Festa e Abaz Aliut ka mbledhur edhe këtë vit me qindra pelegrinë në malin e Lartë të Tomorrit, në Berat. Gjatë 5-ditëve të pelegrinazhit, në Teqenë e Kulmakut dhe pranë varrit të Abaz Aliut kryhen ritet fetare të festës.

Ditën e sotme, në festën e shenjë të bëktashinjve mori pjesë edhe presidenti i Republikës, Ilir Meta, si dhe ambasadorë. Ndërkohë, mes qindra pelegrinëve, Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Baba Mondi, uroi dhe bekoi besimtarët.

“Ky rit tradicional e ka kthyer në qendrën e rëndësishme të familjes, faljes, thirrjes, mëshirës, afrimit të shpirtave tanë me krijuesit, ku ne pajtohemi me veten, me njëri tjetrin dhe marrim më shumë shpresë, dashuri për paqe mirësi. Jeta e Abaz Aliut është një model për çdo besimtar, për çdo ndjekës të udhës së ndritur Haxhi Bektash Veliut”, u shpreh Kryegjyshit Botëror të Bektashinjve, Baba Edmond Brahimaj.

Meta: Bektashizmi dhe atdhedashuria janë një

Në fjalën e tij, presidenti i Republikës, Ilir Meta, uroi shqiptarët për festën e Abaz Aliut,teksa tha se Bektashizmi dhe Shqiptaria janë një dhe të pandara.

“Bektashizmi ka vlera të jashtëzakonshme, jo vetëm për sa i takon lirisë së besimit, por sidomos për atë kontribut të jashtëzakonshëm që ka dhënë historikisht për të vaditur me dashuri, përkushtim dhe palodhshmëri rrënjët e atdhedashurisë. Bektashizmi dhe atdhedashuria janë një dhe të pandara”, u shpreh Presidenti i Republikës, Ilir Meta.
 
Me rastin e 25 vjetorit të rihapjes së pelegrinazhit, Baba Edomond Brahimaj i dhuroi presidentit Meta një medalion floriri me portretin e baba Reshatit dhe shqiponjën. Ndërsa Kryegjyshi botëror i bektashinjve u nderua me dekoratën “Misionar i Kombit” nga Unioni Artistik i Kombit Shqiptar.

Festa e Shenjtë e Bektashinjve, që organizohet nga datat 20 deri 25 Gusht, mbledh çdo vit në Teqenë e Kulmakut rreth 300-400 mijë pelegrinë nga Shqipëria, Diaspora dhe bota.

Redaksia Online
R.Sh/ shqiptarja.com