzhguesve nga subjektet politike. Pastaj, rreth orës 14:00 një person është afruar me makinë në qendrën e votimit  "Konstandin Kristoforidhi", Neredime, dhe në makinë kishte të vendosur postera të kandidatit të PDK-së. Të gjitha parregullsitë e paraqitura nga Vetëvendosje kanë të bashkangjitura fotot dhe numrin e vendvotimit.

INPO: ZYRTARË DHE PERSONA TË PAAUTORIZUR NË QENDRAT E VOTIMIT
Ora 14:30
-Deri në mesditë, në ora 12:00, në zgjedhjet e parakohshme për Kryetarin e Komunës në Ferizaj kanë votuar mbi 11,000 votues, 11.5% nga totali. Dalja më e lartë ishte 18% në një vendvotim, dhe më e ulëta ishte 5.3%.Në shumë vendvotime ka persona të shumtë të dyshimtë që sjellen rreth objekteve dhe në korridore. Raportohen vetura të shumta të cilët komunikojnë dhe vërehet një organizim paralel. Janë vërejtur zyrtarë partiakë.
Klan Kosova ka thyer heshtjen zgjedhore dhe ka paraqitur kandidatët për kryetar komune në reprizë të emisionit Konfidencë.

LDK: ANËTARË TË PDK PO BËJNË PRESION MBI VOTUESIT
Ora 13:00
- Haxhi Bajrami, përgjegjës për informim në shtabin e LDK-së: “Kemi informacione nga terreni se aktivistë të PDK-së, gjithashtu janë vërejtur në qendrat e votimit, duke bërë presion mbi votuesit, sidomos të komunitetit rom dhe ashkali, që të votojnë për PDK-në. Informacioni i fundit që morëm në fshatin Komogllavë, ku para qendrës së votimit, aktivistë të PDK-së, kanë vendosur një pankartë ku shkruan voto PDK-në. Ne e dimë që sipas ligjit mbi zgjedhjet, është e ndaluar një gjë e tillë”

KOMISIONI ZGJEDHOR: DERI NE 11: 30 PJESEMARRJA VETEM 9.4 %
Ora 12:00
-Komisioni Zgjedhor i Kosovës: Dalja e votuesve deri në ora 11 e 30 minuta është 9.4%.Këto të dhëna kanë mbërritur në rrugë elektronike.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve paraqiti për raportin lidhur me daljen e votuesve për Kryetar Komune në Ferizaj, deri në orën 11. 30. Kryetarja e KQZ-së, znj. Valdete Daka, tha se, dalja e deritashme e qytetarëvenë Ferizaj, është 9.4%, ose 8971 votues.

“Ju njoftojmë gjithashtu se, Pilot- projekti “K-vote”, të cilin KQZ është duke e përdorur në këtë proces zgjedhor, është duke funksionuar plotësisht dhe, sipas tij është nxjerrrë ky rezultat: deri në orën 11.00, kanë votuar 8.3% ose, 7924 votues. Nga raporti të cilin e kemi pranuar nga Komisioni Komunal Zgjedhor në Ferizaj, deri në këto moment nuk ka probleme të cilat, do ta dëmtonin imazhin e këtij procesi zgjedhor të jashtëzakonshëm”, tha në këtë konferencë kryetarja Daka. 

KDI: Ka mosmarreveshje mes komisionerve dhe njerëz të paautorizuar që kanë ushtruar presion ndaj votuesve. Ata kanë përmendur emra të kandidatit që duhet ta votojnë. Rreth orës 14 do jetë edhe një konferencë për media nga KDI.
INPO: Nuk ka pano informuese. Dritat ultravjollcë nuk funkcionojnë. Disa votues e kanë spërkatur dorën e majtë derisa e kanë ofruar dorën e djathtë dhe ata kanë hyrë në vendvotim.Thërrasin 108 mijë qytetarët ferizajas të dalin të votojnë.

Ora 11:00 RAPORTOHEN PARREGULLSI
Një votues ka deklaruar se derisa kërkonte emrin e tij në listë, ka gjetur emrin e babait të tij i cili ka vite që ka vdekur. Organizatat D4D dhe INPO të cilat vëzhgojnë zgjedhjet në Ferizaj raportojnë për parregullsi.Leon Malazogu i ka thënë KTV-së se kanë vërejtur se llambat janë të dobëta dhe se ka problem me identifikimin e gishtërinjve.Malazogu tha se në disa qendra të votimit vërehet presion nga komisionerë e partive politike.

Ora 10:30 - Sipas të dhënave të Demokracisë në Veprim, deri në orën 09:00, kanë votuar 2991 votues, apo mbi 3 për qind.

Ora 10:00 - Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) përmes një komunikate për media ka nënvizuar parregullsi në procesin zgjedhor.

Sipas komunikatës së LDK’së, në vendvotim në fshatin Softaj është vërejtur Naim Sahiti nga PDK, i dënuar për manipulim votash në zgjedhjet e kaluara, me një bexh të falsifikuar.
“Vëzhguesit e LDK-së raportojnë se në qendrën e votimit në fshatin Softaj është vërejtur të sillet në Vendevotime më Begj të falsifikuar Naim Sahiti, nga PDK-ja, i dënuar për manipulim dhe vjedhje votash në zgjedhjet e vitit të kaluar. Ndërkaq në Gjimnazin Kuvendi i Arberit në Ferizaj votuesve nuk u japin udhëzimet e duhura, madje ata i kthejnë prapë duke ë udhëzuar për në qendrat tjera edhe pse ata kanë qendrën e votimit aty”, thuhet në komunikatë.
LDK paralajmëroi konferencë të jashtëzakonshme të shtabit të saj në orën 11:00.

FERIZAJ-Ora 09:30 Koalicioni Demokracia në Veprim: Evidentohen parregullsi. Në shkollën Ahmet Hoxha mungojnë listat e votimeve dhe ka patur posterë partish në hyrje të vendvotimit. Në fshatrat Talinoc i Muhaxherve dhe Sojevë ka më shume komisionerë se që lejon rregulli. 

 Nga ora 07:00, janë hapur të gjitha qendrat e votimit për të zgjedhur kryetarin e Komunës së Ferizajt. Kryetari i Komisionit Komunal Zgjedhor, Idriz Hetemi tha se procesi zgjedhor ka filluar pa asnjë pengesë, në të gjitha qendrat, përfshirë edhe ato malore.

Në Ferizaj lista Përfundimtare Votuese, përmban 95449 emra të votuesve, të shpërndarë në 25 Qendra Votimi, me një rritje prej 4744 apo 4,9%, në krahasim me zgjedhjet e kaluara. Numri i Qendrave të Votimit (QV) është 25 (ashtu siç ka qenë edhe ne zgjedhjet e kaluara), ndërsa numri i vendvotimeve është 124, me një rritje prej 2 vendvotimeve nga zgjedhjet e kaluara.

KQZ ka akredituar, gjithsej 1511 vëzhgues vendor dhe ndërkombëtar dhe menaxherë të Qendrave të Votimit, janë drejtorët e shkollave.

Votues të rinj sivjet janë 4744.

Tetë kandidatët që synojnë të marrin votat e qytetarëve të Ferizajt janë Agim Aliu (PDK), Faton Topalli (VV), Adem Salihu (LDK-LDD), Ramadan Hasani (AKR), Naim Ferati (AAK), Bujar Ademi (PD) Ramadan Emini (Lëvizja e Bashkuar) si dhe Rrahim Sadiku, si i pavarur.

Dy mandate që nga paslufta janë qeverisur nga LDK, dy nga PDK dhe tani në këto zgjedhje për herë të parë kandidon edhe Vetëvendosje me kandidatin e tyre Faton Topalli.

Për ta evituar përsëritjen e manipulimeve që janë bërë në zgjedhjet e kaluara në vend, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka paralajmëruar disa veprime nëpërmjet të cilave synon t’i mënjanojë parregullsitë në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunës së Ferizajt, të cilat do të mbahen më 29 prill.

Zgjedhjet e parakohshme u shpallën nga presidentja Jahjaga për shkakun se Kryetari i dorëhequr nga PDK Bajrush Xhemajli u dënua me 2 vjet e gjysmë burg nga Gjykata e Qarkut në Prishtinë. Ai u gjet fajtor për thyerje të rregullave të komunikacionit që patën si pasojë vdekjen e një personi.
/rg/shqiptarja.com/

  • Sondazhi i ditës:

    Joe Biden tërhiqet nga gara presidenciale në SHBA, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

‘Ngec’ garancia sovrane për fasonët, deri tani vetëm 1 përfitues, refuzojnë bankat! Humbjet e eksportuesve më të thella me euron që bie

‘Ngec’ garancia sovrane për fasonët, deri tani vetëm 1 përfitues, refuzojnë bankat! Humbjet e eksportuesve më të thella me euron që bie