PRISHTINË, 18 Nëntor/ATSH/.- Festivali i filmit në Kosovë "Hyjnesha në Fron", udhëton për Pejë, ku nisja bëhet nga ora 14:00 në Stacionin e Trenit në Fushë Kosovë, ndërsa në kthim do të shfaqen pesë filma.
Gjatë kthimit do të ketë muzikë Live me Makfire Miftari-soliste, Naser Dula- kitarë dhe Festim Haxhikadriu-violinë.
Pas kthimit në stacion do të shfaqen dokumentarë për jetën e aktores Marjeta Larja dhe filmi "The Reaper". Festivali do të zgjasë deri të premten, më 21 Nëntor, bën të ditur KosovaPress.
Deri në mbyllje çdo ditë do të zhvillohen sesione që mbahen në trenin që udhëton drejt Pejës ose Elez Hanit, sesione këto në të cilat do të shfaqen filmat e metrazhit të shkurtër, kurse në hapësirat e Stacionit Hekurudhor do të shfaqen filmat e metrazhit të gjatë.
Krahas filmave në kuadër të Festivalit do të organizohen 'master klasët' ku ekspertë të shumtë nga fusha e artit dhe e industrisë së tij do të trajtojnë tema të ndryshme dhe sot do të mbahen prej orës 16:00.
Festivali po ashtu ka segmentin e fuqizimit të gruas në biznes dhe promovimin e vlerave të komunitetit rom, ashkali e egjiptian. Në kuadër të ngjarjeve anësore, gratë biznismene do të prezantojnë produktet e tyre, kurse gratë e komunitetit rom, ashkali e egjiptian do të demonstrojnë si si i prodhojnë disa produkte./k.s/









