Lundrim me kanoe mes zambakëve në liqen, shëtitje unike me biçikleta në ujë, ushqim tradicional, punime autentike artizanale dhe mbrëmje të paharrueshme me muzikë shijuan turistë të shumtë që iu bashkuan festës së Liqenit të Zogaj, një nga perlat e Shkodrës.
Mikpritja dhe natyra mbresëlënëse e bëjnë një përvojë ta paharrueshme vizitën në Zogaj për turistët e ardhur nga të gjitha skajet e botës.
“Jam nga Shtetet e Bashkuara. Kisha dëgjuar në internet për veriun e Shqipërisë dhe sa i bukur është. Ka male kudo, ndaj pse të mos e përjetosh një vend të tillë? Ka qenë një eksperiencë shumë e bukur. Njerëzit janë jashtëzakonisht të sjellshëm e mikpritës. Ndihet që qyteti po zhvillohet shumë”, tha një turiste.
“Jam nga Zvicra. Është hera ime e parë në Shqipëri. Më pëlqen shumë. Liqeni ka një natyrë të mrekullueshme, me florë dhe faunë të pasur, ndërsa qyteti është gjithashtu shumë i bukur. Nuk e prisja që natyra të ishte kaq e veçantë dhe që të kishte kaq shumë male ku mund të bësh ecje. Është vërtet fantastike”, theksoi një turist tjetër.
“Jam nga Gjermania. Është hera ime e parë këtu. Është një vend i mrekullueshëm, plot natyrë. Njerëzit janë shumë të sjellshëm. Qyteti është mahnitës, me liqenin dhe malet që e rrethojnë, një bukuri e rrallë. Vend ideal për t’u larguar nga zhurma e qytetit dhe për të shijuar natyrën”, u shpreh turisti nga Gjermania.
“E gjithë Shqipëria është shumë e bukur, por Shkodra, si porta drejt Alpeve, të jep mundësinë të eksplorosh kulturën dhe natyrën në një mënyrë krejt unike. Është një vend si askund tjetër”, tha një tjetër.
Përveçse u njohën me historinë e liqenit dhe shijuan bukuritë e zonës, vizitorët u mikpritën nga vendasit për të shijuar ushqimet tradicionale.
Festa e Liqenit të Zogajt, pjesë e peizazhit të mbrojtur të UNESCO-s, e shndërroi Shkodrën në destinacionin më të frekuentuar të fundjavës.
Komente









